U katandis Rama në një ‘Felë’

0
136

Sa për moskeqkuptim fillestar fjala “felë” në dialektin e Shqipërisë së mesme përdoret për letraren “thelë”.

Çdo koincidencë tjetër është thjesht rastësi, megjithëse domosdoshmëria shpesh kalon nëpërmjet rastësive.

Dhe katandisja e Ramës në këtë pikë të refuzimit të projektrezolutave ndaj genocidit serb, nuk është aspak rastësi.

Akoma më shumë kur këto qëndrime përsëriten nëpërmjet gojës së Felajt, rastësia ka kapërcyer çdo logjikë. Tashmë gjithçka ka dalë e qartë.

Është një plan, strategji me shumë stacione, ndalesa, deklarata e qëndrime. Katandisje në një qëllim pastër e thjeshtë antikombëtar.

“Open Balkan” është diçitura e fshehjes dhe zhbërjes së historisë. Është një përpjekje për të dehumanizuar historinë e shqiptarëve dhe për t’i dhënë dominancën rajonale një ideologjie nacionaliste që nisjen e ka me “Naçertanien” dhe mbarimin kërkon ta vulosë me “Ballkanin e shqyer”.

Vitet e luftrave të ashpra dhe betejave të humbura serbe e përpjekjet e dështuara për shkëmbim territori, janë zëvendësuar tashmë me projekte hileqare rajonale, deklarata të stisura, takime me axhendë të paramenduar antishqiptare.

E kjo hedh paksa dritë në gjithë atë që i është servirur publikut për kaq kohë. “Provokacia” e Ramës në Beograd tanimë ngjan si skeç humori i regjizuar me nxitim aspak rastësor. Sikurse e tillë duket dhe vizita “patriotike” e para pak ditëve e tij tek Hashimi, për të cilin ngjan se Rama dhe Vuçiç ndajnë të njëjtin sekret.

Jo vetëm kaq.

Ato qeshin me të njejtën frekuencë tek shohin luftëtarët e UÇK-së të gjykohen për “krime lufte” ndaj masakruesve të popullsisë civile shqiptare. Ndërsa kënga e dashurisë “O sole mio” e Daçiç ngjan më shumë si himn tradhëtie miqsh sefte të rinj në bashkëpunim, se sa himn dashurie armiqsh të dikurshëm.

Dhe duket se dielli për serbët tani vërtet na ka lindur në Tiranë.

Refuzimi i Tiranës së Ramës për të dënuar krimet serbe dhe pranimi faktik nëpërmjet një simbolike të trishtë vizite tek një ish drejtues i lartë siç është Thaçi, të krimeve të shqiptarëve, të stisura e të supozuara nga propaganda serbe, tregon qartë që “Open Balkan” i tij është një rrugë turpi e poshtërimi që jo vetëm thjesht e nxjerr Serbinë në det, por i jep asaj mbi të gjitha kredencialet ndërkombëtare që të lajë para syve të gjithë botës njollat e gjakut në duart e saj.

“Open Balkan” eshtë qartazi një kalë troje i çështjes kombëtare dhe dëmton rëndë projektet e përpjekjet evropianiste të vendit dhe të Kosovës.

Akoma më e turpshme në katandisjen e Ramës në një felë, është tendenca dhe përpjekja për t’i dhënë refuzimit arbitrar të projektrezolutave ndaj genocidit serb, një tis ngjyrimi pro-amerikan.

Justifikimi refuzues në emër të proamerikanizmit majtist, për qënien në atë të Srebrenicës, të firmës së Berishës, ishte një hipokrizi e shkallës sipërore.

Rezolutat për Kosovën sot paraqiten njëherazi dhe me firmën e Berishës dhe me firmën e “opozitës” që ata vetë duan.

E megjithatë Rama në pakënaqësi e sipër nxorri Felajn të japë përgjigjen mospranuese.

Firma në rastin e parë ishte thjesht truk i shpikur. Ndërsa tani truku qëndron në vënien e deklarimit në gojën e një zyrtari të një niveli jo shumë të lartë brenda partisë e parlamentit, që shumë kollaj mund të interpretohet si qëndrim personal, varësisht nga reagimet e opinionit. Ajo që e bën megjithatë katandisjen t’i mbetet në dorë Ramës, është banaliteti militant i Felajt për të ruajtur të pacënuar “shpikjen” gjeniale të shefit:

Ballkanin e hapur, i cili duke u imponuar të mbivendoset për të mbuluar masakrat serbe ndaj shqiptarëve e boshnjakëve, sapo i ka hapur sytë publikut për përmasën e tij dëmtuese ndaj interesit kombëtar thelbësor të shqiptarëve.

Katandisja e Ramës në një copë tradhëtari të rëndomtë vazhdon bashkë me “Naçertanien” e tij ylberiste, “Ballkanin e hapur”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here