Një vit pas tërmetit – Rama premtoi strehë për të gjithë, realizoi 48 shtëpi…

0
131

Jemi një vit pas tërmetit tronditës të nëntorit të vitit 2019, ku mbi 13 mijë familje ngelën pa strehë, për shkak të dëmtimit. Edi Rama premtoi se në krye të vitit, të gjithë do të ishin në banesat e reja. Plani është për të ndërtuar 200 pallate, dhe rreth 3 mijë godina private. Po si është gjendja dhe ku është procesi i rindërtimit. Gazeta MAPO bën një analizë të shifrave dhe sjell vëzhgimin e bërë nga afër në dy zona të prekura. Gjatë gjithë kësaj kohe, ka bombardim me propagandë të përditshme nga rilindja, ndërkohë që mijëra njerëz po bëhen gati të kalojnë dimrin e dytë në çadra. Të dhënat që ka PD, flasin për vetëm 48 shtëpi të mbaruara deri tani. Qeveria po e shtyn vazhdimisht afatin e rindërtimit. Së fundmi ministri Ahmetaj tha se duhet edhe 1 vit e gjysmë. Rama ndërkohë ka premtuar se banorët e Shijakut do ta kalojnë këtë Vit të Ri në shtëpitë e reja.

 

Më 23 nëntor të vitit 1980, në Irpina, provincë e Napolit një tërmet me magnitudë 6.9 ballë do shkaktonte 2941 vdekje, 8848 të plagosur dhe 280 mijë persona i la të pastrehë. Për rindërtimin në Basilicata dhe Campania, u shpenzuan në atë kohë 50 mijë miliardë lira, ose rreth 25 miliardë dollarë me kursin e kohës. Një vlerë që e kalonte disa herë vlerën e rindërtimit. Kjo shumë u shpenzua për një periudhë kohore njëvjeçare. Rreth 13 vite më vonë një komision hetimor parlamentar Antimafia evidentoi se administrata lokale dhe pjesërisht ajo qendrore ishte vënë në shërbim të mafies duke i alokuar shumicën e fondeve të akorduara për këtë qëllim.

Shifrat e fryra, dhe dërgimi i parave te persona që në shumë raste nuk ishin prekur nga tërmeti i kishin shkaktuar buxhetit një dëm jo të vogël. Kryeministrat Spadolini dhe Furlani, shpenzuan gjithsej 50.619 miliardë lira nga të cilat më shumë se 44 miliardë nga buxheti dhe pjesa tjetër nga fondacionet bamirëse. Shumica e këtyre parave kishte shkuar për Kamorrën, mafia lokale e Napolit, në luftë të vazhdueshme me organizatën tjetër mafioze me bazë në Siçili, Cosa Nostrën.

“Ndryshe nga Cosa Nostra, Camorra nuk kundërshton një urdhër shtetëror, por merr pjesë aktive në çrregullimin shoqëror. Aty ajo paraqitet përherë me dy fytyra. E para drejtohet drejt dëshpërimit shoqëror, të cilin e kontrollon në forma nga më të ndryshmet. Fytyra tjetër drejtohet drejt pushtetit, në një marrëdhënie shkëmbimi, nga e cila rezulton se më shumë i duhet Kamorra pushtetit se anasjelltas”, thuhet në një pjesë të raportit të Komisionit antimafia të vitit 1993. Më tej rindërtimi u përdor dhe për fushata elektorale, duke u shtyrë kohë pas kohe.

**

Shqipëria i paraqiti Bashkimit Evropian një bilanc prej 1.2 miliard euro dëme si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit. Në bilancin paraprak, shifra ishte shumë më e ulët se ajo që iu paraqit më pas Europa House. Për shembull në Tiranë u shpallën vetëm katër pallate të pabanueshme dhe 196 të tjerë të dëmtuar në vlerësimin e dy muajve pas tërmetit. Por në raportin përfundimtar u vlerësuan se për t’u prishur ishin dhjetëfishi i tyre, pra 41 pallate. Ndërtesa kryesisht të kohës para diktaturës të cilët janë ndërtuar me punë vullnetare. Pallate që ekzistojnë në çdo cep të Tiranës.

