Rritja e papunësisë, Euronews: Shqipërisë i largohen të rinjtë dhe mbushet me punëtorë nga Bangladeshi

0
92

Shumë të rinj shqiptarë e shohin largimin nga Shqipëria si të vetmen mundësi për një të ardhme më të mirë. Më shumë se 20 për qind e të rinjve janë të papunë, por numri mund të jetë edhe më i lartë. Paga mesatare në Shqipëri është 460 euro në muaj. Të rinjtë ankohen se në vendin e tyre ka shumë pak dhe rrallë gjen punë të paguara mirë sidomos për të kualifikuarit, prandaj duan të shkojnë në vendet e Bashkimit Evropian.

“Nuk mund të gjej një punë që përputhet me diplomën time. Mendoj se po të shkoja jashtë vendit do të gjeja diçka të përshtatshme”, shprehet për Euronews, inxhineri i agro-mjedisit, Deni Comora.

Më shumë se 600 mijë shqiptarë janë larguar nga vendi që nga viti 2016, shumica prej tyre janë të rinj.

Nga ana tjetër, Shqipëria tërheq edhe imigrantë që kërkojnë të punojnë në vendin tonë, siç janë ata nga Bangladeshi, India dhe Pakistani.

Ata marrin një pagë minimale edhe më të ulët, 300 euro në muaj dhe akomodim falas.

“Unë fitoj pak më shumë se 10 euro në ditë. Ka më shumë punë se në Indi, por më mungon familja ime, vendi im”, thotë Ajmer Bhullar, punëtor indian.

Investitorëve u pëlqen të vijnë në Shqipëri sepse krahu i punës është më i lirë. Qeveria mbështet krijimin e vendeve të tilla të punës, por ekonomistët e konsiderojnë këtë politikë dritëshkurtër.

Minierat, bujqësia dhe ndërtimi, me pak nevojë për punë të specializuar, kjo është ekonomia shqiptare. Dhe kjo është kryesisht për shkak të korrupsionit këtu në Shqipëri. Prandaj të rinjtë e talentuar dhe ambiciozë po largohen nga vendi”, thekson ekonomisti Endrit Yzeiraj.

Falë punëtorëve që ofrojnë krah të lirë pune kompanitë shqiptare nuk kanë asnjë nxitje për t’u modernizuar apo për të kaluar në produkte me vlerë më të lartë. Në të kundërt, të rinjtë shqiptarë të motivuar dhe të kualifikuar do të kishin një arsye për të qëndruar. Pra, alternativa e tyre e vetme është të shkojnë në vendet e Evropës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here