Nga deklarimi i dhuratave te kufizimet e punësimit, çfarë përmban Kodi i Etikës për funksionarët e lartë në arsim

0
97

Duke ditur nivelin e ekspozimit të zyrtarëve ndaj risqeve për korrupsion, Ministria e Arsimit ka hartuar një dokument, Plan Integriteti, i cili s’është veçse një paketë rregullash për mënyrën se si duhet të sillen funksionarë të lartë në MAS, nga ministri te drejtorët e përgjithshëm.

Plani i detajuar parashikon të përmbushet në harkun kohor të tre viteve. Do të jetë një person i brendshëm, në cilësinë e koordinatorit të integritetit, që në fund të çdo viti do të vlerësojë nëse institucioni ku bën pjesë i ka përmbushur detyrimet apo kryer detyrat siç duhet.

Dokumenti ofron një qasje për të luftuar korrupsionin dhe sjelljen joetike si dhe një sërë masash që frenojnë sjelljet korruptive brenda institucionit. Ekspertët që kanë hartuar dokumentin (nga MAS dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim) e shohin të nevojshme të ndërgjegjësojnë stafin për çështje të tilla si konflikti i interesave, etika publike, sinjalizimi dhe mbrojtja e sinjalizuesve dhe plotësimi i deklaratave të pasurisë nga zyrtarët publikë.

Për të krijuar atë që e cilëson si “standard të lartë sjelljeje”, MAS ka përcaktuar disa ndërhyrje. Së pari, hartimi i një Kodi Etike që të përfshijë rregulla për procesin e deklarimit dhe pranimit të dhuratave, përfitime të tjera të ngjashme, shpenzime të mbuluara na të tjerët dhe ngritja e një regjistri përkatës për këtë qëllim; rregulla për pranimin e donacioneve/sponsorizimeve, rregulla për veprimtaritë e jashtme dhe deklarimin e tyre; ndalimin e përdorimit të pasurisë dhe burimeve materiale të ministrisë për nevoja vetjake, rregulla për parandalimin e nepotizmit në punësim.

Rregulla për kufizimet e punësimit pas dorëzimit të detyrës për funksionarë të veçantë në institucion. Të gjitha këto vlejnë jo vetëm për aparatin e ministrisë, por edhe për zëvendësministrat, kabinetin, sekretarin e përgjithshëm dhe drejtorin e përgjithshëm. Për monitorimin në vazhdimësi të masave të këtij plani dokumenti kërkon medoemos caktimin e një punonjësi nga institucioni në cilësinë e koordinatorit të integritetit. Plani i Integritetit është një dokument antikorrupsioni për institucionin, që në thelb synon përmirësimin e standardeve të etikës si dhe zhvillimin e mjeteve që nxisin transparencën dhe llogaridhënien e ministrisë.

“Korrupsioni në arsim dhe mungesa e integritetit kanë një ndikim të madh negativ. Ato dëmtojnë cilësinë, efektivitetin dhe besueshmërinë e arsimit, efikasitetin e ofrimit dhe barazinë e mundësive për rininë që është pasuria më e madhe e çdo vendi”, citohet në dokumentin e firmosur në datë 26 prill dhe që për realizimin shtrihet në një periudhë tri vjeçare 2022-2025. Krahas Kodit të Etikës, MAS zotohet të rrisë numrin e punonjësve që marrin pjesë në trajnime apo programe të tjera të zhvillimit profesional e po ashtu edhe të përmirësojë transparencën dhe llogaridhënien, për të cilën thotë se e ka sfidë më vete.

ÇFARË PËRFSHIN KODI I ETIKËS

-Rregulla për procesin e deklarimit dhe e pranimit të dhuratave, përfitime të tjera të ngjashme, shpenzime të mbuluara nga të tjerët dhe ngritja e një regjistri përkatës për këtë qëllim.

– Rregulla për pranimin e donacioneve/sponsorizimeve dhe funksionimin e regjistrit përkatës.

-Rregulla për deklarimin nga ana e zyrtarëve të institucionit të takimeve me lobistë apo grupe interesi dhe ngritjen e funksionimin e një regjistri përkatës.

-Rregulla për veprimtaritë e jashtme dhe deklarimin e tyre.

-Ndalimi i përdorimit të pasurisë dhe burimeve materiale të ministrisë për nevoja vetjake. -Rregulla për parandalimin e nepotizmit në punësim.

-Rregulla për kufizimet e punësimit pas dorëzimit të detyrës për funksionarë të veçantë në institucion sipas përcaktimeve të Ligjit nr.9131/2003.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here