Por si ndodhi që u shtua menjëherë kaq papritur numri i pallateve dhe banesave që duhen shembur? Këtë përgjigje duhet ta japin institucionet, por duket se një skandal i madh është bërë në lidhje me faturën e rindërtimit. Gazeta MAPO ishte në zonën e kombinatit ku janë parashikuar të shemben shtatë pallate të ndërtuara mes viteve ‘67-70.

Një lagje e tërë, ndoshta lagjja më e sistemuar është zbrazur që prej një viti nga banorët e saj, të cilët tashmë u janë drejtuar shtëpive me qira. Aty ku ata dikur kanë rritur fëmijët, sot apartamentet e tyre janë kthyer në qendra droge dhe prostitucioni, ku qejflinjtë e veseve gjejnë veten. Të shndërruara në gërmadhë nga zhvendosja e njerëzve ata akuzojnë, për një veprim arbitrar, pa transparencë që prej një viti i ka kthyer në bujtës.

**

Në shtëpitë e tyre ata nuk kanë asnjë gërvishtje. Bizneset poshtë pallateve vazhdojnë të punojnë, dhe të paguajnë taksat në bashki. Një paradoks shqiptar. Teksa njerëzit poshtë pinë kafe të pashqetësuar, lart apartamentet janë zbrazur me pretendimin se pallatet janë në rrezik shembjeje. Do përdoret për truall ndërtimi apo për afera korruptive me fondet? Kjo është pyetja që i shqetëson banorët e kombinatit sot. E megjithatë askush nuk jep përgjigje.

Njësoj si në Irpinian e para 40 viteve dhe atje janë turrur të gjithë. Oligarkët e ndërtimit dhe betonit, kush e kush të zhvasë ndonjë copë. Vetë qeveria pret me sytë nga Evropa që t’i zhbllokojë fondet. Kjo do i shërbente për dy qëllime, e para do e shfrytëzonte hallin e tyre për të rrahur gjoksin, dhe e dyta çka është më e rëndësishmja për të përfituar paratë e taksapaguesve të Evropës për të ushqyer dhe mbajtur në këmbë makinerinë e krimit të organizuar dhe mafies që i siguron pushtetit.

Në majën e kësaj piramide duket se qëndron Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili paraqet shifra të frikshme të rindërtimit. Kur për një shkollë si “Sami Frashëri”, ka llogaritur 5 milionë euro, imagjinoni sa mund të jetë fatura për një lagje të tërë. Kjo që po ndodh nuk është asgjë tjetër vetëm se një ripërsëritje e mënyrave të Camorrës përgjatë viteve ‘80, këtë herë në kryeqytetin e Shqipërisë. Dhe të përdorësh një fatkeqësi për përfitime elektorale dhe interesa të krimit, është vërtet e dhimbshme.

Një vit pas tërmetit, banorët e kombinatit pa shpresë për shtëpinë e re

Rrugicat e kthyera në lulishte mes pallateve dhe kafenetë e bizneset e tjera që qëndrojnë hapur nuk të bindin se jemi pikërisht në lagjen e kombinatit, e cila pritet të shembet. Asnjë shirit i policisë apo shenjim tjetër dallues nuk të tregon se jemi pikërisht në zonën e goditur më fort nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 në Tiranë dhe ku një grup pallatesh u shpallën nga bashkia të pabanueshme. Bëhet fjalë për një grup pallatesh 5-katëshe me tulla të bardha, të ndërtuara me punë vullnetare në kohën e komunizmit. Këto ndërtesa janë kthyer në karabina të trishta të rrethuara nga rrugicat me gjelbërim dhe disa vila private. Kur u afrohesh kupton që janë të pabanueshme, madje shumicës prej apartamenteve u janë marrë dhe vetratat e xhamat e dritareve.

