Eurostat: Qëndrimet e turistëve në Shqipëri u afrohen niveleve të para krizës, rikuperimi më i shpejtë në Europë

0
85

Turizmi po i rikthehet gradualisht niveleve të para krizës në të gjithë Europën, ndonëse nuk i ka arritur ende nivelet e 2019-s.

Eurostat raportoi se në Shqipëri, për 6-mujorin e parë të vitit, u regjistruan gjithsej 719 mijë net qëndrime, më se dyfishi në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur vendi po vuante pasojat e pandemisë.

Në krahasim me të njëjtën periudhë të 2019-s, net-qëndrimet për 6-mujorin e parë mbeten gati 11% më të ulëta. Megjithatë maji dhe qershori ishin më pozitivë, duke rezultuar rreth 8% më pak sesa nivelet e parakrizës.

Për shkak të hapjes së shpejtë të vendit dhe lehtësimit të masave, turizmi në vend rezulton më pak i goditur se në vendet e tjera të rajonit dhe me mesataren e Bashkimit Europian. Sipas Eurostat, net-qëndrimet e turistëve në Maqedoninë e Veriut për 6-mujorin e parë të vitit ishin 57% më të ulëta në krahasim me janar-qershor të 2019-s. Për Serbinë, shifra në të njëjtën periudhë është 31% më pak dhe për Turqinë 42% më pak sesa parakriza. Të dhënat për Kosovën dhe Malin e Zi nuk janë të plota.

Për 27 vendet e Bashkimit Europian, net-qëndrimet në akomodimet turistike në 6-mujorin e parë 2021 ishin gati 70% më të ulëta në krahasim me janar-qershor të 2019-s. Tkurrja më e lartë nga vendet e BE-së, me më shumë se 50% u shënua në Bullgari, Gjermani, Danimarkë.

Suedia, Norvegjia, Islanda, Mbretëria e Bashkuar raportuan rënie më të ulët se 50%. Net-qëndrimet në Itali u tkurrën me 68% në raport me parakrizën, sipas të dhënave të Eurostat, të përpunuara nga Monitor.

Turizmi në të gjithë botën ishte më i godituri nga pandemia, megjithatë Eurostat raportoi se ka pasur shenja rigjallërimi në verën e vitit 2021 në shtetet e Bashkimit Europian. Gushti 2021 tregoi shenjat më premtuese të rimëkëmbjes në raport me shifrat para COVID-it për sa i përket numrit të netëve të kaluara në institucionet e akomodimit turistik në BE, të tilla si hotele, njësi pushimi dhe akomodime të tjera me qëndrim të shkurtër, dhe kampingje.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here