Masakra në Velipojë, ja si nisi konflikti mes dy familjeve, cilët janë dy autorët e parë të dyshuar

0
209

Mëngjesin e sotme Velipoja është zgjuar nga një krim i rënë me 4 të vdekur e 2 të plagosur, pas një konflikti me armë për hapësirën e shezlongeve në plazh.

Si pasojë, Kujtim Ferracaku 59-vjeç, Xhovani Gocaj 25-vjeç, Edmond Gocaj 38-vjeç dhe Myzerim Zeneli vetëm 20 vjeç mbeten të vdekur.

Ndërkohë që vëllai i Kujtim Ferracakut, 54-vjeçari Hasan Ferracaku dhe një 17-vjeçari Elmilind Dyli, kanë marrë plagë në trup dhe ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve.

Sipas informacioneve paraprake të policisë, dyshohet se Hasan Ferracaku dhe Elmilind Dyli janë autorë të konfliktit me armë.

“Më datë 27.06.2021, rreth orës 00:30, në Pulaj Plazh, Velipojë, si pasojë e një konflikti të çastit, i cili është përshkallëzuar në përdorim të armës së zjarrit kanë mbetur të vrarë, shtetasit K. V. 59 vjeç, Xh. G. 25 vjeç , E. G. 38 vjeç dhe M. Z. 20 vjeç. Si dhe janë plagosur shtetasit H. V. 54 vjeç, dhe E. D. 17 vjeç, të cilët dyshohen si autorë të përfshirê në konfliktin e armatosur.” – thuhet në njoftimin e policisë.

Kujtim Ferracaku, pronar i Hotel ‘Fantazia’ është përplasur me armë me vëllezërit Gocaj, pronarë të hotelit ‘Gocaj’ për shezllonët.

Bizneset e tyre ndodheshin vetëm 50 metra larg njëri-tjetrit në zonën e plazhit dhe kjo ka bërë që të konfliktohen për hapësirën e vendosjes së shezlongëve.

Mësohet se kanë qenë anëtarët e familjes Ferracaku të cilët kanë shkuar pas mesnate në hotelin ‘Gocaj’ për të sqaruar konfliktin për shezlongët, por debati ka degjeneruar me përdorimin e armëve.

Akoma nuk dihet se si nisi konflikti dhe kush qëlloi i pari, por sipas policisë dyshohet se Hasan Ferracaku dhe Elmilind janë dy prej autorëve të krimit.

Sipas informacioneve dy familjet kanë pasur ndonjë konflikt tjetër të mëparshëm mes tyre, që ka nxitur dhe më shumë debatet.

Ndërkohë, drejtori i policisë Shkodër, Niko Brahimaj ka paralajmëruar se në lidhje me ngjarjen do të ketë arrestime e po ashtu dhe persona që do të shpallen në kërkim.

Mendohet se në vendin e ngjarjes është shtënë nga disa armë, ndërsa FNSH dhe RENEA-t po krehin zonën duke kërkuar të përfshirët e tjerë në konflikt.

Nga ana tjetër, ngjarja e rëndë ka tronditur edhe turistët në zonë të cilët janë tmerruar nga të shtënat me armë dhe disa prej tyre janë larguar në mëngjes.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here