Komanda e Kampit nr.4 Tepelenë/ Më përjashtim të financierit e guzhinierit, 29 veta ishin ushtarakë

0
1010

Arkivist e studiuesi Kastriot Dervishi ka bërë publike një fakt pothuaj të panjohur në lidhje me të izoluarit në kampin famëkeq të Tepelenës. Ai ka thënë se ata që shërbenin për të mbajtur të internuarit në kampin nr.4 në Tepelenë ishin ushtarakë dhe punëtorë politik, dhe një masë e papërfillshme njerëzish si financiarë dhe guzhinierë ishin njerëz pa funksion politik në kamp. Kjo shpjegon dhe egërsinë e pashoq të atij kampi, duke u cilësuar si një lloj aushivici shqiptar ku vdiqen fëmijë e pleq nga uria… 

 

 Arkivisti e studiuesi Kastriot Dervishi dje ka bërë publike një fakt pothuaj të panjohur në lidhje me të izoluarit në kampin famëkeq të Tepelenës. Ai ka thënë se ata që shërbenin për të mbajtur të internuarit në kampin nr.4 në Tepelenë ishin ushtarakë dhe punëtorë politik, dhe një masë e papërfillshme njerëzish si financiarë dhe guzhinierë ishin njerëz pa funksion politik në kamp. Kjo shpjegon dhe egërsinë e pashoq të atij kampi, duke u cilësuar si një lloj aushivici shqiptar ku vdiqen fëmijë e pleq, nga uria dhe sëmundjet. Dervishi shënon se “Ata që shërbenin për të mbajtur të izoluar të internuarit në Kampin nr.4 në Tepelenë ishin gjithsej 29 veta, 21 plus 8. Me përjashtim të financierit, normistit dhe kuzhinerit, të gjithë ishin ushtarakë. Spikat se kampi kishte punëtor politik që ishte një lloj komisari. Me përjashtim të operativit, të gjithë ishin në varësi të Degës së Kampeve dhe Burgjeve në MPB. Kampi i Tepelenës funksionoi në vitet 1949-1953. Në vendin e njohur sot, ishte në vitet 1950-1953. Aty u internuan në masë, fëmijë, gra dhe pleq”

 

***

 

Ka shumë pak dëshmitar të mbetur nga kujtesa në kampin e Tepelenës, por për fat ata që janë ende gjallë na kanë lënë dëshminë jo vetëm duke e rrëfyer e treguar përmes medias, por njëri prej tyre Lek Previzi na ka sjellë skica e bëra nga kampi monstroz si provë e trajtimit të shqiptarëve aty në fillimet e diktaturës. Në një intervistë, Previzi ka sjellë këtë dëshmi, kujtesë për kampin e Tepelenës: “Atë që kujtoj e kam treguar në vizatimet e mia të gjendjes së kampit që janë më të sakta se çdo fotografi, që në rastin konkret ishte detyrë e vetë Shtetit komunist që t’i kishte si dokument. Sa për vizatimet e mia rezulton se s’ka pasur të tillë në asnjë lloj kampi të Gjermanisë as të Rusisë sovjetike, as të shteteve të tjera komunistë. Unë ato vizatime i kisha bërë për veti, si kujtim, dhe s’më ka shkuar mendja kurrë t’i bëj publike. Kjo u bë nga Fondacioni gjerman Konrad Adenauer dhe ISKK, me drejtor Agron Tufën. Ishin ata që e krahasuan kampin e Tepelenës me Auschëitz-in, sigurisht në formë simbolike, sepse dihej se tmerret e Auschëitz-it s’ishin kryer në Shqipëri, me gaze e furra, por si vend i vogël ky krahasim ishte i natyrshëm. S’ka më krim se sa të ja presësh e mohosh lirinë njerëzve të pafajshëm e t‘i kthesh në viktima”. Ndërsa i pyetur për gjendjen në kamp, ku është folur për