Kur ka kaluar 1 vit nga tërmeti i fortë që tronditi vendin, qindra familje që kanë marrë plaçkat për t’u shpërngulur në shtëpi me qira nuk janë më të bindur se kanë bërë veprimin e duhur. Ata kanë qenë të trembur pas tërmetit dhe të tronditur nga vdekja e një vajze të re që ndodhi pikërisht në shkallët dalëse të njërit prej pallateve. “Vajzës i ra parapeti i pallatit në kokë, ishte dëmtuar dhe nga tërmeti i shtatorit parapeti, por më 26 nëntor ra. Por po ta shohësh me kujdes ky pallat nuk ka dëmtim tjetër përveç parapetit që ra nga tarraca”- na thotë Xhelal Çika, i cili banonte në pallatin përkarshi.

Xhelali është shumë i revoltuar me pritjen e gjatë për të marrë shtëpinë e re. Madje ai është i bindur që ka bërë gabim që ka lënë shtëpinë e tij, brenda së cilës na fut duke na treguar muret e padëmtuara nga tërmeti. “Edhe me tërmetin e shtatorit dhe të nëntorit kishte rënie të suvasë dhe unë e rregullova vetë”- thotë ai. I mbetur pa punë nga pandemia Xhelali merr nga shteti bonusin e qirasë prej 220 mijë lekësh të vjetra me të cilët nuk ka arritur dot të marrë as një shtëpi në një lagje periferike të qytetit, ku paguan 250 mijë lekë të vjetra në muaj për të jetuar me familjen e tij prej 7 anëtarësh. Xhelali dhe si ai dhe 60 familje të tjera të këtij pallati dhe banorët e pallateve përreth janë të paqartë se kur do të shohin derën e shtëpisë së re.

Premtimet e ditëve të para pas tërmetit ishin të bukura; do shemben këto pallate të vjetra dhe do të ndërtohet një lagje e re, por asnjë gjë nuk është bërë që atëherë. Pas 1 viti nga braktisja këto pallate janë kthyer në një vend pasigurie për banorët përreth. “Këtu janë futur hajdutët, vijnë drogaxhinjtë”, na thotë një grua e moshuar e cila rri ulur në stolin përballë ish-shtëpisë së saj. “Ne do të kthehemi këtu, do të na e bëjnë shtëpinë e re këtu, se këtu kam lindur e rritur fëmijët, ku të shkoj?” – thotë ajo duke na e shprehur neve revoltën që në fakt e ka me shtetin dhe premtimin e pambajtur.

Por, gruaja e moshuar nuk dëshiron të na tregojë emrin se “mos prish ndonjë punë”. Këtë fjali e dëgjojmë shpesh te banorët, të cilët nuk duan të flasin me emër dhe pse besojnë se janë në të drejtën e tyre për të protestuar.

Në barin e vogël poshtë njërës prej godinave që gjithashtu do të shembet sipas vendimit të bashkisë, një burrë pensionist që po pi kafen e mëngjesit me mikun e tij na tregon për dramën e të vëllait. “Më shumë se 40 vjet në atë shtëpi im vëlla, ka derdhur djersën e një jete dhe tani ka ikur me qira larg.

Një ditë erdhi me gruan dhe i tha ngjitu lart qaj për mundin e djersën tonë, për shtëpinë tonë se s’do e shohim më”. Të dy miqtë janë të bindur se pas rindërtimit të kësaj lagjeje fshihet ndonjë aferë e madhe parash dhe se pallatet e reja nuk do t’i gëzojnë banorët. Në fakt kjo teori është kthyer nga një bisedë kafenesh në gati një bindje për shumicën prej tyre. Mes tyre janë përhapur fjalët se pallatet e reja që do të ndërtohen për ta mund të bëhen në një zonë tjetër të Tiranës, diku në Vaqarr apo Pezë, por të gjitha këto janë vetëm fjalë, për aq kohë sa nga qeveria ekziston vetëm një premtim me një moket të bukur ku tregohet lagjja e re e premtuar si rilindje e së vjetrës.

