Përgjimet në ’46/ Dokumenti i panjohur: Në katundin Mursi janë therur 18 derra, përgojimet – “do të hapet luftë e tretë botnore”

0
961

Ndër praktikat më të zakonta të punës në Komitetin Qëndror të Partisë Komuniste, duke nisur nga vitet e para të regjimit e deri në shembjen e diktaturës, ishte informimi mbi gjithçka thuhej e veprohej në popull, nëpër ndërmarrje shtetërore, administratatë, institucione, kooperativë, kampe internimi, burgje, e deri brenda nëpër familje. Përgjimi bëhej kryesisht përmes rrjetës së spiunazhit, të ngritur në çdo sektor të jetës në diktaturë. Në vazhdën e këtyre përgjimeve, përfshiheshin edhe fjalët që njerëzit thonin mes tyre, si parashikime, komente

  

Ndër praktikat më të zakonta të punës në Komitetin Qëndror të Partisë Komuniste, duke nisur nga vitet e para të regjimit e deri në shembjen e diktaturës, ishte informimi mbi gjithçka thuhej e veprohej në popull, nëpër ndërmarrje shtetërore, administratatë, institucione, kooperativë, kampe internimi, burgje, e deri brenda nëpër familje. Përgjimi bëhej kryesisht përmes rrjetës së spiunazhit, të ngritur në çdo sektor të jetës në diktaturë. Në vazhdën e këtyre përgjimeve, përfshiheshin edhe fjalët që njerëzit thonin mes tyre, si parashikime, komente, etj.

Në dhjetor të vitit 1946, ishin mbledhur thënie e komente të njerëzve në gjithë Shqipërinë. Mes shumë dokumenteve mbi këto thënie, veçojmë për publikim, këtë document, ku renditen komentet e popullit në disa fshtra të qarkut të Gjirokastrës. Komenti më i përsëritur në të gjithë nënprefekturat e këtij qarku ishte për mbledhjen e derrave nga qeveria e Enver Hoxhës, me qëllim për ti therur ato për ushtrinë. Me këtë rast populli i këtij qarku kishte nxituar e i kishin therur në masë derrat që kishin. Po ashtu pikante janë përgojimet për varfërinë, për mungesën e bereqetit dhe urinë e përditshme etj. Kujto.al ka publikuar dokumentin e mëposhtëm të datës 22 dhjetor 1946, dhe nga ana tjetër gazeta sjell dhe strukturën që u ngrit, dhe që është dëshmi e sotme, për mënyrën se si kryeheshin përgjimet në kohën e diktaturës.

 

***

Parrullat e qarkut Gjinokastër të datës 22.XII.1946

Në n/prefekturën e Qendrës Gjinokastrës, janë dëgjuar këto parrulla: Qeverija do të mari të gjithë derat që ka populli dhe do t’i theri, të zotve do t’ju japi vetmë nga një këmbë mish tjetër do ta mbajë për vehte, kjo parullë ka patur si përfundim therjen e nji sasije të madhe derash me rastin e pashkës.

  1. A) Mësuesi Kristo Spiro nga katundi Dhuvjan i Dropullit ka thënë se kjo qeveri do të na ndalopjë të bëjmë pushim në ditët e kremte dhe të dielat. Në shkolla do të hapin menxë që të hanë nxënësit, me qëllim që të shkëpusin fëmijët nga prindërit.
  2. B) E shoqe e Kiço Papait nga katundi Goranxi, ka thënë: Qeverija më parë na mori arat, tash do na marri edhe shtëpitë, këtë parrullë e ka thënë mbasi i kishte kërkuar Organizata e Rinisë katundit shtëpinë e saj.
  3. c) Nedin Lulua nga lagja Teqe e këtij qyteti ka thënë në rrethin familjar të tija se Nuri Dinua nga Çamërija ka ardhur në Janinë të Greqis dhe shumë shpejt do të nderojë situate do të jemi më mirë.

