Një qeveri e vogël për të zbutur pabarazinë ekonomike

0
104

Nga Anduena Qefalia

Shqipëria ka parë një rritje të shpejtë dhe të fortë të pabarazisë ekonomike gjatë viteve të fundit. Nuk ka asgjë të keqe që një pjesë e shqiptarëve pasurohen më shumë se sa të tjerët, por ekonomia nuk duhet të jetë një lojë me shumatore zero. Duhet të jetë rritja ekonomike dhe jo pjesa më e varfër e popullsisë, që duhet të duhet të furnizojë pasurimin e më të pasurve.

Të dhënat e Indeksit Gini të Bankës Botërore tregojnë se Shqipëria ka përjetuar një pabarazi në rritje ndërmjet 10% të më të pasurve dhe 50% të më të varfërve të popullsisë. Sipas këtyre të dhënave gjysma më e varfër e popullsisë përfiton më pak se 20% të të ardhurave të prodhuara në një vit. I njëjti raport tregon se 10% më të pasurit marrin rreth 30% të të ardhurave vjetore.

Një vëzhgim i fundit nga revista Monitor nxjerr në dritë një fakt të trishtueshëm. 930 mijë shqiptarë i kanë llogaritë bankare bosh. Kjo do të thotë se këta qytetarë mbijetojnë me të ardhura minimale jashtë kanaleve bankare ose pagat e tyre në banka nuk qëndrojnë asnjë ditë në llogari pasi tërhiqen menjëherë për të mbuluar shpenzime ose borxhe.

Pjesërisht kjo është pasojë e aplikimit të një politike fiskale regresive, siç e ka quajtur FMN politikën fiskale të qeverisë Rama. Taksimi i ashtuquajtur progresiv, kështu siç është aplikuar në Shqipëri gjatë 7 viteve të fundit, ngarkon me barrë më të lartë mbi shtresën e mesme. Profesionistët e lartë që marrin paga më të larta se 1.5 milion lekë në muaj taksohen me një normë më të lartë se korporatat.

Një burim tjetër i kësaj pabarazie është edhe politika e konçesioneve e përdorur me tepri nga qeveria Rama. Duke u garantuar kontrata të majme bizneseve të mëdha, qeveria i ka vënë ata në një pozitë shumë më të favorshme në treg. Kështu është rritur avantazhi konkurrues i bizneseve të mëdha të lidhura me qeverinë dhe janë dëmtuar mundësitë e konkurrencës për bizneset e vogla dhe të mesme.

Burimi i tretë përcaktues për këtë thellim të pabarazisë është lulëzimi i trafiqeve dhe aktiviteteve të paligjshme. Të ardhurat që grupet kriminale kanë vjelur nga trafiku i narkotikëve, sipas studimeve të shumëfishta, janë kanalizuar në sektorin e ndërtimit, veçanërisht në Bashkinë e Tiranës. Kjo është një mënyrë e pastrimit të parave që e forcon edhe më tej dhe në mënyrë të paligjshme pozitën e kompanive të ndërtimit që janë favorizuar me leje ndërtimi nga Bashkia e Tiranës.

Për secilën prej këtyre burimeve të pabarazisë së rritur ekonomike, Partia Demokratike ka hartuar një plan që i adreson dhe i lufton ato.

Një komponent i rëndësishëm politikave të qeverisë së z. Basha do të jetë ulja e madhe e taksave. Norma e tatimit mbi të gjithë të ardhurat personale dhe fitimin korporativ do të jetë 9%. Përvoja e viteve 2007-2014 ka treguar se taksa e sheshtë dhe norma e ulët e taksës kanë rritur të ardhurat qoftë përmes investimeve të huaja qoftë përmes vendeve të reja të punës që hapin kompanitë shqiptare nga kursimet që krijohen nga ulja e taksave.

Për sa i përket konçesioneve, z. Basha dhe Partia Demokratike janë angazhuar të kalojnë në sitë administrative të gjithë kontratat dhe konçesionet e dhëna gjatë 12 viteve të fundit. Paketa anti-mafia e përditësuar do të bëjë të mundur që paratë e përfituara në mënyrë të paligjshme t’u kthehen shqiptarëve. Buxheti i shtetit do të balancohet dhe do të rritet aftësia e financave publike për të korrigjuar padrejtësitë dhe pabarazitë që ka shkaktuar korrupsioni.

Pjesë e planit të z. Basha për paketën anti-mafia është edhe lufta kundër trafiqeve dhe pastrimit të parave. E gjithë kjo paketë dhe masat që ajo do të prodhojë do të shndërrohet në një operacion të madh kombëtar të rikthimit të konkurrencës dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Bizneset e vogla dhe të mesme nuk do të shkelen nga thundra e parave të pista që burojnë nga trafiqet dhe ekonomia e paligjshme. Gara në treg do të zhvillohet mbi bazën e cilësisë së shërbimit dhe raportit përfitim-çmim nga ana e konsumatorëve.

Ribalancimi i shoqërisë duhet të nisë nga një ekonomi më e drejtë, nga një mekanizëm tregu funksional që i jep përfitimet sipas nivelit të përpjekjes dhe resurseve të ndershme. Roli i shtetit në këtë model ekonomik do të jetë gjithnjë i vogël. Një vend me qeveri të vogël është një vend më i lirë.

Prandaj të dy vlerat e demokracisë – liritë e individëve e komuniteteve dhe shpërndarja e drejtë e të ardhurave – shërbehen mjaft mirë nga filozofia e shtetit të vogël që mbizotëron programin qeverisës të z. Basha. E ndihmuar nga planet konkrete për të luftuar pabarazitë që ka prodhuar korrupsioni, kapja e shtetit dhe lulëzimi i ekonomisë kriminale, qeveria e Lulzim Bashës i ka të gjitha mundësitë që të ndërtojë një Shqipëri më të drejtë dhe më pak të pabarabartë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here