Prezenca e Ramës, rrezik për Kosovën?!

0
117

NGA NESIB HOTI

Ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka komentuar takimin e dy qeverive shqiptare, atë të Kosovës dhe Shqipërisë, të mbajtur ditën e premte në Tiranë .

Nishani ka thënë se prej të gjitha mbledhjeve të përbashkëta dhe marrëveshjeve të nënshkruara, asnjë prej tyre deri më tani nuk është implementuar.

Ish-kreu i Shqipërisë ka hedhur akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, duke thënë se një qeveri shqiptare që rreshtohet nën skenarin serb të copëtimit të trojeve të Kosovës nuk e ka për hiç gjë, përveç të ringrejë barriera komunikimi midis shqiptarëve.

E, këto deklarata të forta të ish-presidentit të Shqipërisë janë komentuar nga analistët politik.

Njohësit e fushës konsiderojnë se deklarimi i Bujar Nishani duhet të merret shumë seriozisht nga ana e institucioneve të Kosovës, por edhe nga qeveria e re në ardhje e Shqipërisë, pasi sipas tyre, po përgatitet një skenar i errët.

Bytyçi: Deklarimi i Nishani është thirrje për t’u zgjuar

Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi, duke e komentuar deklaratën e Bujar Nishanit, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se ish-presidenti i Shqipërisë është ndër personalitetet politike dhe publike shqiptare më të përgjegjshme për fjalën dhe veprimin e tij politik.

Image

“Askush nuk dyshon se mendimi i tij ndikohet nga opinione mediokre. Përveçse informacionit që ai ka, përvoja politike e bën atë të jetë sa më afër realitetit në gjykimin dhe vlerësimin e ngjarjeve, fenomeneve dhe personazheve, sidomos në skenën politike shqiptare. Prandaj dhe statusi i tij ishte dhe mbeti korrekt. Kur them se statusi dhe vlerësimi i tij për qeverinë shqiptare është korrekt, kam parasysh edhe performancën dhe rezultatin e mbledhjes së djeshme të dy qeverive tona. Si në mbledhje, edhe në konferencën e shtypit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, rikonfirmoi mendimin e pagabueshëm të presidentit Nishani”, ka thënë prof Bytyçi.

Bytyçi shprehet se gjithkush që ka një logjikë minimale gjen në fjalët dhe diskursin e zotit Rama angazhimin e tij permanent për të plotësuar interesat e Serbisë në Ballkan.

“Me klauzolën se ‘duhet ta ndihmojmë Vuçiqin të çlirohet nga presioni serb’, ai i hapi rrugë kompromiseve me shkëmbim territoresh të Kosovës me Serbinë. Kjo e vërtetë, e rithënë nga zoti Nishani, nuk mund të zhbëhet. Dhe po me të njëjtën paradigmë Edi Rama dëshmoi në mbledhjen e fundit se është i përkushtuar ndaj Beogradit, Serbisë, qeverisë dhe presidentit serb për të plotësuar në mënyra tjera orekset e Vuçiqit për ta rishndërruar vendin e tij në një vend lider të Ballkanit, kur është krejt e mundur që shqiptarët në rajon të jenë të barabartë me popujt e tjerë. Edi Rama na tha dje se ‘ne shqiptarët mund të përparojmë dhe të zhvillohemi vetëm nëpërmjet garancive dhe bashkëpunimit me Serbinë’. Për qeverinë e sotme të Tiranës, Serbia ka zëvendësuar të gjithë aktorët e tjerë strategjikë të Shqipërisë, përfshirë edhe Bashkimin Evropian. Ajo që u dëshmua në vlerësimin e zotit Nishani u konfirmua nga kryeministri i Shqipërisë, kur tha se ‘Minishengeni do të na nxjerrë nga pengu i luftërave dhe konflikteve të kaluara’. D.m.th ai fajësoi për konfliktet e kaluara të gjithë ballkanasit, në të njëjtën masë si shqiptarët edhe serbët dhe na akuzoi se ishim peng i përgjegjësisë sonë për konfliktet e shkuara në rajon. Më pas u shfaq si ‘misionar’ i të ardhmes, sepse sipas Ramës, Minishengeni na qenka e ardhmja”, shprehet me tej Bytyçi.

Tutje, për gazetën “Bota sot”, Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi, ka thënë se skenarët e frikshëm të Edi Ramës ndaj Kosovës tashmë janë të ditur, kurse shprehet se për të realizuar këta skenarë Edi Rama i shpalli luftë të gjithë homologëve të tij në Kosovë.

