Lideri historik i demokratëve, Sali Berisha gjatë një takimi me banorët e Shënavlashit në Durrës, ku ka prezantuar kandidatin e ‘Shtëpisë së Lirisë’ Ardian Muka, është shprehur se vendi po shkretohet.
Berisha tha se, qeveria po e vret përditë shpresën tek shqiptarët, dhe ata ikin e Rama është i kënaqur, pasi të gjithë ata që ikin votojnë kundër tij.
‘Në tre ditë kam pasur rastin të jem në Myzeqe, në zonën e plazhit, Maqellarë, Kala e Dodës, te hidrovori dhe çfarë gjej: vendi po shkretohet. Një demokrat më thotë se nëse për 6 muaj nuk gjej punëtor, unë do ta mbyll serën time.
Situata ekonomike është rënduar shumë nga Dibra në Durrës, isha në Kalanë e Dodës e ata janë njerëz jashtëzakonisht punëtorë. Nga 13 mijë kokët e imëta, tani kishin mbetur 2 mijë e ca të imta. Nga 8 shkolla, tani kishim mbetur 2 shkolla. Vendi po shkretohet. Po ikën rinia, po ikin fëmijët në rrugët e pasigurta, të botës dhe prindërit po mbetin vetëm.
Jo se këto zona nuk kanë kushte, por sepse një regjim, qeveri, kryeministër, vret çdo ditë shpresën tek shqiptarët. Ua bën vendin të pashpresë dhe është i kënaqur që largohet, sepse e di që vota e tyre është kundër tij’, – tha gjatë fjalës së tij, lideri historik i demokratëve, Sali Berisha.