Stabilizohet kursi/ Ndërhyn Banka e Shqipërisë për të shuar “shkëndijën” që ndezën importet e energjisë

0
136

Pas një rritjeje të fortë për një javë me radhë, kursi i këmbimit të euros u stabilizua duke filluar nga pasditja e ditës së martë.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u tregtua të mërkurën me 124.7 lekë, në rënie me 2.4 lekë nga dita e djeshme. Burime nga tregu bëjnë të ditur se qysh të martën Banka e Shqipërisë ka nisur operacione të shitjes së valutës, me qëllim për të frenuar mbiçmimin e fortë të euros dhe për të qetësuar tregun që kishte hyrë në një fazë paniku.

Besohet se banka qendrore ka shitur në operacione të veçanta për të mbyllur pozicionet e disa bankave të mëdha të sistemit, që kishin plotësuar nevojat e OSHEE në ditët e fundit.

Agjentët e këmbimit shprehen se “shkëndija” që ndezi situatën e panikut në kursin e këmbimit valutor kanë qenë blerjet e mëdha të realizuar nga kompanitë e grupit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSHE), sidomos në pjesën e dytë të javës së kaluar.

Me shtrenjtimin galopant të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare, edhe fatura e importeve të nevojshme për të mbuluar nevojat e vendit është rritur shumë. Kjo krijoi një situatë shqetësuese në treg, ku madje biznese të veçanta nuk arrinin të siguronin sasitë e nevojshme të euros që iu nevojiteshin për aktivitetin e tyre.

Në situata të tilla, pritshmëritë për forcim të euros sjellin shtrëngim të ofertës, sepse ata që kanë euro priren t’i mbajnë, në pritje të një mbiçmimi të mëtejshëm.

Nga ana tjetër, kërkesa rritet, sepse pritshmëria për forcim i shtyn subjektet që kanë nevojë për këtë valutë që të blejnë sa më parë që të jetë e mundur.

Ekspertët shprehen se, edhe për shkak të përmasave të vogla të tregut, mjaft pak transaksione blerjeje në vlera të mëdha për të ndikuar balancat e tregut. Një faktor tjetër mund të jetë fuqia e lartë e tregut e aktorëve të veçantë, që në situata të tilla mund të kenë aftësinë ta mbajnë kursin artificialisht të lartë për periudha të shkurtra kohore.

Në dy muajt e fundit të vitit të kaluar, nevojat e OSHEE për valutë u mbulua kryesisht nëpërmjet kredive të marra direkt në euro nga bankat tregtare. Në këtë mënyrë, blerjet e energjisë nuk krijuan trysni të shtuar në kursin e këmbimit valutor.

Por, së fundi këto kompanie kanë siguruar valutën e nevojshme për blerjen e energjisë duke e blerë atë në tregun e brendshëm.

Megjithëse është e vështirë të përcaktohet shifra e saktë e blerë nga OSHE, duke pasur parasysh vlerat e mëdha të kredive të vitit të kaluar dhe çmimet e shtrenjtuara të energjisë, është e qartë se bëhet fjalë për vlera mjaft të mëdha, në disa dhjetëra milionë euro.

Këto blerje ishin faktori që prishi balancat e tregut, duke krijuar pritshmëri të njëanshme në kahun e nënçmimit të lekut. E gjithë kjo situatë shkaktoi një mbiçmim të shpejtë të euros, me rreth 4.7% në një javë. Ditën e djeshme euro arriti nivelin e 127.08 lekë, më i lartë i shënuar në dy vitet e fundit.

Kjo e rriti akoma më shumë kërkesën për euro në treg dhe çoroditi agjentët e këmbimit valutor. Spread-et ose marzhet mes kursit në blerje dhe kursit në shitje janë treguesi kryesor që dëshmon një pasiguri të shtuar në treg.

Gjatë ditëve të fundit, spread-et e rritën me disa herë dhe shënuan nivele që nuk regjistroheshin prej pothuajse 20 vjetësh.

Nëse për pikat e këmbimit valutor spread-i në kohë të zakonshme është në intervalin e 0.7-0.8 pikë, ditën e djeshme ky spread arriti deri në pesë pikë.

Për momentin, ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë e ka frenuar panikun dhe e ka qetësuar tregun. Por, është e qartë se importet në vlera të mëdha dhe sidomos ato të lidhura blerjen e energjisë elektrike ngelen një faktor serioz risku për stabilitetin e kursit të këmbimit.

Ministrja e Energjisë paralajmëroi dje se ky është një vit me prurje të ulëta të burimeve hidrike dhe nevoja për importe të energjisë do të ngelet e lartë. Sipas saj, çmimet e energjisë elektrike nga importi janë dhjetëfishuar krahasuar me një vit më parë dhe situata e tensionuar në Ukrainë ka krijuar pritshmëri për një rritje të mëtejshme./Monitor

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here