Fëmijët që bëjnë 12 kilometra në këmbë për në shkollë dhe ‘aeroportet’ e Ramës

0
127

Në fjalimin e tij të gjatë përpara Asamblesë së Partisë Socialiste, Edi Rama, foli 7 minuta për ato që kishte arritur qeverisja e tij në 8 vite dhe 7 minuta, për “veprat” që do të bënte gjatë mandatit të tretë të cilin “nuk e donte për vete, por për Shqipërinë”.

Shtatë minutat e premtimeve, u mbushën me aeroporte në çdo cep të Shqipërisë, me porte të reja dhe autostrada blu e të të gjitha ngjyrave.

Në të njëjtën ditë, po këtë të premte, BIRN publikoi një reportazh të gjerë me titullin; “Në kërkim të mundësive të barabarta; nxënësit në një fshat të Klosit bëjnë autostop për në shkollë”.

Aty përshkruhet se si dhjetëra fëmijë nga fshati “Plani i Bardhë” detyrohen që të bëjnë autostop kamionëve të kromit, për të mbërritur në shkollën 12 kilometra larg në Klos, ndërsa prej vitesh qeveria dhe bashkia nuk arritën dot që të siguronin një mjet të thjeshtë transporti për këta fëmijë.

Por ata nuk kanë përse të mërziten, mjafton që të jenë të duruar bashkë me prindërit e tyre, sepse vërtet ju duhet që të bëjnë shumë orë rrugë në këmbë vajtje-ardhje për tu arsimuar, por “xhaxhi Edi Rama”, do të ndërtojë aeroporte që kur të rriten, rrugën e emigrimit ta kenë më të afërt, direkt nga Kukësi.

Në këtë reportazh, gjithashtu shkruhet se rreth 149 shkolla u mbyllën vetëm gjatë 2 viteve të fundit në gjithë vendin, si pasojë e zbrazjes së fshatrave nga emigracioni masiv. Por ku qëndron problem këtu?!

Edi Rama premtoi dje në Asamblenë e partisë së tij, se do të sjellë me avion nga Anglia, 120 emigrantë që e duan shumë dhe do të votojnë për atë!
Në reportazh përshkruhet gjithashtu varfëria e skajshme në këto zona, ku familje të rrënuara ekonomikisht i heqin fëmijët nga shkolla, për të punuar që të mitur tokat së bashku me prindërit.

Por nuk ka problem, rëndësi ka që fasadat e qytezës së Klosit janë suvatuar, sheshi i vogël është shtruar me pllaka dhe koncesionet qindra-milion euro për 3-4 mitë e tij, do të vazhdojnë nëse ai e rimerr pushtetin!

Fjalimi i djeshëm i Edi Ramës dhe veçanërisht ato 15 minutat që harxhoi për Shqipërinë e tij në 8 vite dhe atë që premton për 4 vite të tjera ishin tallja më e madhe që mund të bëhej me inteligjencën e shqiptarëve.

Edhe indigjentëve të Amerikës ju desh shumë më pak kohë, që të kuptonin se Kolombi dhe ushtarët e tij i kishin gënjyer me xhingla të ndritshme që nuk vlenin asnjë gjë.

Edi Rama, në fakt e di se çfarë mendojnë në të vërtet shqiptarët për xhinglat e rreme që ju ka dhënë në dy mandate dhe ato që ju premton për të tretin.

Ndaj e ka hapur thesin e premtimeve dhe nxjerr që andej vetëm aeroporte e porte, ndërkohë që “nuk ka para” për një furgon modest që të çojë në shkollë vogëlushet e “Planit të Bardhë”, që ecin në diell e shi 12 kilometra në ditë!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here