Jaka: Kostot në aktivitetet e biznesit nuk e mundësojnë rritjen e pagave

0
80

Kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka, tha se sipërmarrja konsiderohet në periudhë rikuperimi nga pasojat që krijuan tërmeti i nëntorit 2019 dhe pandemia dyvjeçare.

Po t’i shtojmë edhe krizën e rritjes së çmimeve, të gjitha së bashku janë kosto tepër të larta për biznesin, duke krijuar mjaft vështirësi dhe me ndikim në ekonomi.

Rritja e pagës në mungesë të programeve mbështetëse financiare, jo vetëm do të rriste barrën fiskale të biznesit, por edhe koston për kualifikimin e të punësuarve, tha ai.

A janë në presion bizneset nga punonjësit për rritjen e pagave, për shkak të rritjes jo të zakontë të çmimeve?

Për shkak të rritjes së çmimeve, natyrisht që bizneset kanë qenë dhe janë në presion nga kërkesat për rritje page. Pas mbi një viti zbatim të pagës minimale prej 30,000 lekësh, qeveria do të ndryshojë sërish nivelin e saj dhe do ta çojë në 32 mijë lekë. Edhe rritja e deklarimit të tavanit të të ardhurave, zerohet menjëherë tatimi për pagat deri në 40000 lekë;

Kështu, me pagën minimale që aplikohej deri më tani prej 30 mijë lekësh bruto, një i punësuar merrte neto 26.640 lekë, ku 3360 lekë nga paga shkonin për sigurime shoqërore dhe shëndetësore të paguara vetëm nga punonjësi, ndërsa punëdhënësi paguante 5010 lekë.

Me pagën e rritur në nivelin 32 mijë lekë bruto, një i punësuar do të marrë neto 28.416 lekë në muaj, dhe do të paguajë 3584 lekë kontribute, ndërsa pjesa tjetër, prej 5344 lekësh, paguhet nga punëdhënësi.

-DHTI-Tiranë, pa mohuar ndikimin pozitiv social të kësaj mase që ka ndërmarrë qeveria, do ta përshëndeste rritjen e pagës minimale nëse paketa e rezistencës sociale do të shoqërohej, njëkohësisht me një program financiar shumë serioz për mbështetjen e menjëhershme dhe afatmesme të sipërmarrjes, sidomos asaj prodhuese.

Nuk duhet të harrojmë, se sipërmarrja konsiderohet në periudhë rikuperimi nga pasojat që krijuan tërmeti i nëntorit 2019 dhe pandemia dyvjeçare. Po t’i shtojmë edhe krizën e rritjes së çmimeve, të gjitha së bashku janë kosto tepër të larta për biznesin, duke krijuar mjaft vështirësi dhe me ndikim në ekonomi.

Rritja e pagës në mungesë të programeve mbështetëse financiare, jo vetëm do të rriste barrën fiskale të biznesit, por edhe koston për kualifikimin e të punësuarve.

A kanë hapësira bizneset të aplikojnë rritje në kushtet kur produktiviteti i punës është në vendnumëro?

Çdo sipërmarrës do jetë i gatshëm dhe me prirje tepër sociale për rritjen e pagave, vetëm atëherë kur kemi rritje produktiviteti, rritje të eksporteve. Në situatën reale që ne po përjetojmë, nuk mendojmë se kemi hapësirat e duhura për rritje pagash.

Që nga maji i vitit 2020 dhe në vazhdim, ne kishim kërkuar nga qeveria një paketë të ndihmës së tretë për biznesin, duke propozuar masa konkrete, si rivendosja në afat e Garancisë Sovrane 1, që realisht ndihmon biznesin, një program me grante nga buxheti dhe për likuiditete financiare për rinovimin e kapaciteteve prodhuese mbështetja për programet e kualifikimit të punonjësve të rinj.

Sot që flasim, qeveria ende nuk u ka dhënë asnjë përgjigje kërkesave tona të përsëritura. Në mungesë të kësaj mbështetje financiare për sipërmarrjen, çdo kërkesë për rritjen e pagave, do ta vështirësonte mbijetesën e biznesit.

Produktiviteti nuk është në vendnumëro, por një pjesë e bizneseve tashmë po punojnë me humbje. Në kushtet kur për biznesin e madh ka rritje të çmimit të energjisë, lëndët e para të gjitha janë rritur, nuk flitet fare për normë fitimi dhe qëndrimin në vend madje do ta merrnim si pozitiv.

Sa për qind keni mundësi të aplikoni rritjen?

Nuk duam dhe nuk mendojmë të jemi kategorikë, secili nga sipërmarrësit bën kalkulimet e veta. Një gjë është e sigurt, bizneset janë dhe do jenë të prirë për rritjen e pagave të punonjësve të vet, atëherë kur janë realisht mundësitë financiare.

Nuk mund të flasim tani për përqindje rritje pagash. Shpresojmë që në të ardhmen e afërt, të kemi mundësi ta bëjmë këtë, nëse efektet e luftës nuk do të jenë të gjata.

Cila do të ishte forma më e përshtatshme për të amortizuar pasojat nga rritja e çmimeve në pragun e poshtëm të punonjësve me paga të ulëta?

Forma më e përshtatshme do të ishte, që paralelisht me paketën e rezistencës sociale të hartuar nga qeveria, është e domosdoshme përgatitja e paketës së mbështetjes financiare për biznesin, për të përballuar situatën e krijuar, për të mos ndërprerë zhvillimin e sektorëve të ekonomisë.

Marrë nga Revista Monitor/ https://www.monitor.al/jaka-kostot-ne-aktivitetet-e-biznesit-nuk-e-mundesojne-rritjen-e-pagave/?utm_content=buffera1a44&utm_medium=social&utm_source=facebook.com&utm_campaign=buffer&fbclid=IwAR2Ec1bYAoxMiRLmArn41Sjtnxq5aYk0BJwLakXCy4v26LDrslr4H0YorZI

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here