Çfarë e detyroi Bashën të ndryshonte mendim për SPAK-un?! Nga ‘drejtësia e kapur’ te ajo që i besohet vettingu i politikanëve!

0
107

EDITORIAL

Që pas përjashtimit nga votimi i 7 ligjeve bashkëshoqëruese të paketës së ndryshimeve për reformën në drejtësi në 2016-ën, opozita ka shprehur akuza të ofrta për ecurinë e reformës në drejtësi. Shpeshherë vetë Basha por edhe përfaqësues të PD-së kanë folur për kapjen e reformës nga kryeministri, duke paraqitur edhe shembuj, dokumenta apo emra lidhur me këto akuza. Në kushtet e këtij qëndrimi kritik ndaj reformës, i cili ka qenë konsistent që nga 2017 e deri më sot, deklarata e sotme e Bashës nga selia e PD-së duket më sa paku me dy standarde.

Kur Basha prezantoi sot paketën e PD-së për ndryshimet kushtetuese tha se vetingu në politikë është një nismë e rikthyer në Kuvend, në përputhje me rekomandimet e bëra nga Komisioni i Venecias në vitin 2018. Ai shtoi se këtë proces duhet ta kryejë një njësi e posaçme brenda vetë Strukturës së Posaçme Antikorrupsion dhe Krimit të Organizuar. “Respektojmë edhe kërkesën për proporcionalitet, duke kërkuar që këtë proces ta kryejë një njësi e posaçme e SPAK. Të marrë përsipër evidentimin një për një të çdo deputeti, kryetari bashkie, ministri, kryeministri, kreu të shtetit dhe krerët e institucioneve të tjera të pavarura për lidhje të papërshtatshme, pasuritë dhe ligjshmërinë e tyre në lidhje me personat vetë, familjarët e tyre dhe ortakët e tyre”, tha Basha.

Që kur Basha dhe PD ka nisur të besojë te reforma në drejtësi përderisa i beson SPAK detyrën e rëndësishme të vettingut të politikanëve? Ku shkuan akuzat e Bashës ndaj drejtësisë së re, madje ndaj vetë SPAK dhe kreut të tij? Nëse kryedemokrati ka humbur memorien po ja rikujtojmë: “Çfarë bëni ju, thirrja për SPAK, zotërinj ju inkurajoni vjedhjen, hajdutërinë, bashkëpërgjegjës që shqiptarët nuk po marrin masat lehtësuese kanë 3 javë e një ditë që po i përsëris ditë për ditë. Sot është koha të hapni gojën, dhe të kyçni në pranga anëtarët e grupit të strukturuar kriminal, pasi shqiptarët nuk po marrin dot lekë e tyre edhe pse paguajnë taksa.”– pohonte Basha fiks një vit më parë duke ju referuar SPAK-ut për tu vënë në lëvije ndaj anëtarëve të qeverisë “Rama2”.

Në një tjetër pohim pak kohë më parë, Basha theksonte: “Në Shqipëri mbizotëron heshtja e SPAK dhe afera e inceneratorëve. SPAK, gojëkyçur pa asnjë veprim në hetim të aferës së inceneratorëve.  Z. Kraja, jeni të mbrojtur ndërkombëtarisht për të dënuar politikanët, jo për t’i mbrojtur. Z. Kraja, çfarë ju pengon të hetoni aferën mafioze të inceneratorëve?! Z. Kraja, çfarë ju pengon të hetoni aferën mafioze të inceneratorëve. Z.Kraja dhe të nderuar prokuror, tregojani shqiptarëve: A keni nisur hetimin për këtë aferë?”

Cfarë ka ndryshuar sot te Basha që beson se SPAK do kryejë si duhet detyrën dhe do marrë përsipër të hetojë politikanët që nga kryeministri, ministrat e ish-ministrat e deri te opozitarët? Ky qëndrim me dy standarde i Bashës vjen pikërisht në kohën kur situata brenda partisë Demokratike është tejet në disfavor të tij. Pasi mori vendimin antistatuor për përjashtimin e Berishës nga PD, ku thuhet se pas tij qëndron një pazar i fshehtë me kryeministrin i dakordësuar edhe nga disa ndërkombëtarë, Basha ka nisur të ndryshojë mjaft nga qëndrimet e tij. Tani, ato që cilësoheshin si armiq janë kthyer në miq. Të tjerë që u quajtën bashkëpuntorë të vyer, sot po atakohen si armiq.

Tani Basha duhet të ndajë mendjen: ose reforma në drejtësi ka ecuri pozitive dhe akuzat e tij gjithë këto vite kanë qenë ‘fake’ ose ‘drejtësia e re’ ka qenë dhe vazhdon të jetë në duart e kryeministrit, sic ka pohuar vetë Basha që nga fundi i vitit 2016 e deri para pak marrjes së vendimit për përjashtimin e doktorit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here