Nga Gëzim Saliu
Që nga marrja e detyrës si kryetar i Partisë Demokratike në verën e vitit 2013-të e deri më sot, Lulzim Basha nuk e ka treguar asnjëherë veten si demokrat. Ai nuk diti ose ndoshta nuk deshti të atashohej pas traditës së kësaj partie, nuk arriti të gjente kurrë çelësin e lidhjes së ngushtë që duhet të ekzistojë mes kryetarit dhe anëtarësisë. Gjithnjë mes tyre ka ekzistuar një distancë fatale, e cila fatkeqësisht për Lulzim Bashën, doli zbuluar me Foltoren.
Para lëvizjes së doktorit, këtë ngrirje mes tij dhe anëtarësisë e shihnin vetëm ata që ishin në prapaskenë e jo publiku i gjerë. Në çdo takim që zhvillonte me bazën, mungonte ai entuzaizmi tipik i pritjes së një lideri partie. Te Berisha ky aspekt nuk ka munguar kurrë. As te Rama për të qenë të sinqertë e më parë as te Meta.
Bashës i ka munguar që në gjenezën e tij në politikë, karizma, sjellja prej lideri, gjë e cila nuk mund të dhurohet sic merr karrigen e kryetarit, por vetëm fitohet ose është e lindur.
Në ditët e sotme, ura e thellë që ndan Bashën me anëtarësinë ka dalë në sipërfaqe dhe sic thotë populli: ‘nuk mund ta mbulosh diellin me shoshë’.
Lulzim Basha përtej aftësive të munguara të liderit, në këto 8 vite si kryetar i PD-së ka vërtetuar para shqiptarëve se gjithashtu është një politikan i dështuar në betejat politike. Ai nuk arriti kurrë të sjellë një fitore në kampin e demokratëve gjatë këtyre viteve.
Jo vetëm kaq, por me vendimet e tij bëri atë që edhe armiku më i madh i PD-së nuk do ta kishte menduar kurrë; dogji mandatet e deputetëve të opozitës duke i lënë fushë të lirë Edi Ramës në Parlament.
Më tej akoma, pazari më ekselent i Bashës pas 17 Majit 2017 është padyshim bojkoti i zgjedhjeve vendore 2019-ës. Për herë të parë pas 30 vitesh la demokratët pa përfaqësim në asnjë pushtet, as qendror e as lokal. Kjo ndoshta është ‘merita’ më e madhe e Lulzim Bashës si kryetar i PD-së.
E ndërsa sot duhej të kishte qenë dita, e vetmja ditë ndoshta në karrierën e tij politike, kur Lulzim Basha duhej të merrte mbi supe përgjegjësitë që i takojnë. Nuk i mori as kur zhgënjeu demokratët me çadrën, as kur u përbetua me jetën e tij se shtëpitë e banorëve të Astirit nuk do prishen, as kur foli për vijë te kuqe për shembjen e Teatrit Kombëtar e aq më pak kur humbi zgjedhjet në mënyrë të përsëritur.
Por sot Basha duhej të reflektonte e ta vinte veten përballë çdo demokrati.
Me votimi të fshehtë, 4446 delegatë të Kuvendit, nga 4934 të pranishëm, votuan pro shkarkimit të Lulzim Bashës. Kujtoj se Kuvendi Kombëtar ka gjithsej 7600 anëtarë dhe nga votimi i sotëm, dukshëm më shumë se gjysma e tyre kanë shprehur vullnetin për shkarkimin e Bashës si kryetar i PD.
A ka akt më të rëndë për një kryetar partie që palca e PD-së, sic janë delegatët e Kuvendit Kombëtar, të votojnë në shumicë dërrmuese për shkarkimin e tij?! Çfarë pret më shumë Lulzim Basha? Cila duhet të jetë shenja që të kuptojë se për shumicën e demokratëve është i padëshiruar si kryetar partie?
Të paktën sot Lulzim Basha duhet të kishte ndërmarrë aktin më të rëndësishëm të jetës së tij politike, duke u dorëhequr me aq nder sa mund të ketë një akt fundor, nga karrigia që mban me pahir. Ndoshta edhe pse vonë, ky veprim do të vlerësohej nga demokratët. Ndoshta rrugën e rikthimit në parti do ta kishte më të lehtë.
Përkundrazi, veprimet hakmarrëse të Bashës me krerët e degëve, menjëherë pas shkarkimit me votë të fshehtë nga delegatët, vërtetojnë edhe një herë se kryetari në detyrë nuk ka prioritet PD-në por pazaret me kundërshtarin, në favor të interesave të tij dhe njerëzve të ngushtë rreth vetes.
Prandaj edhe i duhet në vazhdim ky post Lulzim Bashës; prandaj edhe nuk pranon të shohë me sy realitetin ku e ka zhyt partinë; prandaj edhe nuk njeh shumicën dërrmuese të demokratëve që i kanë dalë kundër; prandaj i quan ata ‘llum’ e ‘pijanecë’.
Ka hallin e karriges, pa të humbet pazaret.
Por sot Lulzim Basha e di mjaft mirë brenda vetes se ka humbur çdo legjitimitet për të mbajtur karrigen e kryetarit të partisë. Ndaj reflektimi, edhe pse me vonesë të skajshme, duhet të ndohë sa më parë. Pasi edhe durimi i demokratëve ka një kufi!