I vetmi në Ballkan “i pashqetësuar” nga armatosja e Serbisë/ Pse Edi Rama nuk i dënoi atentatet ndaj policisë në veri të Kosovës?

0
131

Shumëkush e nuhati në Prishtinë, Tiranë dhe Bruksel se incidenti i 15 prillit pranë kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, mund të kishte qenë fillesa e një lufte të vërtetë

 

 

Në orët e para të mëngjesit të 15 prillit, në komunën Zubin Potok, një komando e armatosur sulmoi me plumba kallashnikovi dhe granata dore efektivë të policisë së Kosovës. Tragjedia u shmang dhe fatmirësisht nuk pati viktima.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla e klasifikoi ngjarjen një “akt terrorist”. Në fakt, parë sfondin ndërkombëtar të këtij incidenti, nuk përjashtohet që ai të shërbente si shkëndija e një konflikti të armatosur mes shqiptarëve dhe serbëve në kufi. Autoritetet e Kosovës thanë se këto sulme “frymëzohen nga Beogradi”.

Incidentet u vlerësuan seriozisht dhe u dënuan nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti. Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, ambasada e Bashkimit Europian dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë reaguan publikisht të shqetësuar.

Reaguan dhe plotë të tjerë, si ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut dhe zyrtarë të Brukselit, të cilët janë të vetëdijshëm se atentate të tillë synojnë t’i fryjnë erërave të luftës.

Në Shqipëri, sulmet me armë i dënoi presidenti Ilir Meta, ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, ish-kryeministri Sali Berisha dhe përfaqësues të tjerë të opozitës.

I vetmi politikan i rëndësishëm që heshti, ishte Edi Rama.

Kjo nuk është hera e parë që kryeministri i Shqipërisë mban qëndrime apo më saktë, nuk mban qëndrime atëherë kur do të ishte e pritshme të kishte një reagim.

Gjatë vizitës në Berlin, javën e kaluar, ai u deklarua “i pashqetësuar” nga furnizimi i Serbisë me armë kineze.

Gjatë muajit prill, avionë transportues ushtarake kinezë kanë zbarkuar sistematikisht në aeroportin e Beogradit, duke vijuar furnizimin dhe zbatimin e kontratave mes dy ministrive të Mbrojtjes.

Megjithëse detajet e këtyre kontratave mbahen sekret, besohet se Serbia po pajiset me sistemin kundërajror kinez i quajtur FK-3.

Kosova ka qenë më e shqetësuara nga ky operacion.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ishte para pak ditëve në një intervistë “live” me gazetaren kryesore të CNN, Cristiane Amanpour dhe u shpreh e shqetësuar se Serbia mund të kërkojë të destabilizojë Kosovën dhe rajonin. Osmani u shpreh gjithashtu e shqetësuar nga stërvitjet ushtarake dypalëshe që Serbia zhvillon herë pas here me Rusinë dhe Kinën.

Në të njëjtën linjë ka qenë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai ka deklaruar se armatosja e Serbisë me armë kineze dhe ruse tregon që ajo mund të destabilizojë situatën.

Të njëjtin shqetësim ka ndarë edhe presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, i cili ka deklaruar se nuk e kupton pse një vend kandidat për në BE, si Serbia, po armatoset kaq fort.

Aktualisht, Serbia ka 42 baza ushtarake në kufi me Kosovën.

Dy vite më parë, Shtetet e Bashkuara e paralajmëruan zyrtarisht Serbinë që nëse blen sistemin antiraketor kinez HQ-22 mund të përballet me sanksione. Por, presidenti Vuçiç tha dje se Perëndimi nuk ka të drejtë t’i kërkojë llogari pse po blen armatim kinez.

Amerikanët dhe europianët kërkojnë që mbrojta ushtarake serbe të koordinohet dhe përshtatet me atë europiane, duke qenë se vendi është kandidat për anëtarësim dhe ka nisur negociatat me Bashkimin Europian.

I vetmi politikan që zyrtarisht është shprehur “jo i shqetësuar” nga armatosja e Serbisë me armë ruse dhe kineze është Edi Rama.

Rama përsëriti në Berlin se, nuk sheh arsye të jetë i shqetësuar pse Serbia po instalon një sistem antiraketor dhe përgëzoi qëndrimin e Serbisë në OKB në votimet për ndërhyrjen ruse në Ukrainë.

Në kohën që Prishtina, Ballkani dhe partnerët ndërkombëtarë janë të shqetësuar dhe kërcënojnë me sanksione, kryeministri i Shqipërisë i del në mbrojtje Vuçiçit. Deri diku mund të ishte e pranueshme që Edi Rama të heshtte dhe të mos prononcohej fare. Por, me alibinë skandaloze se “kemi të bëjmë me sistem mbrojtës”, kreu i qeverisë i jep një argument Vuçiçit përballë presionit ndërkombëtar. Jo vetëm kaq, por në mënyrë të përsëritur Rama mburr e lavdëron qëndrimin e Serbisë në OKB për çështjen e Ukrainës.

