Kabineti “Rama 3” ose Rilindje 0.2 (…dhe kurbanët e radhës)

0
150

Nga Gëzim Saliu

 

Asgjë e re nga fronti i Rilindjes. Kryeministri Rama vendosi të rikonfirmojë afro 80 përqind të kabinetit qeverisës, me të vetmen risi nga më parë, numrin e grave në të, të cilat tashmë do të drejtojnë 12 ministri nga 16 gjithsej. Edhe në kabinetin e fundit Rama kishte në përbërje një numër të madh të ministreve gra dhe qëllimi sic edhe është vërtetuar në kohë, nuk ka të bëjë aspak me dëshirën e kryeministrit për ti dhënë më shumë gjinisë femërore pushtet e hapësirë në politikë. E gjitha është pjesë e strategjisë së propagandës fasadë, e cila në gjithë këto vite, ka qenë një ndër ‘armët’ kryesore të Ramës në ecurinë e tij politike në pushtet. Gjithkush e di e për më tepër ka qenë dëshmitar se e gjthë skema e ‘qeverisë së grave’ është thjesht një iluzion e në të njetën kohë opium për masën, ndoshta dhe ndërkombëtarët. Gratë në qeverisje në shumicën e tyre janë thjesht fasadë e pa rol në politikat e mëdha, por thjesht zbatuese të urdhrave e vendimeve të kryeministrit. Ato lëvizin e ndërrojnë vendet në kabinet thjesht e vetëm për arsye estetike, duke dhënë  në publik idenë e një qeverie që kontrollohet nga femrat. Por në të vërtetë, gratë ministre që kanë pushtet real e janë ‘ndërtuese’ në kuptimin e politikave dhe vendimarrjeve, numërohen me gishtat e njërës dorë.

 

Të rikthemi te kabineti ‘3’, ku rikonfirmimet ishin të shumta.  Në krahun e tij të djathtë, si zv/kryeministër, Rama ka vendosur të emërojë Arben Ahmetajn, një ndër njerëzit më besnikë të tij dhe me detyra tepër të rëndësishme në kabinetin qeverisës që nga marrja e pushtetit nga PS në vitin 2013. Ahmetaj  më parë ka ngrënë shumë ‘koka’ socialistësh, duke ngjitur shkallët e karrierës me besnikërinë e shfaqur ndaj Ramës, në çdo hap e vendimarrje politike.

 

Ndërkaq në postet kryesore, u rikonfirmuan ministrat aktualë: Blendi Çuçi do të vazhdojë të drejtojë Ministrinë e Brendshme, Olta Xhaçka mbetet Ministre e Jashtme, Niko Peleshi ministër i Mbrojtjes, Belinda Balluku ministre e Energjetikës dhe Infrastrukturës, Ogerta Manastirliu ministre e Shëndetësisë, Evis Kushi do të qëndrojë Ministre e Arsimit dhe po ashtu Elva Margariti në krye të Ministrisë së Kulturës.

 

Lëvizja te Ministria e Financave nuk ishte fare surprizë, pasi prej kohësh përflitej një ngritje në detyrë e drejtoreshës aktuale të tatimet Delina Ibrahimi e cila do të zëvendësojë Anila Denajn.

 

Në të njejtën linjë ishte edhe lëvizja e drejtorësh së Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural Frida Krifca në krye të Ministrisë së Bujqësise, pasi kohët e fundit ajo u shfaq disa herë në publik shumë pranë kryeministrit.

 

Dhe ndërkaq shpërblimi për Ulsi Manjën nuk mungoi, ku ky i fundit pas shumë tentativash mundi të marrë detyrën e ëndërruar të ministrit të Drejtësisë. Kujtojmë se Ulsi Manja ishte një ndër protagonistët në dosjen e famshme “339” , ku bandat u përfshinë në blerje votash dhe punësim të paligjshëm të militantëve në administratë. Në ato përgjime të bëra publike nga prestigjozja “Bild”, doli në skemë edhe emri i Manjës, i cili nuk u mor në pyetje anjëherë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pavarësisht se emri i tij u gjend në përgjimet e një ndër bandave më të rrezikshme në vend. Ulsi Manjani ka pasur edhe një dështim spektakolar në karrierën si deputet, ku në vitin 2020 ai drejtoi Komisionin për shkarkimin nga detyra të Presidentit Ilir Meta, me pretekstin se kishte shkeluar “Kushtetutën” në momentin kur ç’dekretoi  zgjedhet vendore të vitit 2019. Por “Komisioni i Venecias” i hodhi poshtë pretendimet duke i cilësuar veprime të Presidentit Meta si kushtetuese dhe se nismën e këtij Komisioni si boshe.

 

Një tjetër rikthim në qeveri ishte Mirela Kumbaro, e cila nga Kultura e 4 viteve të para të pushtetit rilindas tashmë do të drejtojë Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit.

