Një grusht njerëzish në Teatër, si u goditëm nga pushteti…

0
135

Aktorja Adriana Tolka, një prej aktivisteve të Lëvizjes, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, që ka qëndruar e rezistuar që nga dita e parë kur u hodh ideja për të projektin e ri të Teatrit, shembjen e tij, e deri sot në kauzën për ndërtimin e teatrit ashtu si ishte, aty ku ishte, në një refleksion se çfarë ka ndodhur në ditët e protestës, gati 3 vjeçare

 

Nga Adriana Tolka

NE JEMI

Çdo ditë e më tepër kuptojmë, se është mision i një shkalle shumë të lartë vështirësie toleranca dhe mirëkuptimi mes njerëzve. Pandemia po e bën gati të pamundur dhe duket, se paqja te njerëzimi qenka një koncept po aq hyjnor dhe i paarritshëm, sa edhe lumturia sipas filozofëve. Mungesa e diskrecionit, ose më shqip, fol la e pa la, si edhe shfryrja përmes gjuhës së urrejtjes duket, se shumë personave u mbush boshllëqet brenda vetes, mosrealizimet personale, ca nga mjedisi shterpë, ku jetojmë, ca nga natyra jonë shqiptare, e cila e ka zakon ta gjejë fajin te tjetri dhe asnjëherë te vetja.

Kauza për mbrojtjen e teatrit priti e përcolli shumë syresh, të cilët deshën, s’deshën, i shpalosën shumë anë të karakterit të tyre: qoftë në mënyrën si përshëndesnin, sa hynin në oborr të Teatrit; qoftë si diskutonin para mikrofonit; qoftë si thashethemnonin; qoftë si nxirrnin në shesh ndonjë qëllim të tyre, përse ishin në kauzë, i cili jo rallëherë, thellë-thellë nuk kishte lidhje me dashurinë për Teatrin; qoftë si ofroheshin për shërbime të ndryshme me vlerë për qëndresën; qoftë si këmbëngulën për t’i çuar gjërat deri në fund, deri sa sot jemi një grusht njerëzish, që kemi mbetur aktivë. Një grusht njerëzish, që shumë mund t’i konsiderojnë romantikë e Don Kishotë, jo largpamës ashtu si shumica në këtë vend, që ka mençurinë të jetojë në lartësinë e fjalës së urtë popullore: urtë e butë e plot tigani. Është ky grup njerëzish, të cilët, veç lavdërimeve nga dashamirës e të keqardhur për tragjedinë tonë të madhe teatrore, marrin goditje çdo ditë. Goditjet nga pushteti, nëpërmjet minjve të tij, janë të kuptueshme. Është fatkeqësi edhe më e madhe, kur, nga e liga dhe ndonjëherë nga verbëria e keqinformimi, sulmet vijnë nga të tjerë njerëz, deri dje të rreshtuar krah nesh. Ne, të fundit e mbetur, si shkëmbi, që duron të gjitha kusuret, tërë rrebeshin e shpifjeve nga ata, që përsëri sipas fjalës së urtë: kërkojnë shokë të vetes. Më e bukura është, se njerëzit, që na janë afruar me superlativa, na kanë larë faqet me të puthura plot pështymë, sa jemi çuditur: “Çfarë kam bërë, që të meritoj nga kjo ose ky të tillë afeksion?”, kanë qenë më të egrit me deklarata të mllefosura kundër çdokujt, që vazhdoi deri sot me konsekuencë në mbrojtje të teatrit dhe që mbajti fort shokun pranë tij, të mos e merrte lumi i së keqes përçarëse.

E kuptojmë gjithë këtë keqdashje. Sepse ne jemi ndryshe nga trendi. Ne nuk ndjekim modën, po arsyen e zemrës. Sepse nuk rrojmë vetëm për rehatinë e trupit, por e kemi shumë me merak cilësinë e ushqimit, që i japim shpirtit. Sepse ne jemi pasqyra, ku ata përplasen pa vullnetin e tyre dhe shohin sa ndyrë jetojnë, nën parullën: shpif, shpif, se diçka do të mbetet. Sepse e dinë mirë, që mbrojtja më e mirë është sulmi. Dhe meqë atë kokovenë e kuqe nuk e bëjnë dot të gjithë, parapëlqejnë më shumë të ulin figurën e realisht më të fortit, për të fituar, sipas tyre, vlerësim për veten. Meqë jemi te teatri, kjo është si ajo puna e pseudoartistëve, që i kemi dëgjuar shpesh të thonë: të ulemi te niveli popullor, se ndryshe nuk na kuptojnë. Jo, or jo. Teatri është piedestal. Artistët e teatrit i tërheqin masat dhe i ngrejnë te niveli i teatrit të vërtetë. Pak nga pak, le të marrë, sa kohë të dojë. Por asnjë gjë e madhe dhe e bukur nuk ndodh lehtë dhe shpejt. Qëndresa në kohë dhe në vështirësi është thelbi i jetëgjatësisë së themeleve dhe mureve të fortave. Ashtu si ndodhi dhe vazhdon të ndodhë me qëndrestarët e teatrit. Ne nuk jemi si shumica, që presin t’u bien të mirat nga qielli. Nuk jemi ata, që sulmojnë nga rehatia e divanit. Nuk lëpijmë aty, ku kemi pështyrë dhe nuk pështyjmë dorën, që na shtrihet me zemërbardhësi. Refuzojmë të jetojmë në llum dhe frymojmë kundër rrjedhës, për ndryshimin e madh. Një mision, që u jep kuptim madhor jetëve tona.

Shumë njerëz e kanë qëllim të duken kudo. Dhe falë teknologjisë, të dokumentohen kudo. “Bëj një të mirë dhe hidhe në lumë.” Këtë frazë të urtë e ka marrë lumi me kohë. Madje nesër, pasnesër, të mos çuditet askush, kur ndonjërit prej qëndrestarëve të vërtetë të mos i gjendet nami e nishani kund, sepse censura e zilisë dhe e mllefit, shokëni, ta shkruan historinë, si ia do qejfi. Dhe do ti, që krijesat me këtë zili e mllef ndaj vlerave të vërteta njerëzore e kanë vaj edhe me mediat, që me aksesin, që u japin, i ushqejnë në keqdashjen e tyre, në krimin e tyre. Sepse të themi të vërtetën, mediat vdesin për tallava dhe krijesat në fjalë janë mjeshtre performancash të tilla.

Jemi ende një grusht njerëzish te Teatri. Vjen ndonjë vizitor kalimthi ose ndonjë mendimtar tjetër, që na këshillon të biem në sy më shumë. Sepse nuk po bëjmë më gjëra të bujshme dhe, sipas tyre, bota nuk e di, që ekzistojmë ende. E kuptojmë, që moda këshillon, se po nuk u vu tellalli, siç bën çdo ditë pushteti, po nuk bëre zhurmë, se çoç po bën, perceptimi në publik është, se nuk po punohet. Po ne me kokëfortësi ecim me të vjetrën: punëshumë e pa bujë. Durimi, shokë (ndjesë antikomunistëve, po këtë fjalë të lashtë nuk ia heqim dot shqipes), durimi. Dhe besimi e respekti për bashkëluftëtarin. Janë armët tona më të forta.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here