për vdekje të panumërt fëmijësh, saktësisht Previzi na njofton se: “Së pari të dihet se kampi i Tepelenës, përfshinte tre qendra të tjera para se ai të krijohej në ish-kazermat italiane. Këto ishin Turani, Veliçoti dhe Memeliaj, ku të internuarit ishin sjellë nga Berati më verën 1948, me 40 kamionë të ushtrisë. Kushte mizerabël, primitive në baraka të vjetra pa dyer e dritare, drejt në çimento. Pa asnjë strukturë higjienike sado të thjeshta. Vetëm bukë misri 500 gram për njeri që vinte nga Berati e thërrmoqur dhe e pjekur keq, që mykej shpejt. Ujët të pijshëm me nga një tas në ditë. Ujë për larje hiç fare, veç një rreke e qelbur që kalonte aty. As mjek, as infermier, as ilaçe. Plasën sëmundjet infektive si kolerë, e filluen vdekjet masive, ndër fëmijë e pleq. Nga dëshmitarët, në tre këto qendra vdisnin nga shtatë vetë në ditë. Tmerri arriti kulmin në një natë në Turan ku vdiqën 33 fëmijë kërthiqe. Lemeria e nënave dhe krejt kampit. Komanda s’kishte fuqi për asgjë, veç të hapte varre e digjte teshat e fëmijëve. Si duket bëri raport në Ministri, ku erdhën disa oficerë me dy mjekë. Vunë duart në kokë nga tmerri që panë. Kështu kjo bëri që në tetor 1949 të internuarit të grumbulloheshin në ish kampin e ushtrisë italiane, poshtë kalasë së Tepelenës. Por ky kamp ishte i rrethuar me tela me gjemba dhe i mbyllur. Konditat ishin me të mira se të kampeve të tjera, se kishte ujë, për pirje e larje. Buka u kthye në gruri dhe u jepej nga një lugë çorbë në ditë. Por infeksioni i sëmundjeve vazhdonte dhe vazhdonin vdekjet. Ku varroseshin në fushën para kampit, që u mbush plot. Por një ditë kalon me makinë, për në Gjirokastër, xhaxhi Enveri, i cili kur merr vesh ç’ishin ato varre, dha urdhër të zhdukeshin. Komanda lejoi transferimin e varreve dhe një pjesë u transferuan sipër urës së Bençës, por shumica mbeti aty. Dhe u zhdukën me buldozer e traktor, duke e mbjellë me tërshërë.”

A ishte urdhër direkt i Enver Hoxhës me perspektivën e një gjenocidi të pashembullt ky kamp, pse u mbyll aq shpejt, çfarë ndodhi? Previzi përgjigjet: “Që ai kamp (dhe kampet e tjerë) të jetë krijuar me dijeni të plotë të Enverit, kjo s’ka asnjë dyshim. Supozim të një sulmi nga ana e Amerikës, asnjë prej nesh nuk do të kishte shpëtue gjallë, të kositur nga armët e kriminelëve të sigurimit e policisë, vrasës të regjur. Shtoj diçka interesante, se kur nisën internimet, më maj 1945 në Berat për familjet e veriut e në Krujë për ato të jugut, u hap një fjalë së shteti komunist po i mblidhte të internuarit për t’i çuar në Siberi. A ishte fjalë kote, thashetheme, apo diçka e propozuar, kjo s’dihet. Por që u fol u fol. Gjoja anijet ruse që do ta bënin atë punë, u bahej kontroll nga autoritetet turke, kur kalonin Bosforin, e kështu ajo punë nuk u realizue. Kështu regjimi komunist vendosi ta krijojë Siberinë në Shqipëri, ku kjo masë iu mbështet Tepelenës si zonë e mbyllur mes maleve.”

Një tjetër bashkëvuajtës, atëherë i internuar me familjen në kampin e Tepelenës, kur s’ishte veçse një fëmijë i vogël, Eugjen Merlika ka rrëfyer: “Jo vetëm që nuk ka asgjë të shtuar në rrëfimet e ish-banorëve fatkeqë të kampit të Tepelenës, por ajo që është treguar e shkruar mbetet maja e ajsbergut e atij tmerri që ka qenë ajo përvojë e lemerishme. Aq është e vërtetë saqë oficerë, edhe madhorë, të Ministrisë së Brendshme, në kohët e fundit para prishjes së kampit, iu thoshin të internuarve se “është faji i juaj që nuk jeni ankuar, mbasi ne nuk i kemi ditur këto gjëra”. Sigurisht, kishte një prirje të theksuar, në ato raste, për të larë duart si Ponc Pilati nga katrahura njerëzore e atij kampi, bëmat e brendshme e të cilit ata i njihnin shumë mirë, sepse i urdhëronin vetë.

Por nëse mund të kuptohet prirja për të mos marrë mbi shpinë krimet e Tepelenës më 1953, më duket krejtësisht e papranueshme që, mbas 65 vitesh, një profesor historie të padisë për mashtrues të gjithë dëshmitarët që kanë folur për jetën në kampin e Tepelenës. Akoma më cinike e djallëzore është përpjekja për të mbështetur tezën e tij mashtruese në një apo disa dokumenta të CIA-s, që shërbehen sikur të ishin fletë të Ungjillit. Për më tepër, kjo strategji nuk ka qëllim tjetër, veçse të mashtrojë nga katedra e historisë zyrtare ata shqiptarë, që janë shumica, e që nuk e njohin atë përvojë. Shpjegimi i tij, mbi arsyet e krijimit të kampit të Tepelenës, është lehtësisht i kundërshtueshëm edhe me logjikën e një fëmije.

