Dokumentat/ Zbulohen edhe 27 milionë dollarë tendera të tjerë nga shteti për Klodian Zoton, strumbullarin e inceneratorëve

0
135

Thellohet skandali i inceneratorëve. Klodian Zoto, njeriu në kërkim për aferën miliona euroshe të inceneratorëve nuk merr para nga shteti vetëm për inceneratorët që paguhet ti ndërtojë dhe ti vërë në funksionim, por merr tendera edhe për landfille, vendosje të matësve të OSHEE-së, apo edhe ndërtim rrugësh

Dhe këto para publike që i janë dhënë Zotos nuk janë pak, por mbi 27 milionë dollarë.

Ishte Monika Kryemadhi ajo që, pas nxjerrjes së urdhër-arresteve nga SPAK mëngjesin e sotëm, doli në një konferencë për shtyp dhe nxorri fakte të reja për përfshirjen e strumbullarit të inceneratorëve në punë të tjera publike.

Nëse do ti bënim një përmledhje denoncimeve të Kryemadhit sot, kompania e Zotos “ITS” ka marrë 10.9 milionë dollarë për të ndërtuar landfillin e Vlorës, ka marrë 3.9 milionë dollarë nga ministria e Mjedisit, 1.25 milionë dollarë nga ministria e Mirëqënies Sociale, 8.7 milionë dollarë nga OSHEE dhe 2.37 milionë dollarë nga Bashkia e Rrogozhinës.

Në këtë rend u bënë dhe denoncimet e sotme. Ato rendinet më poshtë dhe listat apo kontratat e tenderave.

Për landfillin e Vlorës, Kryemadhi thotë se nuk është prezantuar publikisht.

“Në 27 prill të 2020, Klodian Zoto ITS ka marrë 9 milionë e 800 mijë euro për landfillin e Vlorës për të cilin deri më sot ne nuk kemi dëgjuar absolutisht asnjë gjë. Ka qenë e fshehur, e padeklaruar dhe e paprezantuar jo vetëm publikisht por edhe në aspektet e dokumentacionit.” – u shpreh Kryemadhi.

Më pas kryetarja e LSI-së, liston para publike që janë marrë nga ITS-ja e Zotos në kohë të ndryshme dhe institucione të ndryshme. (Me detaje tek fotot poshtë). 

“Në vitin 2016, ka marrë 1 milionë dollarë nga Ministria e Mjedisit, ndërtim i impiantit të pastrimit të grykëderdhjes së Lumit Shkumbin rikualifikimin e vijës bregdetare në Vilë Bashtovë, Rrogozhinë.

Ka marrë po ashtu 320 milionë lekë nga Bashkia Rrogozhinë, ka marrë po ashtu 650 milionë lekë nga Bashkia Rrogozhinë përsëri.

Ka marrë përsëri nga Ministria e Mjedisit 2 milionë dollarë.

Më e bukura ka marrë 6.7 milionë dollarë nga OSHEE për vendosjen e matësave.

Më pas, përsëri në 2017 ka marrë nga Ministria e Mjedisit rreth 900 mijë dollarë.

Ka marrë përsëri nga Bashkia Rrogozhinë 1.5 milionë dollarë.

Ka marrë përsëri nga OSHEE drejtoria rajonale e Tiranës ndërtimi rrjeti të ri shpërndarës 20KË, 2 milionë dollarë.

Ka marrë nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, 1 milionë dollarë për ndërtimin e bazës prodhuese të shkollës ‘Karl Gega’.

Dhë përsëri ka marrë 255 mijë dollarë përsëri nga Ministria e Mirëqeniës Sociale.” – shtoi Kryemadhi.

Monika Kryemadhi zbuloi se kompania e Klodian Zotos merret edhe me ndërtim rrugësh. Këtu ajo zbuloi një kontratë të ITS-së me kompaninë AlbStar që ka ndërtuar stadiumin “Air Albania”.

“Ka një kontratë në sipërmarrje me kompaninë ‘Alb Star’ merret dhe me ndërtim rrugësh. Dhe kjo përsëri është bërë në shtator të 2020. Ja ku janë dhe firmat e të dy kompanive.” – përmbylli Monika Kryemadhi denoncimin. Këtu vlera e kontratës është rreth 315 mijë dollarë.

Jo vetëm qindra miliona euro për ndërtimin e inceneratorëve që nuk janë ndërtuar, por për njëriun kyç të aferës 430 milionë euroshe jepeshin edhe miliona dollarë të tjerë nga pushteti. Ndërsa prej muajsh SPAK po godet pak nga pak këtë aferë, a do zbulohen të tjera afera, shkelje, apo tendera ku është e përfshirë mazhoranca në pushtet me Zoton e shpallur në kërkim? Kjo mbetet për tu parë.

Seriali i inceneratorëve po gris fasadën e një pushteti që kontrollon gjithçka dhe ndan gjithçka me pesë njerëz. Faktet e zbuluara sot se një kompani që fiton punët publike me shkelje skandaloze në fushën e djegies së plehrave, por edhe në atë të ndërtimit, edhe tek energjia elektrike e provojnë këtë më së miri. ©LAPSI.AL 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here