Kur djalin e vdekur ta ringjall Erion Veliaj…

0
142

 

Në kohën kur Edi Rama, urdhëroi kyçjen e kombit në shtëpi, nëpër mediat shqiptare vërshonin videot e Erion Veliajt me dy qese me ushqime dhe me dhjetë kamera dhe dhjetë fotografë, që duhet të filmonin dhe të fotografonin procesin kur Erion Veliaj u dërgonte qesen me ushqime të moshuarve në shtëpi.

Nuk ka asnjë kryetar bashkie në vendet e Evropës që shëtit nga një shtëpi në tjetrën me dy qese ushqimesh dhe me dhjetë fotografë me vete.

Kjo është premiera e Erion Veliajt dhe njëkohësisht poshtërim në vetë të parë për të gjithë taksapaguesit shqiptarë.

Ndër të gjitha videot e prodhuara nga Erion Veliaj, do të veçoja një video, e cila në çastin kur e pashë më shkaktoi atë ndjesi sfilitëse që i shkakton një fëmije një udhëtim i gjatë me makinë. Kur je fëmijë dhe të zë makina, je mes dëshirës për të vjellë dhe pamundësisë për ta kryer si akt. Është një gendje rraskapitëse që vetëm kush e ka provuar mund ta kuptojë.

Skenari i videos, zhvillohet si më poshtë:
Krejt “” rastësisht”” Erion Veliaj do të trokiste në një derë ku jetonte një grua e moshuar. Kjo grua e moshuar nuk “” dinte asgjë’’’ për surprizën që do t’i kish rezervuar fati atë mëngjes dhe teksa hap derën dhe gjendet përballë Erion Veliajt, shpërthen në klithma dashurie të pafundme, të cilat konkretizohen me pasthirrma të llojit : Uaaaaaaaaaaa, Uaaaaaa, Uaaaaaa!

Pasi ka përfunduar procesi i tejzgjatur i klithmave të dashurisë, do të kalohet tek procesi i puthjeve të dashurisë. Gruaja e moshuar do ta puthë me dorë në distancë Erion Veliajn, pasi ky i fundit i nënvizon faktin se nuk mund të puthen për shkak të virusit. Me të përfunduar “ Marrëveshjen e Puthjes në Distancë” do të vijohet me procesin e Ringjalljes.

Gruaja e moshuar, mes jargëve të shkaktuara nga puthja në distancë me Erion Veliaj, ( praktikisht gruaja kish puthur dhjetë here dorën e saj) do t’i pohonte këtij të fundit se djali i saj kish vdekur para 25 vitesh, por me shfaqjen e Erion Veliajt në derën e saj, djali ish ringjallur.

Me të përfunduar procesi i djalit të vdekur por të ringjallur nga Erion Veliaj, do të fillonte procesi i mirënjohjes ndaj Edi Ramës. Gruaja e moshuar do të deklaronte se Edi Rama ishte udhëheqësi më i mire në botë dhe më bujari.

Duke treguar me gisht dy qeset me ushqime ajo do të shprehej: “ Ja, këto qeset me ushqime, ai i ka sjellë. Të tijat janë.
Erion Veliaj, nën eksitimin e fjalëve të gruas së moshuar dhe me një terminologji tipike komuniste, do të shprehej: E kemi të mire komandatin, por nuk ia di kush. Ai lodhet shumë.”

Prodhimi i një video të tillë në vitin 2020 është një këmbanë e frikshme morti, për shoqërinë shqiptare e cila ka vite që është në zi morale.
Ringjallja e propagandës dhe skenave komuniste në vitin 2020, duhet të trondisë këdo në këtë shoqëri, në radhë të parë si qytetar e mandej si taksapagues.

Nëse do të kisha mundësi videon në fjalë, do ta shpërndaja në të gjitha gjimnazet e Shqipërisë dhe përmes saj do t’u shpjegoja të rinjve në këtë vend portretin e Njeriut të Ri dhe portretin e Diktatorëve.

Do të mjaftonte veç kjo video, që shoqëria shqiptare të ngrihej në këmbë dhe të mos pajtohej më me rikthimin tek propaganda dhe mentaliteti Enverian.

Ne jemi taksapagues në këtë vend. Duhet të ndërgjegjësohemi për fuqinë dhe të drejtat tona.

Post Scriptum- Nuk mund të paguajmë për skllavërimin tonë.
Elona Caslli

Image may contain: 1 person, closeup and outdoor
Image may contain: 1 person, suit
Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here