 

Ndërsa Ministrat pa portofol do të jenë 4 nga 3 që ishin në mandatin e 2. Spiropali u rikonfirmua që hberët nga Rama si Ministre për Parlamentin, e ndërsa Ministre për Sipërmarrjen u zgjodha Edona Bilali, e para e listës së Shkodrës.

 

Rama zgjodhi të shkrijë ministrinë e Diasporës të ngritur me aq trumbetim 4 vite më parë nën drejtimin e Pandeli Majkos, duke krijuar 2 ministri të reja, ajo për Rininë dhe Fëmijët që do të drejtohet nga një prurje e re në PS si Bora Muzhaqi, si dhe Ministria për Standardet e Shërbimeve që do të lerë në kabinetit qeveritar ish-Ministres së Bujqësisë, Milva Ikonomi.

 

Drejtimin e parlamentin, Rama zgjodhi t’ia besojë një bashkëpunëtoreje të vjetër të tij, Lindita Nikllës. Kjo e fundit u detyrua 4 vite më parë të lë postin e ministres së Arsimit pas dëhstimit spektakolar me ligjin e arsimit të lartë, gjë që solli edhe protestat e studentëve.

Tani Lindita Nikolla, bëhet e dyta grua, pas Jozefina Topallit dhe e para socialiste në krye të Kuvendit.

 

Në konkluzion mund të themi se kabineti “Rama3” përbën një rimëshirim të Rilindjes, gjë të cilën vetë Rama e pranoi në fjalimin e tij sot në Asamble. Nga shtatori e në vazhdim kemi në komandë “Rilindjen 0.2”, e cila duke marrë për bazë edhe emrat në përbërje, me shumë gjasë nuk do të japë asnjë rezultat më shumë se sa Rilindja e mandatit të parë, që erdhi me premtime galopante e përfundoi me dështime spektakolare.

 

E sigurisht surpriza e madhe e gjithë sa më sipër ishte mungesa e Taulant Ballës në kabinet, i cili jo vetëm që nuk mundi të përmbushë aspiratën 8-vjeçare për t’u bërë ministër, por tashmë është në listën e atyre personave që mund të përfshihen nga Rama në spastrimet e radhës në parti. Taulant Balla, më i votuari në zgjedhjet e fundit politike, në tentativën për ti mbushur mendjen shefit se arrin rezultate spektakolare si drejtues politik, krijoi te Rama ndjenjën e zilisë e njëkohësisht sfidantin politik. Kryetitujt në media në ditët pas zgjedhjeve për Ballën me sa duket nuk janë përltupur aspak mirë nga Rama, i cili padyshim kërkon që dikatin e numrit ‘1’ mos ja vënë në dyshim asnjëherë. Dhe fatura e Ballës për të gjithë strategjinë politike për të fuqizuar emrin e tij brenda partisë duke detyruar të gjithë në Elbasan të votonin nominalisht për të, ishte aq e shtrenjtë sa i kushtoi edhe postin e sekretarit të përgjithshëm. Tani e në vazhdim numri 2 në parti do ta mbajë Damian Gjiknuri, i cili nuk u tregua aq naiv sa Balla në zgjedhjet e 25 prillit, sa të sfidonte shefin me vota nominale, por qëndroi brenda standardeve duke përmbushur objektivin e mandateve. Gjiknuri ashtu si edhe Ahmetaj është një ndër njerëzit më të besuar të kryeministrit, dhe si i tillë ai e di se kur duhet të qëndrojë nën ujëra e kur duhet të dalë mbi to pa e tepruar.

 

Një tjetër ‘kurban’ që solli Asambleja e PS-së ishtë edhe Fatmir Xhafaj, i cili me sa duket si Balla, pësoi në kurriz hakmarrjen politike të kryeministrit për votat e marra në 25 prill. Xhafaj theu herësin dhe mundi të shkojë në Parlament, edhe pse Rama e kishte vendosur të 23-in në listën e Tiranës me synimin për ta lënë jashtë jetës parlamentare. Ky fuqizim i Xhafës brenda rradhëve të socialistëve dhe miqësia e ngushtë me Veliajn, bëri që Rama të japë urdhrin e lënies jashtë të ish-ministrit të Brendshëm nga Kryesia e re e PS-së.

 

Tani e në vazhdim mbetet të shohim se si do zhvillohet beteja e kampeve në PS, pasi garda e vjetër e lënë pa punë nga Rama nuk do rrinë duarkryq. Në kushte e një partie të kontrolluar e drejtuar me dorë të hekurt nga Rama, duket se fraksionet janë të vështira për t’u krijuar. E megjithatë, grupimi i ri brenda PS-së me emrat e Ballës, Xhafajt, Majkos e Braçes nuk do e përcjellë lehtë këtë përjashtim me lezet nga Rama nga detyra qeverisëse dhe ato brenda partisë. Se cila do jetë lëvizja e tyre do mësohet në vazhdim.

 

Nga të gjitha lëvizjet e Ramës sot, diçka është e sigurt: Në PS ujërat e nëndheshëm janë turbulluar, se kur ose nëse do shpërthejnë, mbetet mister!

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here