Kodi Zgjedhor/ Brukseli shqyrton sot në Tiranë votimin e Ramës…

0
94

Vizita e raportuesit për Shqipërinë në Komisionin Evropian Oliver Varhelyi ka si qëllim për të parë nga afër se deri ku ka shkuar shkelja e marrëveshjes së 5 qershorit, me votimin e njëanshëm që iu bë kodit. Varhelyi thotë se shpreson që kjo çështje mos ndikojë në konferencën e parë ndërqeveritare, që pritet të mblidhet në dhjetor për negociatat me BE-në.

Sot veç kryeministrit ai do marrë takim dhe me kreun e opozitës Lulzim Basha, dhe me Presidentin Ilir Meta, të cilët ndryshimet i kanë konsideruar si shkelje të marrëveshjes dhe antikushtetuese.

Raportuesi për Shqipërinë në KE Oliver Varhelyi, tha dje se do i shohë nga afër ndryshimet e njëanshme që iu bënë Kodit Zgjedhor nga mazhoranca. Sipas tij në rast se rezulton se ato kanë shkelur marrëveshjen e 5 qershorit, atëherë Shqipëria rrezikon të ndahet nga Maqedonia në konferencën e parë qeveritare. Këto komente zoti Varhelyi i bëri gjatë prezantimit të progres-raportit për Shqipërinë.

“Po e shohim çështjen e reformës zgjedhore me sy të hapur mirë dhe do shkoj t’i shoh gjërat vetë në terren. Shpresoj që kjo çështje mos ndikojë në konferencën e parë qeveritare. Kjo vërtet nuk do ishte mirë”, tha zoti Varhelyi.

Sipas tij, pjesë e fokusit të bisedimeve do jetë dhe çështja e koalicioneve parazgjedhore, për të cilën këshillon mazhorancën ta shohë mirë këtë çështje.

“Për koalicionet, mua më është thënë se kjo është një çështje madhore në Tiranë, do të përpiqem ta shikoj vetë. Por mbaj mend që në datë 5 qershor u arrit një marrëveshje shumë e mirë, që u pranua nga OSBE dhe ne patëm kontributin tonë. Përparësia ime vazhdon që të jetë që ne të kemi opozitën në parlament dhe jashtë parlamentit dhe koalicionin qeverisës që të biem dakord për reformën zgjedhore. Nëse ndryshimet janë të tilla që pengojnë koalicionet, kjo duhet riparë”, tha Varhelyi.

Bundestagu

Raportuesi për Shqipërinë, do ketë takime me Presidentin e Republikës, Kryeministrin dhe kreun e Opozitës Lulzim Basha. Por qoftë qëndrimi i Bashës, qoftë qëndrimi i Presidentit për këtë çështje tashmë dihen. Më shumë se një herë ata kanë deklaruar se ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë antikushtetuese në shkelje të marrëveshjes së 5 qershorit. Me sa duket vetë Kryeministri ka pritur hartimin e raportit, për të votuar më pas ndryshimet kushtetuese.

Raportuesi për Shqipërinë do informohet se sa i thellë është problemi i hapur me vetëdije nga mazhoranca me ndryshimet e njëanshme që shkelin marrëveshjen e 5 qershorit, të cilësuar deri diku si kusht kryesor për hapjen e negociatave, sidomos nga Bundestagu gjerman.

Johan Wadephul, Nënkryetari i grupit parlamentar CDU/CSU do ishte i prerë në qëndrimin e tij të datës 30 shtator, pas një takimi me ministrin e Jashtëm Gent Caka.

“Ne e mirëpresim konsensusin e 5 qershorit. Ne pyesim, megjithatë, nëse ishte e mençur të vinte në diskutim këtë konsensus përsëri përmes ndryshimit kushtetues të njëanshëm të 30 korrikut. Prandaj rekomandimi ynë, urgjent: kthimi te konsensusi në Këshillin Politik. Dhe i jepni ODIHR mundësinë për të vlerësuar ndryshimet e propozuara në Këshillin Politik. Vetëm kur ODIHR të thotë që reforma zgjedhore përputhet plotësisht me rekomandimet e OSBE/ODIHR, do të jetë më e lehtë për ne të themi se parakushti për reformën zgjedhore është përmbushur”, do ishte qëndrimi i zotit Wadephul pesë ditë para votimit në mënyrë të njëanshme të kodit.

Momenti

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor vijnë në një moment delikat, sidomos për sa i përket çështjes së integrimit. Në dhjetor, Gjermania, e cila ka dhe Presidencën e radhës së BE pritet të mbajë mbledhjen ndërqeveritare ku do të diskutohet hapja e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Por në një kohë kur Maqedonisë së Veriut i mbetet si çështje e pazgjidhur vetëm një mosmarrëveshje me Bullgarinë në lidhje me komunitetet, Shqipërisë i rëndojnë rreth 15 kushte, për të cilat deri më tani nuk është bërë thuajse asgjë.

Megjithatë Shqipërisë iu la një shteg në marsin e këtij viti, ku u hodh ideja e hapjes së negociatave të kushtëzuara. Pra, në rast se nuk plotësohej një nga kushtet, Shqipërisë mund t’i ndërpritej menjëherë procesi. Në situatën e re Rama duhej të plotësonte vetëm një kusht, reformën zgjedhore. Gjermania, që mban dhe presidencën e BE-së prej qershorit, e shikonte këtë si hap të parë të vullnetit që zgjedhjet e ardhshme nuk do kishin më problemet e evidentuara.

Por kryeministri Rama njihet si shkelës recidivist i marrëveshjeve, çka e tregoi dhe votimi i datës 5 tetor./MAPO

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here