Kush janë ata që pyesin Berishën ‘hë, e mund dot Ramën?!”

0
181

Nga Alfred Lela

Sali Berisha, dhe ata që ndajnë me të idenë se opozita duhet bërë më e fortë, janë vazhdimisht nën trusninë që del nga një aks dysh: e mund dot “Amerikën” dhe, e mund dot Edi Ramën?!

Ky editorial do të rreket të trajtojë këtë të dytën, për t’u ndalur në një sprovë të mëvonëshme te e para. Të mundësh Ramën është, sigurisht, kërkesë dhe ekzigjencë e fashave elektorale ku përfshihet edhe Berisha me Partinë Demokratike, por ku nuk janë të vetmit. Ka shumë grupe shoqërore që e shohin si të pashëndetshme për Shqipërinë zgjatjen e së majtës në kanapenë e mandateve të pushtetit. Ka kritikë të Ramës dhe të Berishës që bëjnë pjesë këtu, por pjesa më e madhe, duhet thënë, vjen nga e majta apo që ka lidhje, në një mënyrë a tjetër, me pushtetin. Fut këtu edhe anti-berishistët klasikë, ndaj të cilëve Doktori mund të reagonte me thënien e Xhulio Andreotit ‘më fajësojnë për çdo gjë që nga Luftërat Punike’.

Në këtë rrafsh, pyetja ngulmuese “e mund dot Ramën?’ është e pandershme, si intelektualisht, ashtu dhe logjikisht. Intelektualisht sepse, ata që e bëjnë janë, që prej shtatorit, në një luftë të hapur politike dhe ligjërimore me Sali Berishën. Të njëjtët na thonin me thonjtë në fyt të fjalëve se Berisha nuk ka shans të fitojë; askush në Shqipëri (as botë) që del kundra “Amerikës” nuk mund të validohet elektoralisht; po fitoi Berisha më 6 mars do të bëj këtë e atë, e të tjera, e të tjera.

Çka ndodhi është se Berisha fitoi, duke i mundur, si ata që e kundërshtonin politikisht brenda partisë, ashtu edhe atë pjesë të komentariatit që vinte baste për 6 marsin, ku fitonte skuadra e Selisë së Blinduar dhe jo underdog-u i Shtëpisë së Lirisë. Por nuk është te pozicionimi ku gjendet pandershmëria intelektuale. Sekush ka të drejtë të mbajë anë dhe të argumentojë se pse është kundër këtij apo atij. Shmangia fillon kur ata e heqin veten nga beteja dhe bëjnë sikur nuk kishin gisht e as punë në të. Duke mos dashur të pranojnë se Berisha i mundi, kjo pjesë e politikës apo komentariatit politik, shpikin shpejt e shpejt një kundërshtar në formën e Goliatit, që është Edi Rama. Hë, David e mund dot Goliatin? pyesin ata si një tufë hirëzinjsh.

Harrojnë të thonë se, edhe besimi që kishin te Goliati tjetër “ambasadorja Kim” u ra po më 6 mars. Dalldia e tyre u çua dallgë kur Ambasadorja bëri statusin e famshëm me thirrjen që të votohej për kandidatët e Bashës. Publiku u përgjigj publikisht.

Ata që ndërtuan konstruktin humbës të Berishës më 6 mars, harrojnë logjikën e më kryesores. Deri në atë datë ish-kryeministri ishte i zënë në luftën me ta. Në të cilën provoi me aksion politik se e ka ai shumicën e mbështetjes në PD. Tani në rrugën e liderit të demokratëve qëndron beteja tjetër, që është vënia e rregullit në shtëpi, rindërtimi i konstruktit të lidershipit të ri të PD, që nga degët e rretheve e deri te organet qendrore.

Hapi i tretë, nuk ka si të jetë tjetër veç hapjes dhe shtrirjes në shoqëri. Berishës i duhet që, literalisht, t’a hapë Partinë Demokratike, edhe fizikisht, duke e futur atë në qytet dhe qytetin në të.

Sali Berisha ka lënë një parti të demoralizuar nga humbja dhe të konsumuar nga pushteti në 2013. Para pak javësh mori një parti të rënë dhe komatoze.

Do të vijë edhe koha e vërtetë e debatit ‘a e mund dot Ramën?’. Ata që e bëjnë prej mujash dhe tani këtë pyetje, duket se nuk janë më shumë se dëshmitarë të dëshirës që ai të mos e mundë kurrë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here