Kastriot Dervishi: Nuk bëhet fjalë se si mund të gjenden eshtrat e ndonjë personi, por se si të ndahen ca para…

0
162

“Paraja e gjakut “ – e ka quajtur arkivisti e studiuesi Kastriot Dervishi takimin që u finalizua me firmosjen e granteve të para dedikuar OFJ-ve, me ndërmjetësim të Autoritetin e Dosjeve, për personat e zhdukur gjatë komunizmit në Shqipëri.  Numri i saktë i të humburve për shkak të ekzekutimeve, pushkatimeve, varjeve dhe vdekjeve gjatë apo pas torturave, ose nga sëmundjet gjatë vuajtjes së dënimit, në kohën e diktaturës në vendin tonë, mbetet i panjohur, por vlerësohet të jenë rreth 6 000 shqiptarë, mes të cilëve dhe të huaj, që nuk iu dihet vendvarrimi.

 

 

 

Projekti i Autortetit te Dosjeve, reagon arkivisti

 

 

“Paraja e gjakut “ – e ka quajtur arkivisti e studiuesi Kastriot Dervishi takimin që u finalizua me firmosjen e granteve të para dedikuar OFJ-ve, me ndërmjetësim të Autoritetin e Dosjeve, për personat e zhdukur gjatë komunizmit në Shqipëri.

Njoftimi që ka publikuar dje AIDSSH ishte: “Në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, në mjediset e ICMP Shqipëri, sot u firmosën grantet e para dedikuar OJF-ve nga cikli i granteve të vogla, në kuadër të projektit “Rritja e ndërgjegjësimit publik për çështjen e Drejtësisë tranzitore dhe pajtuese: trajtimi i çështjes së personave të zhdukur gjatë komunizmit në Shqipëri”, të zbatuar nga ICMP dhe AIDSSH. Projekti u bë i mundur me përkrahjen e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë. Përfituesit e parë të granteve të vogla janë Shoqata e ish të Përndjekurve në Shkodër dhe Fondacioni Kujto.al, mes 9 shoqatave dhe organizatave që veprojnë në fushën e kujtesës historike. Aktivitetet e projekteve të përzgjedhura përfshijnë mbledhjen e të dhënave për personat e zhdukur gjatë komunizmit në Shqipëri, përkrahjen e platformës online të viktimave të komunizmit, analizën e kuadrit ligjor të çështjes së ish-të përndjekurve, ndihmë juridike falas, ekspozitë të artefakteve të të zhdukurve në komunizëm dhe veprimtari të tjera që do të mbahen në të gjithë Shqipërinë, kryesisht në vendet e kujtesës. Aktivitetet përfshijnë edhe memorializimin, si aspekt i rëndësishëm i drejtësisë tranzitore dhe do të zhvillohen përgjatë vitit 2021.”

Pas këtij lajmi mbi ndarjen e granteve nga Autoriteti i Dosjeve ka reaguar arkivisti Dervishi duke u shprehur se “Siç edhe e kisha parashikuar, çështja e kërkimit të eshtrave të personave të vrarë apo të vdekur për arsye politike në regjimin komunist, nën përfshirjen e ICMP-së dhe Autoritetit “për hapjen e dosjeve”, nuk mund të vijonte veçse në një tallje mendereje. Nuk bëhet llaf se si mund të gjenden eshtrat e ndonjë personi, por se si të ndahen ca para. Kjo do të thotë se kjo çështje u duhej shokëve të përfshirë në të vetëm si sebep financiar dhe nuk ka lidhje me asnjë lloj qëllimi tjetër. Në qypin e mjaltit europian ku sigurisht ngjyhen burokratë të Brukselit në Tiranë, sipas një njoftimi të mëparshëm, janë bërë gati “grante të vogla” për shoqatat e familjeve të të zhdukurve dhe “organizatat e shoqërisë civile”, në masën 7-9 mijë euro secili. Këto u shpallën sot në zyrën e shokëve të ICMP-së. ICMP-ja është në kushtet e shkeljes së ligjit duke lidhur marrëveshje që dalin jashtë funksionit të saj të përcaktuara në marrëveshjen përkatëse. Ligji nuk i ka dhënë ICMP-së asnjë rol prifti për “rritje ndërgjegjësimi” apo gjëra të tjera. Për këtë, ka shumë arsye që marrëveshja me ICMP-në të quhet e rënë dhe kjo organizatë duhet të mbledhë leckat e të largohet nga Shqipëria. Se Autoritetin e dimë që është kot dhe pa asnjë lidhje qysh kur është krijuar.

Sipas nenin II/3 të ligjit nr.83/2018, “Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të RSH dhe Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP)”, ICMP-ja ka për detyrë analizën e mostrave të gjetura, si dhe analizat provuese të ADN-së së familjarëve që pretendojnë eshtrat e personit të dënuar me gjyq, vrarë pa gjyq, vdekur në hetuesi ose gjatë vuajtjes së dënimit. Nuk e dimë a do bëjnë analiza mostrash ata që janë përzgjedhur si kronikanë apo ndërgjegjësues, por paraja e gjakut është më e rënda se çdo lloj paraje tjetër. Nuk mund të tallesh në këtë mënyrë.”.

Ndërkohë më parë është bërë e ditur një hartë e vendvarrimeve të raportuara (pretenduara) nga familjarët e viktimave dhe ish-të dënuarit politikë në vitet 1944-1991 në Shqipëri. Sipas njoftimeve disa prej tyre janë gjetur eshtra nga kërkimet e pasardhësve, ndërsa për të tjerat ka raportime dhe dëshmi të besueshme që janë vende ku prehen të ekzekutuarit dhe të vdekurit në hetuesitë e burgjet komuniste.

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit edhe pse ka bashkëpunuar me Institutin e Integrimit të Ish të Përndjekurve Politikë dhe ICMP – International Commission on Missing Persons (Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur), kur nisi procesin e kërkimit të eshtrave në Spaç, tek pema ku dyshohej se ka një gropë masive, është konstestuar për shkak të mjeteve të përdorura, duke hyrë me eskavatorë. Në fakt kjo u quajt një skandal duke mos respektuar rregullat minimale të kërkimit. Projekti për të kërkimin e eshtrave u vendos në Samitin e Vendeve të Ballkanit mbajtur në Londër më 10 korrik 2018, në kuadër të Procesit të Berlinit, ku Shqipëria firmosi një deklaratë të përbashkët, Mbi Personat e Humbur, ku është zotuar të sigurojë hetime të paanshme dhe efektive në çështjet e personave të zhdukur dhe të angazhojë në mënyrë aktive të gjitha institucionet vendase, që janë përgjegjëse ose të përfshira në gjetjen ose identifikimin e personave të zhdukur, duke eksploruar të gjitha rrugët e mundshme për të marrë informacione të reja mbi varret.

Numri i saktë i të humburve për shkak të ekzekutimeve, pushkatimeve, varjeve dhe vdekjeve gjatë apo pas torturave, ose nga sëmundjet gjatë vuajtjes së dënimit, në kohën e diktaturës në vendin tonë, mbetet i panjohur, por vlerësohet të jenë rreth 6 000 shqiptarë, mes të cilëve dhe të huaj, që nuk iu dihet vendvarrimi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here