Epidemiologu Ilir Alimehmeti, shprehet se qytetarët që kanë kaluar, apo po kalojnë Covid-19 kanë abuzuar shumë me antibiotikët, duke thënë vetëm 8% e të infektuarve me Covid-19 në mbarë botën kanë pasur nevojë të trajtohen me antibiotikë.
Në një intervistë për “Abc Live” epidemiologu thotë se në rang global kanë marrë antibiotikë 76% e pacientëve me Covid, që do të thotë se për 68% të rasteve antibiotiku nuk ka qenë i nevojshëm.
“Rreth 8% e pacientëve kanë pasur nevojë për antibiotikë në mbarë botën, sipas studimeve.
Por 76% e pacientëve kanë marrë antibiotikë. Ata kanë efekte anësore qoftë afatgjata, qoftë afatshkurtra. Nuk bën sens ta marrësh pa e pasur nevojë. 68% nuk kanë pasur nevojë për antibiotikë”, u shpreh Alihemehmeti.
Më tej epidemiologu analizon rastin e Shqipërisë.
Ai thotë se të infektuarit në vendin tonë marrin antibiotikë pa kriter në farmaci, pa recetën e mjekut dhe se konsultohen me disa mjekë njëkohësisht, gjë që i vë ata në dilemë, se cili trajtim është më i miri për ‘ta.