KPK shkarkon nga detyra gjyqtaren Zegjine Sollaku

0
89

Shkarkohet nga detyra gjyqtarja e Gjykatës së Apelit Tiranë, Zegjine Sollaku.

Vendimin e shpalli sot në seancë kryesuesja e trupës gjykuese të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Xhensila Pine.

Vetë Zegjine Sollaku nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e sotme ku u dha vendimi, ndërkohë që gjatë seancës dëgjimore ajo u mbrojt me avokat nga bashkëshorti i saj, Theodhori Sollaku.

GJYQTARJA

Zegjine Sollaku ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë dhe ka punuar si gjyqtare e Gjykatës së Tiranës në vitet 1992-2003.
Prej vitit 2003, Sollaku e ushtron funksionin në Gjykatën e Apelit të Tiranës.

Analiza e pasurisë është një ndër tri shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.

Në deklarimin për herë të parë në vitin 2003, gjyqtarja Zegjine Sollaku deklaronte pasuri familjare me vlerë 7.4 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2017 pasuria familjare kap vlerën e 97.7 milionë lekëve.

Ajo deklaron familjarisht pasuri të paluajtshme me vlerë 88.3 milionë lekë, likuiditete bankare prej 8 milionë lekësh dhe automjet me vlerë 1.4 milionë lekë.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 204.5 milionë lekë, me burim kryesor punën e bashkëshortit si avokat në masën 75%.
Të ardhurat nga paga e znj. Sollaku zënë 9.5% të totalit, ndërsa të ardhurat nga puna e familjarëve llogariten në masën 14%.

SEANCA DEGJIMORE NE 2 KORRIK

Hetimi administrativ për Zegjine Sollakun u krye nga trupa gjykuese që kryesohet nga Xhensila Pine, me relator Lulzim Hamitajn dhe anëtare Suela Zhegun. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Ciardi. Gjyqtarja e Apelit ishte e pranishme në seancë dëgjimore publike, ndërsa shoqërohej nga bashkëshorti i saj, ish-Prokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, në cilësinë e avokatit të saj.

Gjatë seancës dëgjimore u evidentuan pasaktësi në deklarime dhe mungesa burimesh financiare në vlerën totale 7 milionë lekë.

Sipas raportit të Komisionit, bashkëshortët Sollaku kanë në pronësi 8 apartamente, të verifikuara nga hetimi administrativ, disa garazhe, si dhe dy makina. Gjyqtarja u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës, si dhe nuk u evidentuan probleme për kriterin e profesionalizmit. Në raport thuhet se nuk janë gjetur indicie edhe në 58 denoncimet e kryera nga publiku, ku 20 prej tyre kanë qenë të përsëritua dhe të depozituara nga i njëjti person. Relatori Hamitaj tha se gjatë hetimit për profesionalizmin janë evidentuar vonesa në fillimin e seancave gjyqësore ose në dorëzimin e vendimeve të arsyetuara.

Avokati Sollaku e kundërshtoi gjetjen e komisionit.

Ai tha se, sikurse ka rezultuar edhe nga hetimi administrativ, të gjitha transaksionet financiare janë kryer nga ana e tij, ndërsa shtoi se e shoqja gjyqtare kishte qenë gjithmonë e fokusuar te detyra.

Ai paraqiti para komisionit një përmbledhje të bilanceve të të ardhurave dhe shpenzimeve të tij që nga viti 1991 e në vijim, duke pretenduar se ka pasur burime të mjaftueshme të ligjshme për krijimin e pasurive.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here