“Ne s’kemi asnjë kontratë me qeverinë apo bashkinë, asgjë, përveç një kontrate për bonusin e qirasë e cila është rinovuar përsëri për 1 vit tjetër. Ndaj nuk e dimë fare se ku dhe sa shtëpi do të na japin. Kemi vetëm premtime me fjalë goje”- thotë Xhelali.

Por jo të gjithë janë larguar prej godinave të shënuara për shembje. Tahir Barkaj, 60 vjeç, me profesion hidraulik, nuk ka pranuar ta lërë shtëpinë e tij në katin e parë të një tjetër pallati. “Nuk e kam pranuar kontratën e qirasë prej tyre, nuk e dua, do të jetoj në shtëpinë time”- thotë ai, i bindur se pallati i tij nuk ka pasur dëmtime të mëdha që rrezikonin shembjen e tij.

Si Barkaj janë dhe pronarët e dyqaneve në katin e parë të disa godinave 3-katëshe, të cilat janë ngritur për këtë qëllim që para vitit 1990. Ata vazhdojnë punën me bizneset e tyre dhe paguajnë taksat, edhe bashkia nuk i ka shqetësuar. “Mua më nxorën pretekstin e emergjencës natyrore në fillim pas tërmetit, por pastaj urdhri i dytë për kompensim të qirasë erdhi vetëm për banesat, jo për bizneset. Por unë e kam blerë, e kam me hipotekë, si do bëhet me mua, nuk do të kompensohem unë për dyqanin nëse shembet”, thotë pronari i një dyqani mishi.

Por nuk dihet si do ia bëjnë këta banorë që jetojnë akoma aty pas datës 15 nëntor, afati që njësia minibashkiake ka vendosur për ndërprerjen e furnizimit me drita dhe ujë në zonë.

Për qindra banorë të këtyre pallateve ky ka qenë një vit jo i lehtë. Janë detyruar të ndryshojnë shtëpi, zonë banimi, të largohen nga të afërmit, të lënë mobiliet e tyre nëpër magazina. U shpërngulën nga shtëpitë duke besuar se po shpëtonin jetën nga ndonjë tërmet tjetër, por tani shpresat se jeta e mëparshme me sigurinë e mureve që u jep fjala shtëpi duket se janë të vakëta.

Janë rindërtuar vetëm 48 banesa, nga 3389 të dëmtuara

Një shesh ndërtimi i miratuar në Vaqarr rreth 3 kilometra larg Kombinatit ku do të ndërtohen 21 banesa individuale vetëm sa është rrethuar nga llamarinat. Tokës i ka dalë pronari dhe truallin e ka bllokuar gjykata. Banorët thonë se u punua vetëm dy muaj, për shembjen e disa ndërtesave të vjetra të një ish-reparti ushtarak. Vetëm kaq. Puna është pezulluar dhe në sheshin e planifikuar në rrugën “5 Maji”. Edhe aty heshtje. Ndërkohë kryetari i Bashkisë dhe i gjithë kabineti qeverisës inaugurojnë ndonjë shtëpi tek-tuk siç ishte ajo e Baldushkut. Shifrat janë kokëforta, dhe s’mund t’i zbusë asnjë lloj propagande.

Shpenzime

Nga 3,389 banesa individuale që u vlerësuan DS3 në tërmetin e 26 nëntorit si të pabanueshme dhe për t’u shembur, janë ndërtuar vetëm 48 të tilla. Pra, rreth 1.5 për qind e totalit. Ndërsa për pallatet që do rindërtonte qeveria as që bëhet fjalë. Vetëm për Bashkinë e Tiranës janë menduar të ndërtohen 92 pallate për 4646 apartamente, ndërsa duhet të ndërtoheshin dhe 565 banesa individuale kryesisht në rrethina. Por duke u nisur nga numri i përgjithshëm në rang vendi, merret lehtë me mend se çfarë është bërë.