Ç) Theodhori Qirkua nga katundi Grapsh, ka thënë: kur shkoj Enver Hoxha në konferencën e Paqes, aleatët i kanë kërkuar llogari se ç’i ka bërë ushqimet që mori nga U.N.R.R.A dhe i kanë thënë: Ti i ke shpërndarë në njerëzit e tu dhe për interesa të tuat.

 

2) Në n/prefekturën e Përmetit janë dëgjuar këto parrulla:

  1. A) Qeveria do të bëjë reformën me bagëti, bulmetin do ta hamë me racion.

b)Do të vdesim për bukë, mbasi nuk ka shteti, se po të kishte do të na jepte, vemi në N/prefekturë dhe shtrihemi përpara pushtetit dhe nuk na japin bereqet dhe kur vjen ndonjë pakicë kur t’ja japin më parë, janë prishur rrugët dhe venë një kohë të gjatë dhe akoma s’janë ndrequr, sa vemi në shtëpi kthehemi prapë se na mbarohet buka, do vdesim rrugëve nga urija.

c/ Për dhënien e racionit të bukës nga qeverija ka hatër, mbasi jepet tre kategori, një 800 gram, e një 600 gram e tjetri 400 gram dhe këtë që na japin na pëlcasin shpirtin.

 

3)Në n/prefekturën e Konispolit janë dëgjuar këto parrulla:

Qeverija do të mbledhi dërat nga populli dhe do ti theri për Ushtërinë, si përfundim në katundin Mursi janë therur 18 dera. Kiço Miçi nga katundi Mursi ka thënë: do të hapet luftë e tretë botnore.

4)Në n/prefekturëne Kurveleshit qarkullojnë këto parrulla:

a)Në rastin e regjistrimti të bagtisë thuhen nga persona që kanë bagëti të shumta i regjistrojnë bagëtinë mbasi do të bëhet reforma dhe do të na i marrin.

  1. b) Një nënpunës i Seksionit Ekonomisë të N/Prefekturës Kurveleshit i quajturi Shefqet Mingo nga katundi Proganat ka thënë: gjëndja ekonomike është e keqe nuk mund të rohet, në kohën e kaluar kishte liri, sot s’gjen asgjë të blesh.

5) Në n/prefekturën e Sarandës e të Delvinës qarkullojnë këto parulla:

Qeveria do të mbledhi gjithë dërat për ushtrinë. Nga ky shkak kanë therur një sasi dërash.

 

Si e përgjonte komshiu-komshiun në diktaturë

Një nga mënyrat më të zakonshme se si bëheshin përgjimet në diktaturë është treguar shembulli se si në mur vendosej çimka përmes një tubi i cili kishte brenda një mikrofon që regjistronte të gjithë bisedat dhe lëvizjet në shtëpinë e personit që përgjohej.

Nga ana tjetër në shtëpinë e spiunit kjo bisedë regjistrohej me një aparat të posaçëm.

Po ashtu përmes një vrime në mur bëheshin edhe filmime e fotografime me një pajisje tjetër të posaçme. Për të mos u zbuluar vrimat në mur mikrofonat dhe objektivët kamufloheshin pas panoramave apo objekteve të tjera që ishin të vendosura në murin e shtëpisë së përgjuar.

Përveç kësaj në këtë ambient janë dhënë shembuj konkret përgjimesh në ditën që ka vdekur Enver Hoxha. Përgjimet janë bërë nëpër shtëpi të ndryshme në Tiranë dhe në disa qeli të burgjeve. Këto përgjime zbulonin opinionet e kundërshtarëve të regjimit dhe shpesh gëzimin për vdekjen e diktatorit. Me interes janë edhe përgjimet që u janë bërë diplomatëve para vdekjes së Enver hoxhës që dëshmojnë interesin e Sigurimit të Shtetit për të mësuar opinionin e diplomatëve të huaj për sëmundjen e diktatorit.