“Qëllimi i krijimit të tij ishte për të zhvendosur familjet e të arratisurve politikë dhe që futeshin nga Jugosllavia vazhdimisht të armatosur, në mënyrë që të mos shërbenin si bazë për këto banda, të cilat do të përdornin këto familje si baza, si strehë për të vazhduar më tej misionin e tyre”. Sa është i pavërtetë ky pohim, mjafton të kujtojmë se në Shqipërinë komuniste ekzistonin 23 burgje dhe 48 kampe internimi, të cilët kanë filluar nga funksionimi që në ditët e para të vendosjes së regjimit. Madje në dokumentat e arkivit të Ministrisë së Brendshme gjendet edhe një shkresë urgjente e vitit 1944, gjatë ditëve të luftës së Tiranës, me anën e së cilës Enver Hoxha urdhëronte : Të organizohen burgjet dhe fushat e përqëndrimit. Dhe të burgosen të gjithë ata elementë të akuzuar me faje të mëdha, me tradhëti të naltë dhe bashkëpunim të haptë me okupatorin dhe gjithashtu me kriminelët e dorës së parë. Të gjithë robërit të mblidhen në kampin e përqëndrimit… Kampet e përqendrimit dhe burgjet ishin synimi i parë për të cilin duhej të kujdesej regjimi i “çlirimtarëve”. Në të vërtetë ai kamp u krijua në kushtet më të papërfytyrueshme të jetesës, jo thjesht për të strehuar aty familjet e të arratisurve, të cilat si praktikë liroheshin sapo këta të fundit arrestoheshin apo vriteshin, por për të mbyllur aty familjet e të gjithë atyre, nga veriu e jugu i Shqipërisë, që nuk u pajtuan me komunizmin, duke i kthyer në kavie sprovash për të parë se deri ku mund të qëndronte organizmi njerëzor…”

 

***

Kampi i Tepelenës ka funksionuar në vitet 1949 – 1953.  Kampi i Tepelenë u identifikua me dy numra, 4 dhe 6. Ai grumbulloi një numër të madh fëmijësh, duke e bërë regjimin komunist krejt origjinal në krejt Lindjen komuniste, pasi asnjë regjim tjetër nuk kishte treguar këtë egërsi ndaj fëmijëve.  Internimi në kampe tela me gjemba gjatë diktaturës komuniste është vuajtja e dënimit në periudhën 1945 – 1953 në vende të përcaktuara si të tilla. Kampet ishin vende të mbyllura, të ruajtura me policë. Në to u sollën familjarët e të dënuarve, arratisurve dhe ushtarakëve dezertorë.

Kampi i Tepelenës filloi të funksionojë në maj 1949, në të cilin u dërguan të gjithë të internuarit e kampit të Beratit. Arsyeja që u zgjodh Tepelena si vend internimi, mendohet se ka të bëje me disa lehtësi praktike. Tepelena ishte nën juridiksionin e Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Beratit dhe aty gjendeshin disa kabina të mbetura nga koha e pushtimit italian, të cilat u përshtatën si vendbanime për të internuarit. Kampi i Tepelenës u drejtua nga dy komandantë: Bektash Pogaçe (1949 –1952) dhe Haki Ibrahimi (1952-1953), të dy me arsimim të papërfunduar. Organizimi i Tepelenës vazhdoi të ishte një vend i rrethuar me tela me gjemba, në të cilët të internuarit i cili kontrollohej nga ushtarë të armatosur.

Gjatë viteve 1949-1953, në Tepelenë u vendosën rreth 1500 familje: burra, gra, të moshuar dhe fëmijë. Kampi i Tepelenës mbahet mend për kushtet tejet të vështira të jetesës dhe mungesën e theksuar të ushqimit, për mungesën e theksuar të higjienës, për punën tejet të rëndë që burrat, gratë dhe fëmijët mbi moshën 12 vjeç ishin të detyruar të zhvillonin.

Vdekshmëria e madhe e fëmijëve në kampin e Tepelenës, por edhe nevoja për të konsoliduar institucionin e internimit solli mbylljen e dy kampeve të fundit tela me gjemba në fund të vitit 1953. Kampi i Tepelenës fitoi nam të keq në arenën ndërkombëtare, madje duke zënë vend në raportin e Qeverisë Amerikane paraqitur në OKB në shkurt 1955.

 

 

 

Box gri

 

Trupa e kampit:

 

-Komandanti

-Punëtori politik

-Punëtori operativ i Sigurimit

-Referenti i evidencave

-Skuadërkomandantët (2)

-Nënoficerë pa funksion (6)

-Policë (9)

Prapavija:

-Komandanti i shërbimit

-Referenti i ushqimit

-Referenti i materialit

-Magazinieri

-Financieri

-Normisti

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here