Doli lakuriq në protestë: Mbani përgjegjësi dhe edukoni djemtë!

0
249

Një ditë pasi mori fokusin kryesor të protestës kundër abuzimeve seksuale me të miturat, e reja që zgjodhi të protestonte nudo kundër këtij fenomeni, ka postuar një video në “Youtube”, duke treguar arsyet e daljes së pazakontë të dielën.

Ndryshe nga ç’pritej, monologu gjashtëminutësh ishte i gjithi me tone autokritike për femrat. Po, po. Ato i quan bashkëfajtore dhe përgjegjëset kryesore për mosedukimin e fëmijëve meshkuj që abuzojnë me të miturat.

“Boll u përpoqëm të gjejmë fajtorin aty ku nuk është. Ne e kemi fajin për gabimet e meshkujve, për gabimet e fëmijëve tanë”, thotë protestuesja, emri i së cilës vijon të mbetet ende mister në një vend të vogël si yni. Në një bisedë katarsis brenda llojit, ajo kërkon edukimin në gjenezë. “Çdo vit duke bërë protesta për të njëjtën gjë. E kemi marrë mësimin kundrejt njëri-tjetrit. Nuk do të hapim luftë gjinish, nuk do të ulim meshkujt për të lartësuar femrat. Ta gjejmë fajin te vetja”.

MESAZHI

“Meshkujt janë fëmijët e një gruaje. Nëse ata nuk janë sot të denjë për shoqërinë tonë, është se ne nuk e kemi bërë punën tonë siç duhet”. Ky ishte mesazhi i pankartës, të vetmes gjë që mbante në dorë mesditën e së dielës, protestuesja e hipur në një nga stolat e vendosur në sheshin “Skënderbej”, gjatë kohës që turma e madhe po bëhej gati për të marshuar drejt “Myslym Shyrit”, ku ndodhet Drejtoria e Policisë. Kjo bëri që e gjithë vëmendja të drejtohej nga e reja që zgjodhi të protestonte më shumë se guximshëm në mbrojtje të femrave të përdhunuara. Por në videon që hodhi në “Youtube”, ajo mohon të ketë qenë pjesë e protestës.

“Unë nuk isha në protestë. Unë isha te sheshi ‘Skënderbej’ në të njëjtin orar, por jo në protestë. Unë nuk protestoj. Kujt t’i protestoj?! T’i kërkoj të drejtat e mia kujt?! Sidomos ishte një moment kur filluan njerëzit duke thënë ‘liri, demokraci’. Kujt?! Po i kërkon shtetit llogari përse ne nuk kemi qenë të aftë të edukojmë fëmijët tanë?! Ligji i karmës thotë që në momentin që neve një gjë na përsëritet disa herë, do të thotë që ne nuk e kemi marrë mësimin. T’i lutemi njerëzve të mos na marrin fëmijërinë… ça thua?! Kujt t’i lutemi? Në momentin që unë të kërkoj ty të drejtat e mia, të kam dhënë pushtet që t’i të vendosësh të m’i japësh apo jo. Mjaft! Boll më me të drejtat e femrave. Meshkujt janë fëmijët tanë. Nëse janë ashtu siç janë, do të thotë që ne nuk jemi vetedukuar që të edukojmë ata pastaj”, sqaron vajza, teksa premton që djalit të saj do t’i mësojë përpara se të bëhet burrë, të mos lëndojë një femër. Por kjo është e pamjaftueshme sipas saj. Të njëjtën gjë duhet të bëjnë edhe të tjerat si ajo.

PËRSE NUDO?!

Duke përligjur daljen e saj nudo në shesh, të parën të këtij lloji në vend, e reja thotë se i duhet dhënë fund kësaj mendësie. “Përpara se të bëhej burrë dhe të përdhunonte ka qenë fëmijë, fëmija jonë. Sot premtoj që fëmijës tim do t’i mësoj që të jetë i paveshur, nuk është turp. Turp është të dëmtosh dikë, të lëndosh dikë. Nuk është trup të jesh pa rroba. Nudo nuk është seksuale, më vjen keq që mendjet tuaja janë trajtuar në këtë lloj forme. Nuk do t’ju trajtoj si të mjerë. Nuk do të filloj t’ju shaj. Është OK, të mos jesh OK, por nuk është në rregull të mos duash të ndryshosh. E kuptoj që sistemi, mënyrat se si gjërat kanë funksionuar keni filluar të besoni që ja trupi ynë, vagina jonë përmes së cilës sjellim njeri në jetë, është trup. Sa keq! Gjoksi ynë, ku kemi mundësinë të ushqejmë fëmijë, është turp”, thotë e reja duke nënvizuar për të disatën herë se të gjitha femrat janë përgjegjëse për çdo vajzë që përdhunohet. “Boll më me të drejtat e femrave, detyrat e femrave. Mbaj përgjegjësi për veten. Për çdo përdhunim që ndodh. Është faji ynë! Sepse janë fëmijët tanë, meshkujt janë fëmijët tanë. Dhe gruaja ka një forcë të jashtëzakonshme për sa kohë sjell në jetë një fëmijë”

Ngjarja e ndodhur disa ditë më parë në Rrëshen, ku një 15-vjeçare u përdhuna në grup nga pesë meshkuj, bëri bashkë qytetarët të dielën e javës që shkoi në Tiranë, për të kërkuar drejtësi nga institucionet shtetërore, si dhe për të dënuar aktin./PANORAMA

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here