Mësuesit e infektuar me Covid-19, Vokshi reagon ashpër: Po fshihen rastet, situata jashtë kontrollit. Prindërit nuk njoftohen…

0
98

Albana Vokshi, ish-deputete e PD, ka reaguar nga shkolla “Emin Duraku” në Tiranë, ku janë infektuar 8 mësues dhe 20 të tjerë ndodhen në karantinë në pritje të përgjigjeve të tamponit.

Vokshi tha se situata në shkolla është e rëndë, ndërsa akuzoi Qeverinë se nuk merr asnjë masë, fsheh rastet me COVID. Sipas Vokshit, shkollat nuk lajmërojnë prindërit lidhur me rastet e shfaqjes së virusit, ndërsa sipas të dhënave të PD rezultojnë të prekur 320 arsimtarë dhe nxënës.

“Situata është krejt jashtë kontrollit dhe qeveria duket se e ka lënë atë në rënie të lirë dhe nuk po merr asnjë masë. Shkollat në 90% të tyre janë pa kushtet minimale higjieno sanitare, janë pa ujë të rrjedhshëm, janë pa sapun, mësuesit janë të lodhur, janë të rraskapitur, janë të keqtrajtuar, janë të shfrytëzuar me dhjetëra orë të papaguar në javë, pavarësisht se ato sikurse edhe mjekët janë në vijën e parë të betejës me virusin Covid-19 duke rrezikuar çdo orë mësimore shëndetin dhe jetën e tyre.

Vetëm pak ditë më parë për fat të keq një mësues, një tjetër prind, një drejtues i shkollës në Paskuqan humbi jetën. Pikërisht kjo humbje jete e një mësuesi, kjo rritje eksponenciale e numrit të mësuesve dhe të nxënësve të rezultuar pozitiv me Covid-19 duhet t’u shërbente si kambanë alarmi për qeverinë, për Ministrinë e Arsimit, për ministren Kushi për t’u shkundur, megjithëse e marrë me shumë vonesë, masat e duhura për të krijuar ambientet e përshtatshme dhe të sigurta për mësimdhënie për mësuesit dhe për nxënësit.

Por qeveria, Edi Rama, nuk ka prioritet as mësuesit, as nxënësit, prioriteti i vetëm është që paratë e buxhetit të shtetit të dërgohen në parajsa fiskale, të dërgohen në xhepat e oligarkëve, të dërgohen në pagesa për inceneratorët me kompani fantazëm dhe jo të mbështeten e mësuesve, për mbështetjen e nxënësve dhe për mbështetjen e mësimdhënies cilësore”, tha Vokshi.

Në denoncimin e saj nga shkolla “Emin Duraku”, atje ku rezultojnë të prekur të paktën 8 mësues, Vokshi theksoi se “nga drejtoria e shkollës nuk është bërë asnjë njoftim për prindërit e nxënësve, në mënyrë që prindërit vetë, përtej masave që merr shkolla, përtej masave që merr qeveria, të mund të marrë masat e duhura për të siguruar mirëqënien dhe shëndetin e fëmijëve të tyre”.

“Pavarësisht kërkesave të njëpasnjëshme nga ana e prindërve, nga ana e Këshillit të Prindërve, drejtoria ka refuzuar që t’u japë në vijimësi informacion për mësuesit që rezultonin pozitivë në “Shkollën Emin Duraku”.

Zëvendësimi i mësuesve të karantinuar apo mësuesve që kanë rezultuar pozitivë me mësues në dispozicion, nuk është zgjidhje.

Kjo jo vetëm se ka çorientuar dhe ka sjellë amulli në programin mësimor të nxënësve të kësaj shkolle, me orë të tepërta shtesë të panevojshme, por nuk është bërë asnjë tamponim, nuk është marrë asnjë masë për tamponimin e nxënësve të klasave ku kanë rezultuar mësues pozitivë dhe gjithashtu asnjë prind nuk është kontaktuar nga institucionet përkatëse, nga ISHP-ja, mjeku i familjes.

Kështu nuk dihet ku janë vatrat e përhapura të Covid 19 ndër nxënës apo tek familjet dhe tek prindërit e tyre.

Në këtë mënyrë nuk mund të izolohen rastet dhe nuk mund të ndërpritet zinxhiri i infeksionit. Virusi është përhapur kudo.

Vetëm javën e fundit, nga informacionet që vijnë në PD, janë me dhjetëra rastesh mësuesish, dhjetëra raste nxënësish, duke e çuar numrin total në më shumë se 320 mësues dhe nxënës të infektuar me Covid 19, të izoluar dhe të karantinuar.

Sigurisht ky numër është shumë herë më i madh, por drejtorët militantë duke zbatuar urdhrin për kodin e heshtjes, nuk bëjnë publike rastet dhe nuk informojnë jo vetëm mësuesit por edhe prindërit e nxënësve që mësojnë në shkollat e tyre.

Unë dua të sjell në vëmendje për të gjithë ata drejtues të cilët nuk bëjnë publik rastet e mësuesve apo të stafit të shkollave që janë pozitiv, dua të sjell në vëmendje që pikërisht që ndryshimet e fundit të Kodit Penal i konsiderojnë përhapjen me qëllim apo pa qëllim të pandemisë Covid 19, si vepra penale e cila dënohet me burgim”, tha Vokshi.

Në vijim ajo u shpreh se PD kërkon që të bëhen testime masive për çdo mësues në çdo shkollë të Shqipërisë.

“Kjo është mënyra e vetme për të krijuar hartën e përhapjes së Virusit të Covid 19 dhe për të ndërprerë zinxhirin e infeksionit.

Të krijohen kusht higjieno – sanitare në çdo shkollë, të ketë ujë të rrjedhshëm, të ketë sapun, të ketë dezinfektantë, të bëhet dezinfektimi i përshtatshëm i ambienteve midis orëve të mësimit.

Ato shkolla që nuk plotësojnë kushtet minimale higjieno – sanitare, apo nuk respektojnë protokollin e sigurisë, duhet të mbyllen dhe të sigurojë ambiente të tjera për kushte të sigurta për mësimdhënie për fëmijët dhe mësuesit.

Të sigurohen maska falas dhe dezinfektant për mësues dhe nxënës.

Është e rëndësishme që qeveria të reagtojë sot sepse nesër mund të jetë shumë vonë.

Kjo për faktin se pjesa më e madhe e mësuesve janë në fashën moshore më të prekur nga virusi Covid 19.

Shto edhe faktin që një pjesë e tyre mund të jenë të sëmurë kronikë, mund të kenë sëmundje bashkëshoqëruese”, tha ajo.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here