Strazimiri: Shqipëria është kthyer në një tokë të mbrojtur të narko-trafikantëve

0
87

Tri vite pas miratimit të ligjit, vetingu në polici është pezulluar për shkak të zvarritjeve dhe vonesave. Komisioni i Jashtëm i vlerësimit që ka dhënë deri tani vetëm 57 vendime pritet të shkrihet dhe kontrollin e punonjësve të policisë pritet ta bëjë SHÇBA. Efektivat e kësaj strukture do të marrin atributet për të kontrolluar punonjësit e policisë vetëm pasi ta kenë kaluar vetë këtë proces.

Ish-zëvendës ministri i Brendshëm, njëherësh anëtar i Komisionit të Rithemelimit, Gent Strazimiri në një intervistë për Ora News me gazetarin Arnold Kariqi u shpreh se vetingu në polici ka qenë një proces i motivuar politikisht dhe pa asnjë bazë substanciale apo qëllime për të pastruar policinë e shtetit nga personat e korruptuar.

Strazimiri: Vetingu në policinë e shtetit është krejtësisht i panevojshëm sepse secili prej punonjësve të policisë kanë një dosje në SHÇBA dhe ndiqet vazhdimisht 24 orë në ditë. Procesi ka qenë propagandistik. Janë akrobaci propagandistike që vetëm partia e punës mund t’i bëjë. Janë instrumente të vjetëruara dhe të leckosura dhe vetëm me të ardhmen e policisë së shtetit nuk kanë të bëjnë. Janë 128 drejtues të lartë të policisë së shtetit që në vitin 2015, 2016 janë akuzuar me informacion nga Shërbimi Sekret shqiptar si të përfshirë në trafikun e drogës në përmasa mega-galaktike. Nga ata do duhej të kishte filluar procedimi penal dhe pastrimi i policisë së shtetit. Ata vendosën që për të mbuluar këtë skandal ta kalojnë me sa duket me këtë gjetjen propagandistike të vetingut të policisë. Është bërë në mënyrë jo transparente, jo ligjore dhe përfundimi është qesharak.

Ardhja e Gledis Nanos në krye të policisë së shtetit solli një rifreskim të strukturave në qarqe, por askush nga xhaketat e vjetra nuk u lëviz nga detyra që mbanin. Zoti Strazimiri tregoi arsyen pse këta drejtues janë “të paprekshëm.”

Strazimiri: Ata që nuk i kap as vetingu dhe nuk i lëviz as ministri dhe as drejtori i përgjithshëm i policisë janë bërë për të pasur një polici që të mbronte trafiqet e qeveritarëve, jo për të mbrojtur ligjin dhe rendin në Shqipëri. Ata janë rekrutuar vetëm politikisht, nuk janë rekrutuar në bazë të rezultateve.

Krimet pa autor

Strazimiri: Ky vend është kthyer në një tokë të mbrojtur të narko-trafikantëve të kokainës, jo të çdolloj narko-trafikanti. Organizatat e kokainës janë jashtëzakonisht të përgjakshme dhe lëvizin vetëm me një garanci politike shumë të lartë. Nuk është garanci që mund t’ia japë një drejtor i përgjithshëm policie apo një ministër, është një garanci shumë e lartë. Policia nuk është e paaftë, është e pafuqishme. Fuqinë policisë ja kanë marrë politikanët që drejtojnë sot vendin, që përfitojnë nga paratë e narko-trafikut, që financoijnë fushata me paratë e narko-trafikut. Në një situatë të tillë, policia edhe sikur të mos ishte e rekrutuar politikisht do të ishte e pafuqishme. Fuqinë ja kanë marrë politikanët që ekzistojnë për shkak të krimit. 

Strazimiri tha se policia është krejtësisht e pafuqishme dhe e pamotivuar edhe kur i kapin partnerët. Për Strazimirin, vendi ynë është një shtet mafie dhe policia ka vendosur të heshtë përballë mafies dhe politikës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here