Ndër aktivitetet kryesore të Sigurimit ishte padyshim përvetësimi i videove dhe fotove të bëra në mënyrë të fshehtë, si dhe përgjimet audio. Për asnjë nga këto aktiviteteve nuk kërkohej miratimi i një gjykate. Fotot dhe videot bëheshin fshehurazi përmes ndjekjes që i bëhej të kontrolluarit.

Ndjekja, e cila shërbente për të kontrolluar edhe vetëm lëvizjet e të dyshuarit apo takimet e tij me ndonjë kundërshtar të regjimit apo spiunë të huaj, kryhej sipas specifikave teknike që fillimisht mësoheshin nga instruktorë sovjetikë. Ndjekja bëhej nga punonjësit e Sigurimit (të quajtur edhe punëtorë ilegalë) ose nga agjentët operativë të tij.

Për të siguruar suksesin e operacioneve, Sigurimi përdorte mjete të shumta maskimi dhe teknologji të ndryshme (prodhuar pothuajse gjithmonë në Bashkimin Sovjetik apo në Gjermaninë Lindore), duke përfshirë edhe aparatet e fshehura fotografike.

Rëndësi e madhe i kushtohej edhe përgjimit. Ai mund të kryhej në dy mënyra: duke përdorur radio-çimka (në fillim të importuara më pas të prodhuara në Shqipëri), ose duke përdorur mikrofona fikse (si në dhomën tjetër). Radio-çimkat, me dimension rreth 4 centimetra, ishin në gjendje të transmetonin në një largësi maksimale prej 200 metra, prandaj nevojitej gjithmonë praninë e një agjenti në zonë që të merrte sinjalin audio dhe të regjistronte. Radio-çimkat mund të fshiheshin në çdo objekt përdorimi të përditshëm: nga tavlla e një bari te pompa e një biçiklete; nga korniza e një pikture te një llullë.

Një nga mënyrat më të zakonshme që përdorej për të fshehur radio-çimkat quhej “corbak” dhe përbëhej nga një ristelë e thjeshtë druri e montuar në buzë të një tavoline dhe brenda saj fshiheshin mikrofoni dhe transmetuesi. Marrja e sinjalit në përgjithësi bëhej duke përdorur aparate radio normale me tranzitor të modifikuar posaçërisht: më i përdoruri ishte modeli “Rinia”, një radio me tranzitor e prodhuar në Rumani miratuar nga Sigurimi pasi ishte më e lehtë për t’u modifikuar. Agjenti operativ i Sigurimit, natyrisht i maskuar me rroba civile, qëndronte në zonën ku kryhej përgjimi, duke fshehur nën xhaketë radion “Rinia” dhe mbante një kufje për të dëgjuar, ndërsa me një regjistrues të vogël portativ regjistronte bisedën që ishte duke spiunuar.

 

Shtëpia e përgjimit

Ndërtesa e njohur në Shqipëri si “shtëpia e gjetheve” shumë shpejt do të hapet për publikun, duke u konceptuar si një muze. Ministria e Kulturës do të prezantojë pë publikun në datën 24 janar, formën dhe mënyrën e transformimit. Ndërtuar në vitin 1931, godina, fillimisht ka patur funksionin e një klinike. Gjatë luftës së dytë botërore, nën pushtimin gjerman, ajo i përkiste Gestapo-s, ndërkohë që fill më pas, gjatë viteve të para të regjimit të ri, ajo u bë një qendër e Sigurimit (Policia politike) e përdorur për hetime. Nga viti 1950, ajo u bë zyra qëndrore e seksionit teknik dhe shkencor të Sigurimit. Shtëpia gjendet në qendër të qytetit, në anën e kundërt të Katedrales Orthodokse, pranë Sheshit Skënderbej dhe Bankës Qendrore të Shqipërisë.