Në relacionin e buxhetit për vitin 2021, thuhet se pallatet janë në proces prokurimi, ndërsa nuk jepet një informacion i saktë se çfarë po bëhet me rindërtimin e banesave individuale. Shpenzimet kanë qenë marramendëse. Mendohet se për rindërtimin deri më tani janë harxhuar rreth 117 milionë euro nga 150 milionë të akorduara në momentet e para të pandemisë.

Kryesisht paratë kanë shkuar për qira, apo për riparimin e shtëpive që janë lehtësisht të dëmtuara. Por edhe për këtë pjesë mungon transparenca duke lënë hije të forta dyshimi. Mendohet se një pjesë e mirë e fondeve, janë shpërndarë te persona që nuk kanë pasur asnjë dëmtim në shtëpitë e tyre me lidhje të forta me krerët lokalë, apo militantë të pushtetit. Gjithsesi kjo kërkon një hetim më të specializuar.

Gjimnazi “Sami Frashëri”, skandali me deklaratat dhe shifra marramendëse e ndërtimit

Në fund të shtatorit, kryetari i Bashkisë Erion Veliaj së bashku me dy ministra do dilnin për përurimin e nisjes së punimeve në shkollën “Sami Frashëri”, i shembur nga vetë Bashkia Tiranë. Në fakt, vetë historia e kësaj shkolle fsheh pas një skandal të madh, dhe është treguesi më i qartë se po abuzohet me fondet e rindërtimit. Veliaj do deklaronte se rindërtimi i objektit do kushtonte 4.5 milionë euro, dhe fondet do jepeshin nga Bashkimi Evropian.

“Lajmi i mirë që na erdhi nga Brukseli dhe nga kryeministri dje ishte që e gjithë shuma që u kërkua, u realizua. Shkolla “Sami Frashëri” do të jetë e para që do të përfitojë nga grantet e qeverisë të fituara në Bruksel për Bashkinë e Tiranës” do shprehej Veliaj. Por në një reagim të prezencës së BE-së në Tiranë të datës 5 nëntor, thuhet se: “Shkolla “Sami Frashëri” nuk është pjesë e programit “EU4Schools” dhe nuk do të përfitojë nga mbështetja financiare e BE-së për rimëkëmbjen nga tërmeti. Shkolla nuk është në listën e përfunduar dhe të publikuar të fazës së parë të programit.

Po ashtu, nuk është parashikuar ndër institucionet arsimore që do të përfshihen në fazën e dytë. Lista për fazën e parë të programit mund të gjendet në faqen e internetit të UNDP-së, partneri ynë zbatues për programin “EU4Schools” thuhet në reagimin e BE-së në Tiranë. Por shifra prej 4.6 milionë euro duket se është e ekzagjeruar.

Në rast se i referohemi rindërtimit të shkollave në Aquila, pas tërmetit të vitit 2009 kostoja nuk shkonte më shumë se 800 mijë euro për rindërtimin e tyre. Mos harrojmë se Italia është anëtare e BE-së dhe standardet e shkollave atje janë të përcaktuara. Se çfarë do i bëjë Erion Veliaj një gjimnazi, me 4.6 milionë euro, me hapësirë të kufizuar ndërtimi atë e di vetëm ai. Por me gjithë këtë shumë stratosferike, sërish gjimnazi “Sami Frashëri”, ka mbetur vetëm një shesh i zbrazët ndërtimi. Urojmë që ndërtesa të bëhet sërish shkollë, ashtu siç ishte dhe akuzat për ndërtimin e ndonjë kulle atje të jenë të pavërteta.

Mapo.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here