Vetëvrasjet e pacientëve në spitalet Covid-19, kush mban përgjegjësi?

0
117

Një tjetër pacient i shtruar me Covid-19 në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’ u hodh nga ballkoni duke gjetur vdekjen. 60-vjeçari Leonard Skabona është i pesti i infektuar që ndahet nga jeta në këtë mënyrë. Humbja e jetës së të moshuarit nga Rrësheni shërben edhe si prova e pestë e neglizhimit të autoriteteve për fenomenin shqetësues të vetëflijimeve të të sëmurëve me koronavirus.

Tashmë nuk janë të panjohura efektet depresive që Covid-19 jep tek të sëmurët. Lapsi.al solli tre javë më parë një artikull të ‘Nature.com’ që shpjegon këto raste.

Është fakt se Covid-19 shtyn disa pacientë drejt aktit të vetëflijimit. Shqetësimin për trajtimin psikologjik të pacienteve e ngriti rreth dy javë më parë edhe vetë shefja e Shërbimit të Pneumologjisë në spitalin “Shefqet Ndroqi”, Silvana Bala. Ajo deklaroi se ky shërbim mungonte, duke argumentuar se pacientët asistoheshin përmes mjekëve edhe në aspektin psikologjik.

Struktura e psikologëve është shumë shpejt e ardhshme edhe në spitalin tonë. Them se efekti i mjekut psikolog nuk i mungon asnjërit, sepse mjafton një shtrëngim dore për këta pacientë. Them se edhe ky shërbim për të cilin juve flisni dhe keni shumë të drejtë, shumë shpejt do të vijë edhe do ta kenë – u shpreh Bala.

Nga Olgerta Manastirliu, ministrja e Shëndetësisë nuk ka pasur shumë reagime mbi këto vetëvrasje. Në stilin mjaft të njohur rilindas, ku politikanët dalin mbi ekspertët dhe specialistët, Manastirliu deklaroi se nuk mungonte psikologu për të sëmurët, edhe pse mjekët si Silva Bala, e cituar më sipër, thonë ndryshe.

“Është shumë i rëndësishëm dhe shërbimi psikologjik, për këtë kemi marrë masa që edhe spitali “Shefqet Ndroqi” tashmë prej disa kohësh ka psikolog. Përpos masave, edhe në shërbimin multidisiplinar. Kemi vendosur në dispozicion koordinatorë që bëjnë lidhjen e familjarëve me mjekët e pacientëve me Covid-19. Infermierët kryejnë edhe telefonata dhe video-telefonata mes pacientëve dhe familjarëve të tyre – u shpreh Manastriliu më datë 10 nëntor.

Edhe Edi Rama do të reagonte për këto raste tragjike. Më 11 nëntor ai do të sillte krahasime me botën.

“Si mund të nxirret teza që vetëvriten për shkat të kushteve në spitale. Ju bini në kurth se nuk merrni përsipër të bëni një kërkim të thjeshtë për të parë që shifrat botërisht, tregojnë atë që është paralajmëruar nga ekspertët botërisht.

Një nga pasojat e futjes së këtij armiku në trupin e njeriut, është edhe nxitja për të vrarë veten. Në Itali, janë vetëvrarë 71 persona nga marsi në gusht dhe një numër i konsiderueshëm tentativash për vetëvrasje në Francë është rritur numri i vetëvrasjeve që lidhen me Covid, kreu i klubit të futbollit të remsit. Katër persona në Gjermani kanë kryer vetëvrasje, në Britani ka pasur vetëvrasje të personelit shëndetësor , një 37-vjeçar në spital në Mbretërinë e Bashkuar tentoi vetëvrasjen në ditën e pestë, 3 mjekë rusë janë vetëvrarë duke u hedhur nga dritaret e spitalit, pas stresit emocional që paralajmërohet nga ekspertë të shëndetit në këtë situatë. 4 të vetëvrarë në spitalin e Ukrainës janë hedhur nga spitali i Kievit. Qeveria e Shqipërisë i nxit këto vetëvrasje në botë?”,u shpreh Rama para kamerave.

Çfarë tashmë është e qartë është se pesë shqiptarë të infektuar me Covid-19 vranë veten në spitale. Problemi nuk qëndron tek krahasimi me vendet e tjera, por tek mungesa e adresimit të këtij problemi që tregon se përsëritet, e pastaj tek mbajtja e përgjegjësisë.

Kush është përgjegjës për këto vetëvrasje? Cili ushtrues i pozicioneve publike që administrojnë krizën shëndetësore të pandemisë do mbahet përgjegjës për këtë neglizhim?

Në mungesë të masave të marra nga autoritetet, si vendosja e psikologëve nëpër spitalet Covid, apo edhe rrethimi me kangjella i ballkoneve që do të shmangnin këto tragjedi, dikush duhet të japë dorëheqjen.

Reklamimi me kamera që po i bëhet spitaleve është diametralisht i kundërt me faktin e errët se të shtruarit po vrasin veten. Kjo shërben si provë se për Rilindjen edhe në kohë pandemie, prioritet është propaganda dhe jo zgjidhja e problemit.

Vetëvrasjet nga të sëmurët me Covid-19 

Rasti i pari ndodhi më 13 gusht, kur pacienti Xhino Koca u hodh nga kati i tretë në gjendje të rënduar psikologjike. Më pas u publikua edhe mesazhi i fundit i Kocës, i cili në gjendje të dëshpëruar i kërkonte falje familjarëve të tij për veprimin e rëndë që po kryente, për shkak se nuk mundte dot të përballonte sëmundjen.

Pacienti i dytë i vetëvrarë në spitalin “Shfqet Ndroqi” ishte 65-vjeçari Hasan Mira nga Fullqeti i Klosit, i cili u hodh nga kati i katërt.

I treti ishte 52-vjeçari nga Tropoja, Preng Gjonaj, i cili u hodh nga kati i katërt i spitalit “Shefqet Ndroqi” më 1 nëntor. Për të u tha se gjatë ditëve të fundit kishte shfaqur edhe probleme me shëndetin mendor.

Pacienti i katërt që vrau veten i sëmurë me Covid-19 ishte Reshat Grembi. Ai u hodh nga kati i tretë i spitalit Covid 1 tek QSUT. Edhe pse u mbajt nën kujdesin e mjekëve për pothuajse një ditë, 69-vjeçari nuk mundi ti mbijetoi plagëve.

Sot, 30 minuta pas mesnate ishte Leonard Skabona ai që do të hidhej nga ballkoni i pavionit të katit të parë duke gjetur vdekjen. Siç raportohet, 60-vjeçari ka shfrytëzuar një moment kur lëvizja e mjekëve ishte e reduktuar për tu vetëflijuar. Për rastin reagoi para pak minutash edhe spitali.

“60 vjeçari i konfirmuar me COVID-19, ishte shtruar pasditen e datës 28 nëntor në spitalin “Shefqet Ndroqi”, ku iu kryen ekzaminimet imazherike dhe u trajtua me terapinë e plotë të mjekimit në pavionin e urgjencës. Më datë 29 pacienti është transferuar në pavionin e katit të parë (mbi katin përdhes) ku edhe ka kryer aktin e rëndë. Lidhur me arsyet që e çuan 60-vjeçarin drejt këtij akti ekstrem, është duke u kryer hetimi nga ana e organeve kompetente”, thuhet në njoftim. ©LAPSI.AL 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here