Arben Imami: Mbetjet e Bashës në PD tregojnë me qëndrimet e tyre se ai ishte ‘kolonë e pestë’

0
219

Ish-ministri demokrat, Arben Imami, tha në emisionin ‘Kontrast’ në Report Tv se SHBA nuk mund të ndërhyjë në çështjet e brendshme të partive politike në vendet e NATO-s. Ai tha se Enkelejd Alibeaj dhe pjesa tjetër e mbështetësve të Lulzim Bashës nuk kanë asnjë të drejtë morale që të kërkojnë largimin e Sali Berishës.

“Ky është një lloj sovraniteti. Ne kemi dhënë sovranitet aq sa kërkon organizata e NATO-s dhe kjo e fundit nuk merret me parti politike. Kjo është një çështje e kapërcyer prej muajsh. Është e vërtetë ajo që tha Berisha se sot Amerika është në një çështje relativisht të vështirë sepse demokratët dhe republikanët nuk kanë dhënë konsensus për shumë çështje të brendshme dhe të jashtme. Të gjithë faktorët strategjikë dhe gjeopolitikë tregojnë se ne në vitin 2013 kemi qenë në pozicionin e duhur” – tha Imami.

Ish-deputeti shtoi se gjithçka po ndodh këto orë në PD vërteton edhe një herë se Basha ka qenë një ‘kolonë e pestë’ brenda demokratëve.

“Marrëdhënia e Ambasadës Amerikane me Partinë Demokratike nuk është çështje e Yuri Kim ose jo. Palët do të komunikojnë si gjithmonë normalisht. Do takohen sekretarët e të tjerë sipas detyrave. Sot ka një vendim gjykate, ka një kundërshti. Ajo që nuk me çudit është që megjithëse  largua Basha, qëndrimet e asaj që ka mbetur në PD janë të njëjta me Bashën. Kjo tregon se Lulzim Basha është një vegël, një kolonë e pestë për të ruajtur brenda PD-së vlerat antidemokratike. Këtë po përpiqen të bëjnë dhe pasuesit e tij. Sepse nëse ne mendonim që e shkaktonte Basha këtë situatë, ja ku jemi që pasuesit po bëjnë të njëjtën gjë. Nuk pranohet mendimi i themeluesve, i qëndrestarëve dhe vendimi i gjykatave. Ajo që më ka bërë përshtypje është që këta marrin përsipër të gjykojnë ç’është e mira dhe ç’është e keqja. Në 18 dhjetor demokratët votuan në një referendum masiv. Alibeaj kërkon të më bindë mua se duhet të ikë Berisha dhe të qëndrojë ai”, deklaroi ish-ministri demokrat i Mbrojtjes për ‘Kontrast’ në Report TV.

Arben Imami u ndal edhe në politikën e jashtme të Shqipërisë, kryesisht në marrëdhëniet me fqinjët. Ai komentoi Ballkanin e Hapur teksa tha e ky i fundit është një koncept ideologjik që në fund synon rivendosjen e hegjemonisë serbe në rajon.

“Bashkëpunim në Ballkan është i domosdoshëm. Politika ndërkombëtare midis vendeve edhe sikur të jenë komunistët në krye, është tërësisht konservatore. Por në emër të një bashkëjetesë s’kemi pse të kapërcejmë koncepte që na bëjnë të ndryshëm. Teoria e Ballkanit të Hapur është ideologjike dhe synon vendosjen e hegjemonisë serbe në rajon, gjë që ka dështuar për problemet serioze që shkaktoi në shekullin e kaluar” – tha Imami.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here