“Serbia bërë hapa jashtëzakonisht inkurajues në të dyja votimet në Kombet e Bashkuara dhe është realisht domethënës fakti që, deri tani Ballkani është bashkë në pozicionet ndaj Rusisë”, tha Rama në Berlin.

Eshtë e pakuptueshme pse në mënyrë të përsëritur kryeministri i Shqipërisë i thur lavde Vuçiçit, ndërkohë vetë presidenti serb u justifikua se “ishte gjendur në presion të jashtëzakonshëm ndërkombëtar për të votuar ashtu, por se marrëdhëniet me Rusinë janë vëllazërore”.

Në çdo dalje publike, presidenti i Serbisë përsërit rëndësinë e madhe që ka për atë dhe Serbinë, marrëdhënia e veçantë që kanë me Putinin dhe Rusinë.

Ndërkohë, Rama e justifikon dhe e mburr në mënyë të vazhdueshme për dy votime formale që s’kanë asnjë efekt konkret mbi “ariun rus”. Asnjë partner ndërkombëtar apo politikan tjetër nuk ka shprehur entuziasëm dhe nuk është mallëngjyer për “qëndrimin serb në OKB”. I vetmi që e ka bërë këtë, është shqiptari Edi Rama.

Pse ndodh kjo? A është Rama një profan diplomatik? Vështirë të besohet. Ai ka 9 vite kryeministër, ka eksperiencën e mjaftueshme për të mos bërë “gafa”. Dhe në fakt, qëndrimet e tij pro-serbe janë të përsëritura, ndaj s’janë gafa.

Po atëherë? A është Edi Rama një “argat i Vuçiçit” dhe antishqiptar e filoserb siç e akuzon Berisha dhe opozita? Këto janë akuza banale. S’ka asnjë provë që e bën Ramën “argat” të Vuçiçit.

Po, atëherë? Si shpjegohen qëndrimet e tij pro-Vuçiç që e dëmtojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare?

Gjithçka shpjegohet me pushtetin personal të Edi Ramës. Vitet e fundit, kreu i qeverisë ka tentuar të ngrejë një aureolë rreth vetes si “lider global” apo aktor i rëndësishëm rajonal. Ai flet gjithnjë e më shumë për pajtim dhe paqe mes “shqiptarëve dhe serbëve” duke bërë krahasime me kapërcim si ai mes Gjermanisë dhe Francës pas Luftës së Dytë Botërore.

Duke u hequr si aktor i rëndësishëm rajonal, Edi Rama tenton të shitet tek SHBA dhe BE si faktor stabiliteti, si njeriu që po mban në fre “politikanin që do t’i verë zjarrin Ballkanit, Sali Berishën” dhe të ngjashëm si ai.

Nuk dihet se sa sukses i ka patur karta politike e paqes Edi Ramës, por fakti është se deri tani ai ka marrë mbështetje të pakursyer amerikane.

Edhe teoria e tij “Open Balkan”, e njohur më parë me emrin “mini-Shengen” ka së paku 4 vite pa asnjë produkt konkret. Por, Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç e mbajnë gjallë këtë ide pa projekt, sepse u duhet të shiten si vizionarë dhe misionarë paqeje para amerikanëve dhe europianëve.

Duke i portretizuar kundërshtarët e tyre politikë si nacionalistë të pandreqshëm, Rama dhe Vuçiç po u shesin ajër amerikanëve, duke u thënë atyre se “vetëm ne mund ta mbajmë Ballkanin në paqe dhe stabilitet”.

Në fakt, të dy, këto vite kanë thelluar paligjshmërinë në vendet përkatëse, duke i bërë akoma më shumë jostabël shtetet e tyre.

Ndaj, qëndrimet “anti-kosovare” dhe “pro-serbe” të Edi Ramës nuk duhen kërkuar as tek “budallallëku dhe gafat” dhe as tek akuzat si “argat i Vuçiçit”.

Këto qëndrime janë thjesht produkt i ambicies së tij të shfrenuar për pushtet politik. Dhe ai e di, se pa “miratimin” e SHBA dhe BE ky pushtet mund t’i rrezikohet. Ndaj, ai e ka “përqafuar” fort Vuçiçin, sepse për karrierën e tij personale, presidenti serb ka më shumë vlerë se Albin Kurti, Vjosa Osmani, Ramush Haradinaj dhe Isa Mustafa të marrë së bashku. Fatkeqësisht, edhe më shumë se e gjithë Kosova, të cilën ai “po e sakrifikon” në altarin e “miqësisë shqiptaro-serbe” të Aleksandër Vuçiçit./gazetashqiptare

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here