Portali Exit.al lajmeroi keto dite se priten te krijohen te pakten 3 parti nga e djathta. Sipas tyre, Jozefina Topalli do krijojë një parti të re, ndërkohë që burimet thonë se ajo po mbledh firmat.
Por krijimin e këtyre partive të djathta e kishte paralajmëruar para disa ditësh kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
“Ne e kemi këtë betejë shumë të rëndësishme. Kjo është hera e para në histori që PS futet në betejë e bashkuar, ku nuk del asnjë parti tjetër për të sfiduar PS-në.
Kjo është hera e parë që pala tjetër del e përçarë në 5 parti. Mbajeni mend, do i numëroni ditët tjera. 5 parti nga e djathta. Imagjinoni nuk bëjnë dot zap shtëpinë e tyre,” tha Veliaj.
Eshte mjaft e dukshme se qëllimi i PS-së këtë kohë është bërë përçarja e opozitës, duke nisur që nga manovrat me ndryshimet kushtetuese të njëanshme e deri te përpjekjet për të ndarë të djathtën.
Pyetja që lind është se çfarë dinte Erion Veliaj për këto parti të reja? Kush po e sponsorizon ngritjen e tyre? Cilët biznesmenë dhe korporata publike janë investuar pas tyre?
Humbja e pushtetit ka bërë që PS të bëjë gjithçka për të ruajtur benefitet e qeverisjes, ndërkohë që në ditët në vijim do zbardhen të tjera detaje nga kjo histori me partiçka.