“Kundër Covid-19 apo qytetarëve”, Dasho publikon të dhënat që rrëzojnë Ramën për testimet…

0
106

Eksperti i shëndetit publik, Erion Dasho, ka publikuar në rrjetet sociale, argumentet sepse duhen kryer sa më shumë testime për vënien nën kontroll të pandemisë së Covid-19.

Dasho thekson se pavarësisht rekomandimeve të OBSH për zbatimin e trinomit Testo-Gjurmo-Trajto, në Shqipëri hidhen dyshime mbi rolin e testimeve.

Duke kundërshtuar tezat e Kryeiministrit Edi Rama dhe ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu lidhur me testimet, Dasho shkruan se sot askush nuk e di se si është situata e vërtetë në Shqipëri.

“Në se nuk teston nuk ke shans të njohësh të vërtetën. P.sh. gjatë muajve korrik-gusht-shtator Ministria raportoi 322 vdekje nga COVID, ndërkohë INSTAT për të njëjtën periudhë raportoi 1,300 vdekje nga COVID.

Pra ajo që ndodh në Shqipëri nuk mund të merret si argument pasi tek ne shifrat në rastin më të mirë janë të pabesueshme dhe, në rastin më të keq, të manipuluara”, shkruan Dasho.

Duke iu referuar situatës së pandemisë në 4 vende, Dasho shkruan se epidemia në secilin prej tyre është dominuar.

“Belgjika dhe Franca e sheshuan kurbën në fillim të nëntorit dhe sot numri i rasteve është në ulje konstante, kurse Gjermania dhe Italia e kanë arritur sheshimin e kurbës në mes të nëntorit. Pra situata në secilin prej këtyre vendeve është nën kontroll dhe po shkon drejt rrugëzgjidhjes”, shkruan Dasho.

Postimi nga Erion Dasho

KUNDËR COVID-IT APO KUNDËR QYTETARËVE?

Prej kohësh është hapur në Shqipëri një debat shterp mbi rolin e testimit për COVID. Autoritete politikë si kryeministri apo ministrja e shëndetësisë në vend që të marrin të mirëqënë rekomandimin e OBSH-së Testo-Gjurmo-Trajto, vazhdojnë të hedhin dyshime mbi rolin e testimeve.

“Argumenti” kryesor në daljet në publik gjatë javës së kaluar qoftë i personave politikë, qoftë i atyre teknikë të lidhur me politikën ka qënë se numri i lartë i testimeve nuk i ndihmoi vendet e Europës Perëndimore të shmangin valën e dytë të infektimeve dhe situata në këto vende paraqitet shumë më e rëndë se në Shqipëri. Në debate nuk munguan madje as edhe epitetet “i dështuar” për vende të caktuara.

Së pari, askush nuk e di se si është situata e vërtetë në Shqipëri. Në se nuk teston nuk ke shans të njohësh të vërtetën. P.sh. gjatë muajve korrik-gusht-shtator ministria raportoi 322 vdekje nga COVID, ndërkohë INSTAT për të njëjtën periudhë raportoi 1,300 vdekje nga COVID. Pra ajo që ndodh në Shqipëri nuk mund të merret si argument pasi tek ne shifrat në rastin më të mirë janë të pabesueshme dhe, në rastin më të keq, të manipuluara.

LEXO EDHE  I infektuar me koronavirus, ndërron jetë ish-kryebashkiaku i Kavajës

Tani të shohim se çfarë po ndodh në Europë, aty ku testohet sipas nevojës, gjurmohet dhe trajtohet, sikundër rekomandon Organizata Botërore e Shëndetit.

Në Europë ardhja e stinës së virozave nxiti valën e dytë të COVID-it. Pas një hezitimi disa ditor, autoritetet shkencore të këtyre vendeve rekomanduan zbatimin e menjëhershëm të masave kufizuese në përputhje me karakteristikat e epidemisë në secilin vend. Aty ku rritja ishte kërcënuese si në Francë e Itali, masat ishin drastike. Aty ku rritja ishte më e moderuar si në Gjermani, masat ishin më të zbutura. Qeveritë e këtyre vendeve nuk u përpoqën t’u mbushnin mendjen ekspertëve, por ndoqën këshillat e tyre.

Si paraqitet situata sot?

Një vështrim në katër vende “problematike” sipas qeveritarëve tanë, tregon se epidemia në secilin prej tyre është dominuar. Belgjika dhe Franca e sheshuan kurbën në fillim të nëntorit dhe sot numri i rasteve është në ulje konstante, kurse Gjermania dhe Italia e kanë arritur sheshimin e kurbës në mes të nëntorit. Pra situata në secilin prej këtyre vendeve është nën kontroll dhe po shkon drejt rrugëzgjidhjes.

Qeveritarët tanë do të bënin mirë të shihnin hallet tona të mëdha me epideminë dhe të pushojnë së qari hallin e kalorësve europianë të cilëve u varen këmbët. Nëpërmjet strategjive të mirëmenduara vendet europiane arrijnë të kontrollojnë dhe të shmangin problemet e lidhura me pandeminë. Ndonëse nuk ka asnjë masë e cila e vetme sjell mrekullinë, marrja e masave komplekse të drejtuara nga mendimi shkencor dhe të orientuara nga të dhënat (të cilat gjenerohen nga programet e testimit) janë baza e suksesit.

Bota mori gjatë pandemisë shumë leksione të vlefshme. Disa prej tyre të paguara shtrenjtë me çmim jetësh të humbura apo shpenzime katastrofike. Vendet e përgjegjshme mësojnë nga gabimet e së kaluarës dhe i paraprijnë rreziqeve duke reaguar në kohë ndaj situatave. Vendet që drejtohen nga qeveritarë të papërgjegjshëm kanë fatin e keq të pësojnë të njëjtën fatkeqësi sërish dhe sërish.

Klasa politike e çdo vendi vendos vetë në se do të ndjekë përafrimin e parë apo të dytin. Vetëm se duhet të jetë e ndërgjegjshme se herët a vonë do të japë llogari për zgjedhjen e bërë…

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here