Deputetja e LSI-së, Erisa Xhixho, tha në seancën e sotme se qytetarët shqiptarë janë të vetëm në kulmin e krizës së çmimeve. Duke iu referuar Bankës Botërore, Xhixho tha se qeveria shqiptare është e fundit në rajon për ndihmën e akorduar për përballimin e çmimeve të rritura si pasojë e situatës në lindje të Europës.
“E ashtuquajtura paketë e rezistencës, është thjesht lëmoshë në krahasim me të ardhurat e mbledhura për shkak të rritjes së çmimeve. Këto të fundit janë 7 herë me të larta se paketa e rezistencës.
Maqedonia e Veriut është vendi që ka dhënë mbështetjen më të madhe në rajon për qytetarët e vet, 3.6% e PBB. Një pjesë e kësaj ndihme, 1.5 % e saj ishte në formën e përjashtimeve nga taksat. Një propozim të tillë, LSI e ka bërë që në nisje të kësaj krize. Heqja e taksës së qarkullimit dhe asaj të karbonit nuk u mor parasysh nga kjo maxhorancë, e cila forcën e kartonit e përdor edhe për të bllokuar nisma që mund të lehtësojnë jetën e qytetarëve shqiptarë duke mos lejuar as debat në seancë.”
Xhixho theksoi se ndërsa qytetarët paguajnë për disa ushqime bazë të paktën dyfishin e asaj që paguanin pak muaj më parë, në arkën e shtetit të ardhurat e mbledhura nëpërmjet TVSH-së janë shtuar.
“Të ardhurat nga TVSH si pasojë e rritjes së çmimit janë shtuar në arkën e shtetit, duke e kaluar 7-fish vlerën e paketës së rezistencës. Kjo nuk është gjë tjetër veçse një pseudopaketë, pasi në thelb nuk zgjidh asgjë. Ato 5 miliardë lekë nuk shërbyen për gjë tjetër veçse për indeksimin e pensioneve, një detyrim ligjor për çdo vit normal. Ndërsa mbështetja e pensionistëve me një shtesë prej 3 mijë lekësh nuk mund të konsiderohet ndryshe veçse si tallje.
Shqiptarët paguajnë taksa, por nuk marrin mbrapsht asgjë, as në ditët më të vështira. Janë paratë e shqiptarëve që shkojnë në xhepat e atyre që marrin përsipër të ndërtojnë rrugët me 20 milionë euro kilometri apo inceneratorë që nuk kanë funksionuar një ditë të vetme, me kosto prej 430 milionë eurosh.”
Xhixho tha se Bordi i Transparencës nuk u shërben qytetarëve dhe ngritja e çmimit në 2580 lekë të vjetra për litër e konfirmoi këtë.
“Kujt i shërben ky bord? Sepse është e qartë se qytetarëve shqiptarë nuk u shërben.
Fondi Monetar Ndërkombëtar e paralajmëroi këtë në raportin e tij më të fundit, pak ditë më parë. FMN rekomandoi zëvendësimin e Bordit të Transparencës me mbështetje të mirorientuar për të varfrit dhe shtresat e ekspozuara, me qëllim mbrojtjen e tyre nga efektet e rritjes së ҫmimeve.
Ashtu siç rekomandon FMN, shqiptarëve nuk u duhen borde që vendosin cili është çmimi tavan i momentit në bazë të interesit të njërit apo tjetrit klient të qeverisë. Një qeveri që vë para së gjithash interesin e vet dhe atë të një rrethi të ngushtë njerëzish, nuk u duhet aspak qytetarëve shqiptarë.
Më shumë se kurrë, sot na duhen vendimmarrje që u vijnë në ndihmë qytetarëve duke çuar para direkt tek ata, siç ka bërë Kosova dhe vende të tjera të rajonit dhe Europës. Ndërprisni pagesat e inceneratorëve, pronarët e të cilëve janë në arrati dhe në kërkim nga drejtësia dhe çoni lekët tek qytetarët që sot janë në mjerim.”