Deputeti i Partisë Demokratike Belind Këlliçi, i ftuar në studion e lajmeve të Fax News, ka folur në lidhje me procesin e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar të PD-së, që sipas tij do të kthente në shinat e duhura demokracinë e brendshme.
Këlliçi tha se PD nuk mund të jetë peng i artificave, sa kohë që vullneti i anëtarëve të saj është që Kuvendi të mblidhet, dhe në momente krizash besimi, çdo kryetar duhet të testohet me votë. Në rast se ai e ka humbur shumicën duhet të largohet, pavarësisht se mund të jetë zgjedhur në Qershor në krye të Partisë, siç është dhe rasti i Lulzim Bashës.
Sipas Këlliçit verifikimin e firmave duhet ta bëjë vetë Kuvendi Kombëtar i PD-së, duke ngritur një komision të verifikimit të mandateve.
“Firmat janë aty, të depozituara në zyrën e Kryetarit të Këshillit Kombëtar, që është pozicioni më i lartë, edhe se zoti Bardhi. Të refuzosh të shkosh firmat që janë 10 metra larg, për mua kjo nuk është normale. Tallje me PD është që të mos lejosh delegatët e Kuvendit që të mbledhin Kuvendin. Nuk ka asnjë porosi nga amerika që të mos mblidhet Kuvendi, këtë ta harrojnë.
Të pengosh mbledhjen e këtij Kuvendi në moment krize për mua e dëmton Partinë Demokratike. Nuk është një Kuvend i zakonshëm, ky është një Kuvend i jashtëzakonshëm, ne sot po flasim për një Kuvend të jashtëzakonshëm.
Ka një komision verifikimi mandatesh në Kuvend, e ka kryetari përgjegjësi statuore që ta ngrejë këtë Komision. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë është vetë Kuvendi që zgjedh komisionin e verifikimit të mandateve. Nëse janë më shumë se 50% e anëtarëve të Kuvendit, atëherë çdo vendim që merret aty është i ligjshëm, mund të ketë një numër të pakufizuar vendimesh.
Nuk mund të mbahet PD me artifica, fryma janë njerëzit, nëse nuk kuptojmë krizën ku jemi, ne e kemi humbur kuptimin tonë politik, mbase jemi të aftë të punojmë në ndonjë ministri, por nuk mund të ngjallim besimin te demokratët.
Në këtë mënyrë i bie që ne të mos kemi asnjëherë mocion besimi apo mosbesimi. Zoti Basha është zgjedhur kryetar në Qershor, jam dakord, por në momentin që ka një krizë besimi, duhet të shkojmë dhe të testohemi me votë.
Nuk di tiu them çfarë do të ndodhë pas 11 Dhjetorit”, u shpreh Këlliçi në ekranin e Fax News.