“Për më shumë se një ‘in memoriam’ për Havzi Nelën”, Bylykbashi: Ata që e vranë poetin kanë emra. Duhet një strukturë e re për hetimin e krimeve të diktaturës

0
65

Deputeti i zgjedhur i PD Oerd Bylykbashi kërkon një strukturë të re, të posaçme për hetimin dhe dënimin e krimeve të diktaturës. Në një status të gjatë përtej kujtesës për poetin e dënuar me varje Havzi Nela, Bylykbashi thotë se ata që e vranë kanë emra dhe një pjesë jetojnë ende me bindjen se ia hodhën, madje se bënë shumë mirë atëherë dhe se pushtetin e kanë sërish në dorë që të mbrohen.

Sipas tij, retorika e dekomunistizimit mua nuk më mjafton, ndaj thekson se duhen dënuar autorët e vrasjes së tyre nga njeriu para se t’i dënojë Zoti. “Drejtësia do të ndajë ndërgjegjen e shoqërisë nga e keqja e komunizmit që ngadalë po rimerr qytetarinë diku me emër rruge, diku me foto diktatori diku me përkujtime provokuese e aq më keq me emërime në majat e pushtetit dhe drejtësisë të atyre që duhen dënuar”, shkruan Bylykbashi.

POSTIMI I PLOTË
Për më shumë se një “in memoriam” për Havzi Nelën

Sot perkujtohet Havzi Nela si simbol i përpjekjes individuale për liri. Vrasja e tij ka lënë gjurmë në memorien tonë. Po a mjafton thjesht shenja si vraga e një plage të mbyllur në sipërfaqen e kujtesës? A mjafton konvulsioni i kujtesës që kap një herë në vit shumë njerëz që e kujtojnë me hartime apo ricitime të poezive të tij në të cilat klithma për liri ther shpirtin?
Më 23 gusht, pak ditë më vonë se përvjetori i poetit martir është Dita e Shiritit të Zi (Black Ribbon Day), dita zyrtare europiane e kujtesës së krimeve të stalinizmit, komunizmit, nazizmit dhe fashizmit. Këshilli i Europës i barazon krimet e komunizmit me ato të fashizmit si krime kundër njerëzimit. E për to nuk ka parashkrim të ndjekjes penale kurrë!

Sot rrjetet sociale mbushen me foton e Havzi Nelës, por a nuk do ishte mirë që të hartohen dosjet me foton dhe provat për hetimin dhe dënimin e atyre që vranë poetin martir dhe mijëra shqiptarë të tjerë në kampin e përqëndrimit të Tepelenës, në Spaç, Qafë Bar, etj? Ata kanë emra dhe një pjesë jetojnë ende me bindjen se ia hodhën, madje se bënë shumë mirë atëherë dhe se pushtetin e kanë sërish në dorë që të mbrohen. Veçanërisht tani që kanë rikapur pushtetin e Drejtësisë.

 

 

Eshtë vonë t’i hetojmë e gjykojmë ata kriminelë? Pak ditë më parë, më 2 gusht, prokuroria gjermane konfirmoi se do të nisë procesi gjyqësor ndaj një roje të një kampi përqëndrimi. Roje i thjeshtë, jo komandant, sepse komandantëve ua kanë dhënë tashmë faturën. Akuzohet se ka marrë pjesë dhe asistuar në ekzekutimin e qindra të burgosurve. Është plot 100 vjeç. Për gjermanët dhe botën e qytetëruar nuk është vonë dhe krimineli që kryen krime kundër njerëzimit nuk është kurrë plak. Është kriminel që duhet dënuar. Nuk e bëjnë për hakmarrje, as denazifikim, por për drejtësi.

Ndaj retorika e dekomunistizimit mua nuk më mjafton. As hartimet e ndjera për Havzi Nelën e martirë si ai. Duhen dënuar autorët e vrasjes së tyre nga njeriu para se t’i dënojë Zoti. Drejtësia do të ndajë ndërgjegjen e shoqërisë nga e keqja e komunizmit që ngadalë po rimerr qytetarinë diku me emër rruge, diku me foto diktatori diku me përkujtime provokuese e aq më keq me emërime në majat e pushtetit dhe drejtësisë të atyre që duhen dënuar. Tek ne nuk kanë mbetur pa dënuar rojet e thjeshta, por krekosen lirisht ata që urdhëruan krimet gjyqtarët, prokurorët dhe hetuesit xhahilë, deshmitarët dhe spiunët që futën në gropë njerëz vetëm se donin liri, roje kampesh e burgjesh apo roje kufiri që vranë me bindje ideologjike djem e vajza në kërkim të lirisë.

Kjo nuk është punë për SPAK e BKH. Duhet një strukturë e re, e posaçme, e painfektuar nga mbetjet e komunizmit, për hetimin nxjerrjen para drejtësisë dhe dënimin e krimeve të diktaturës. Një strukturë si ajo që Gjermania e ngriti në 1958 dhe e ka funksionale ende sot për hetimin dhe vënien para drejtësisë të kriminelëve nazistë.
Shenja mbi kujtesë nuk mjafton! Duhet futur thellë në ndërgjegje bisturia e drejtësisë. Dhembja do të jetë më e fortë se konvulsioni periodik në ditën e përkujtimit të martirit poet, por do të jetë një dhembje që ndan fort. Ndan ata që besojnë te vlera e lirisë si Havziu e mijëra martirë të komunizmit, nga ata që do të kenë ende paturpësinë të mbrojnë kriminelët dhe krimet e komunizmit duke i glorifikuar apo me metoda moderne duke i relativizuar. Atë ditë Havziu dhe martirët e tjerë do të fitonin drejtësinë për lirinë e vrarë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here