Këshillat e Kadaresë dhe dëshmitë e munguara të krimit serb në Kosovë!

0
107

Nga Ermal Mulosmani

Dymbëdhjetë vite pas çlirimit të Kosovës, një “omerta (kod heshtjeje) e palejueshme„ ka lënë nën perden e mjegullës krimet e lemerishme serbe. Kanë heshtur për to pikërisht ata, që kishin për detyrë ta ngrinin zërin gjer në kupë të qiellit: kronistë, akademikë, historianë, politikanë e publicistë nga të dy anët e kufirit. Opinioni publik europian e ai botëror, pikërisht ai që i kishte nxitur qeveritë dhe ushtritë e vendeve të tyre të ngrinin avionët për të bombarduar Serbinë, pas mbarimit të luftës e pritën me padurim dëshminë shqiptare. Ajo dëshmi vononte dhe kjo ishte me të vërtetë dramatike. Nuk ishte thjesht një vonesë, ishte më shumë se kaq.”

Tekstin e mësipërm e shkëputa nga eseja e Ismail Kadaresë “Mbi Krimin në Ballkan” e publikuar në vitin 2010.

Shkrimtari i madh ka qenë i vetmi që i ka paraprirë ndodhive të Kosovës me një kthjelltësi profetike. Esetë e tij për Kosovën, në të ardhmen, do të jenë burimi më i saktë i asaj që ka ndodhur dhe njëkohësisht edhe një ofshamë keqardhjeje për shurdhërinë politike dhe publicistike ndaj këshillave mjaft të dobishme të dhëna pa kursim, në çdo kohë.

Duke njohur mjaft mirë natyrën e shqiptarëve nga njëra anë dhe ambientin politik në nivelet më të larta nga ana tjetër, Kadare pati fatin të ishte shqiptari më i informuar dhe më me ndikim në botën e madhe të gjeopolitikës.

Ndjehet në fjalitë e mësipërme keqardhja e shkrimtarit për humbjen e momentit. Fjalia “Opinioni publik europian e ai botëror, pikërisht ai që i kishte nxitur qeveritë dhe ushtritë e vendeve të tyre të ngrinin avionët për të bombarduar Serbinë, pas mbarimit të luftës e pritën me padurim dëshminë shqiptare” është më shumë se keqardhëse, ka në të nota pikëllimi. Ndoshta edhe njëfarë borxhi që u kishte ai vetë personaliteteve të larta ndërkombëtare për vendimin e tyre. Një ndërhyrje bombarduese e NATO-s, e përmasave të asaj çka ishte ajo ndaj Serbisë, do të duhej që në finale të justifikohej me barbaritë serbe, masakrat, të dhunuarit, dëshmitë e panumërta. Kosova duhej t’ia dëshmonte NATO-s që situate e Marsit ‘99 ishte- një popull në buzë të greminës, në prag të vdekjes dhe ndërhyrja e saj ishte akti më i drejtë që  arsyeja humane mund të prodhonte.

Kadare shprehet i pikëlluar për këtë mosdëshmi duke vazhduar:

Me këtë mungesë, jo vetëm u hoq dorë nga detyrimi moral ndaj vuajtjes së Kosovës, por u lanë në baltë aleatët perëndimorë, ata që nuk e kishin patur lehtë të përballonin një valë të pafund kundërshtimesh ndaj ndëshkimit të shtetit serb. Sa më shumë që dëshmia vononte, aq më e pashmangshme bëhej njëfarë ftohjeje kontinentale ndaj shqiptarëve, ftohje që kishte nisur ndërkaq në Rambuje, pas mëdyshjeve të tyre të pafundme, për ti hapur udhë ndëshkimit të Serbisë”.

Këtu duhet t’i gjejmë edhe arsyet e ftohjes ndërkombëtare (të paktën sipas Kadaresë). Mes tyre filloi të zbehen arsyet e forta që nisën bombardimet 78 ditore, ndoshta  sfida më e jashtëzakonshme gjeopolitike qysh prej krijimit të aleancës – përveçse ushtarake dhe ekonomike. Dyshimet e aleatëve veç u shtuan pas luftës duke e dobësuar rolin e Kosovës si “e përkëdhelura” e perëndimit dhe Serbisë si gjakatarja e pashpirt. Rolet po fillonin të ndryshonin. Duke iu referuar sërish heshtjes shqiptare Kadare thotë:

Serbia do të përfitonte më së shumti nga kjo vonesë fatale, dhe do të nxiste kundërsulmin e saj mediatik për të përmbysur të vërtetën. Zbrazëtia e krijuar nga fshehja e të vërtetës, do të mbushej prej mashtrimit. Stinë pas stine e vit pas viti, e inkurajuar nga mpirja shqiptare, mësymja mediatike serbe do të kapërcente çdo kufi të cinizmit. Do të flitej prapë për masakra, mësymje, shtëpi të djegura, por këto nuk do të ishin më shqiptare, por serbe! Si në një skenë teatri ku ndryshohet dekori për aktin tjetër, po ndryshohej gjithçka: nga thelbi i dramës gjer te kombësia e personazheve. Tani viktimat ishin serbët dhe xhelatët shqiptarët”.

Arsyet pse shqiptarët e Kosovës hezituan t’i dëshmojnë vuajtjet e tyre, genocidin serb janë të mistershme. Në fillimet e veta ndoshta dehja nga liria e ca më vonë dehja nga heroizmi. Nëse do dëshmoheshim si viktima perfekte do të zbehej roli heroik i “çlirimtarëve” do vihej në diskutim roli i tyre në luftë e për pasojë edhe meritat e tyre në pushtetin politik të pasluftës. Pakkush u interesua për dëshmimin e plagëve të tmerrshme të genocidit serb, në dëshmimin e asaj që Kadare e quan “Katedralja e Vuajtjes” si  strategjia më e efektshme e pasluftës. Opinioni heroik inkurajoi  heshtjen në fund të gropës të zërave më të qenësishëm të vuajtjeve genocidiste serbe. Ata shiheshin si vrima e zezë në ndërgjegjen e heronjve ndërkohë që ishin pëllumbat që sollën paqen e Kosovës. E vërteta ishte kthyer përmbys. E Serbia e shfrytëzoi për mrekulli këtë paradoks.

Tashmë situata ka ndryshuar. Mesa duket Serbia po shihet si viktimë e pamerituar e një sulmi të përmasave të tilla siç ishte ai i NATO-s në vitin 1999. Sigurisht -mendojnë ata- ”ka pasë edhe teprim serb” por jo aq sa të hidhnim 2500 bomba, të vrisnim 2500 serbë dhe t’ia shkëputnim një pjesë të konsiderueshme të territorit.

E solla gjithë këtë panoramë pasi pashë një kronikë të realizuar nga Baton Haxhiu për padrejtësinë e krijimit të Gjykatës Speciale. E kishte titulluar në mënyrë cinike “Drejtësi, provoni përsëri” si një zhgënjim nga ndërkombëtarët. E pashë disa herë atë kronikë 7 minutëshe. Në fund të saj mu kujtuan fjalët pikëlluese të Kadaresë se shqiptarët e humbën shansin për t’i dëshmuar vetes dhe botës  genocidin serb dhe pse e merituan përkrahjen perëndimore.

Tani kur heronjtë e Kosovës dhe njëkohësisht miqtë e Batonit u burgosën është tepër vonë për të veshur petkun e viktimës. Koha kur duhej bërë ajo strategji, fatkeqësisht duket se ka kaluar. Atë zë tashmë nuk e dëgjon njeri më./Gazeta Express/

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here