“Divorci” pa zhurmë mes Lulzim Bashës dhe Oerd Bylykbashit/ Si u ”hakmorr” kreu i PD-së ndaj deputetit që doli krah Berishës

0
94

Tani nuk ka më dyshim që Oerd Bylykbashi është deputeti i radhës që kalon ”zyrtarisht” në kampin e Sali Berishës brenda PD, teksa doli në krah të ish-kryeministrit në qytetin e Durrësit, ku u zgjodh edhe vetë deputet në zgjedhjet e 25 Prillit.

Edhe pse nën zë ishte thënë se Bylykbashi ishte kundër vendimit të Lulzim Bashës për përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar, vetë deputeti nuk ishte shprehur publikisht, deri dy ditë më parë, ku përmes një postimi në rrjetet sociale shigjetonte kryetarët e partive që merrnin vendime personale.

Pavarësisht se paralelizonte një situatë politike të ndodhur në Britaninë e Madhe, Bylykbashi pa dyshim e dha një mesazh publik ndaj Bashës, ndërkohë që edhe në raportet personale mes tyre gjërat duket të jenë krisur.

Kjo u vërtetua edhe dje, ku Lulzim Basha nuk e pati Bylykbashin në takimin me misionin e OSBE-Ohdir, pavarësisht se ky i fundit ka qenë përfaqësuesi i PD në çdo grup pune të Reformës Zgjedhore. Basha u shoqërua në takim me të besuarin e tij Gazment Bardhi dhe me Enkelejd Alibeajn, i cili në këtë muajin e fundit po forcon pozitat e tij në krah të kryedemokratit, duke qenë se është zgjedhur dhe si nënkryetar partie dhe Kuvendi.

Edhe pse Reforma Zgjedhore është prioritet i prioriteteve për PD-në, Basha po shkon drejt përjashtimit nga grupi i punës i një prej deputetëve me përvojë në këtë aspekt.

Gjatë takimit të Berishës në Durrës, vetë Bylykbashi nuk pranoi që të fliste, e megjithatë ai ishte i ulur në rreshtin e parë të mbështetësve, njësoj si Paloka në të njëjtin qytet, Bujar Leskaj në Vlorë apo Luan Baçi në Fier.

Lëvizja e Berishës duket se po prodhon gjithnjë e më shumë të pakënaqur me Bashën në PD, që tashmë nuk fshihen dhe dalin hapur në qëndrimet e tyre, siç është edhe rasti i Flamur Nokës, i cili edhe përmes mediave ka denoncuar presionin që kreu i PD u bën drejtuesve në rrethe, për të mos qenë pjesë e takimeve të ish-kryeministrit.

Gjatë dy takimeve të fundit, Berisha ka pasur në krah të tij dhe aktivisten Evi Kokalari, e cila dje bëri një deklaratë të fortë, kur tha se Lulzim Basha e ka përjashtuar ish-kryeministrin nga grupi parlamentar, në këmbim të rikthimin të vizës amerikane, që sipas saj ia kishin hequr në DASH. (Lexo lajmin)

Kjo akuzë e Kokalarit mbetet për t’u vërtetuar, ndërkohë që çdo ditë e më tepër zhvillimet në PD duken interesante, dhe për momentin shkojnë në favor të Edi Ramës, i cili teksa nis mandatin e tretë qeverisës ka përballë një opozitë të përçarë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here