Ideja është transformimi i kësaj shtëpie, tashmë të identifikuar nga publiku si pjesë e Sigurimit, në një muze. Në qendër të kësaj ideje të muzeut është shfaqja në formën pars pro toto të kontrollit totalitar dhe kudondodhjes së tij në një formë origjinale, nëpërmjet përgjimeve dhe spiunimeve elektronike nga vendi ku ato kryheshin.

Sipas modelit të këtij Seksioni, koncepti i përgjithshëm i muzeut mund të përfaqësohet nëpërmjet tre rrathëve koncentrik. Rrethi i parë përmban aktivitetet e zhvilluara në këtë Shtëpi: përgjimi kabllor dhe kontrolli mbi korrespondencën. Arsyeja e vendosjes së seksionit teknik dhe shkencor në këtë Shtëpi qëndron në afërsinë që ajo ka me zyrat e postës qëndrore dhe telefonisë. Rrethi i dytë konsiston në aspektin qëndror që ky seksion ka patur në mbledhjen e të dhënave të përgjimit nga të gjitha seksionet e tjera të Sigurimit. Rrethi i tretë konsiston në përgjimin në përgjithësi, si pjesë e aktiviteteve të përmendura në rrathët e mëparshëm. Ky i fundit përfshin mbi të gjitha përgjimin nëpërmjet një rrjeti të gjerë informatorësh.

Përveç historisë së Shtëpisë dhe funksioneve të Seksionit Teknik dhe Shkencor, muzeu do të përshkruajë fakte dhe dimensione të tjera në lidhje me kontrollin e Policisë Sekrete. Një nga hapësirat e muzeut do t’i dedikohet edhe përgjuesve – mikrofonëve të fshehur. Një hapësirë e dytë do t’i dedikohet “Mikrofonëve të gjallë”, informatorëve. Një hapësirë e tretë do t’i dedikohet paradigmës së “Armikut” (objekti i përgjimit), si një mit dhe imazh paranoiak, si dhe gjithpërfshirjes së tij që e bënte të domosdoshëm gjithpërfshirjen e përgjimit. Një hapësirë e katërt do t’i dedikohet edhe lidhjes midis idesë së armikut të brendshëm dhe armikut të jashtëm, e cila ishte veçanërisht e rëndësishme në Shqipëri për arsye të vetizolimit të saj, dhe do të përshkruajë përgjimin kundrejt të huajve. Një tjetër hapësirë do të tregojë ambjentet e një dhome ndenjeje tipike shqiptare të viteve 70’ me dekorime që do shihen edhe gjatë hapësirave të dedikuara për përgjuesit dhe të përgjuarit. Dhe një hapësirë tjetër do t’i dedikohet laboratorit teknik dhe shkencor të Seksionit që merrej së shumti me zbulimin e fotove dhe filmimet sekrete duke u ndëthurur kështu vizualja (pamorja) me dëgjimoren. Kjo hapësirë do të quhet “Panopticon dhe Panacusticon”. Kjo do të jetë kurora filozofike e idesë qëndrore të muzeut, asaj të kontrollit total. Përveç shfaqjes së objekteve autentike të Shtëpisë, do të përmbajë referenca vizive (pamore) dhe tekstuale të burgut ideal, Panopticon-it, dhe nga këtu tek utopia e botës perfekte, e supozuar si shoqëria socialiste, edhe pse mori formën e një burgu në të gjithë vendin. Do të ketë edhe hapësira të tjera që do t’i shtohen kësaj me qëllim dhënien e idesë qëndrore dhe të gjitha hapësirat do të drejtojnë në drejtim të kësaj ideje qëndrore duke i lidhur ato me imazhe dhe fjalë.

Gjuha e muzeut do të jetë multimediale me një theks të fortë tek autentikja: do të konsistojë në objekte origjinale të përdorura në Shtëpi, në video, në dokumenta arkivorë, në grafikë të dhënash, në tekste shpjeguese dhe sintetike, etj.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here