“Kësisoj deri më sot ne shqiptarët thoshim se ‘Evropa është shpresa e së ardhmes për brezat që vijnë’, ndërsa prej dje duhet të themi se ‘Edi Rama, në pamundësi për të na integruar në Bashkimin Evropian, po na integron në Serbi’. Nëse integrimi në Serbi është e ardhmja e vendit tim ose vendit tënd, kjo e ardhme mos ardhtë kurrë. Skenarët e Edi Ramës janë zbuluar tashmë. Skenari i shkëmbimit të territoreve dhe ndarjes së Kosovës është provuar edhe nga personalitete të Serbisë. Skenari i mbështetjes fillimisht të Jugosllavisë së re me plus Shqipërinë dhe minus Slloveninë e Kroacinë, e më pas i minishengenit është i njohur. Madje për të realizuar këta skenarë Edi Rama i shpalli luftë të gjithë homologëve të tij në Kosovë, përjashtuar Hashim Thaçin”, tha ai.

Ai shpjegon se shqiptarët i kanë të freskëta sharjet, fyerjet, bërtimat, skandalet publike të Edi Ramës kundër lidershipit të Kosovës, pse ai refuzoi të bëhet pjesë e skenarëve të tij për të bashkëpunuar me Vuçiqin e për ta risjellë Serbinë në Kosovë.

“Tani që nuk i eci si duhet rrjedha e kontributeve të tij për ta sjellë Serbinë në Kosovë, dëshiron që t’ia japë Beogradit edhe Shqipërinë. Minishengeni është mjeti me të cilin Serbia del në Adriatik nëpërmjet Durrësit. Edhe pse Rama dje deklaroi se ‘Durrësi prej tani do të jetë port i Kosovës’, në fakt sipas skenarit të tij dhe të presidentit të Serbisë, ky port do të bëhet pronë e Serbisë. Deklarata e mësipërme ishte thjesht maska e qëllimit të Edi Ramës. Kosova nuk ka nevojë për Durrësin. T’ia japin asaj Shëngjinin dhe mbaron puna. Durrësi nuk mund të jetë prone ekskluzive e Kosovës dhe as e ndonjë vendi tjetër. Por duke e shitur si port të Kosovës, Rama ka planifikuar ose ta maskojë qëllimin për ta bërë atë kryesisht port të Serbisë, ose për të fsheh një projekt, sipas të cilit Shëngjinin e ka rezervuar si port ekskluziv të Serbisë”, ka shpjeguar ai.

Profesori i njohur konsideron se alarmimi i ish-presidentit Nishani janë thirrje për t’u zgjuar, dhe paralajmërim për skenarët e rrezikshëm që po u kanoset shqiptarëve.

“Deklarimi i zotit Nishani është thirrje për t’u zgjuar. Është paralajmërim për skenarët e rrezikshëm që kanosin sigurinë dhe jetën e shqiptarëve. Deklarimi i zotit Bujar Nishani duhet të merret shumë seriozisht nga institucionet e Kosovës, por edhe nga qeveria e re në ardhje e Shqipërisë. Nëse shqiptarët humbasin ende kohë me nostalgjitë dhe simpatitë estetike të Edi Ramës ose të Hashim Thaçit si mik i tij, atëherë pasojat do të jenë të pariparueshme, ka deklaruar Bytyçi.

Elezaj: Edi Rama nga fillimi ka mbajtur anë pro-Serbisë!

Ndërsa, analisti Rexhep Elezaj, konsideron se jo vetëm ish-presidenti Bujar Nishani ka tilla qëndrime, pasi që ai mendon se kreu i qeverisë shqiptare që nga fillimi është rreshtuar dhe ka mbajtur anë pro-Serbisë, për një gjë të tillë ai thotë ndajnë të njëjtin mendim edhe shumë intelektualë dhe patriotë shqiptarë.

Image

“Jo vetëm ish presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, por edhe shumë intelektualë dhe patriotë shqiptarë janë unik në qëndrimin, se kryeministri aktual i Shqipërisë, Edvin Kristaq Rama, qysh se ka ardhur në krye të qeverisë shqiptare është rreshtuar dhe ka mbajtur anë pro-Serbisë dhe politikave të saj antishqiptare kundër Kosovës dhe pavarësisë së saj. Lidhur me këto qëndrime “vëllazërore” të Edi Ramës ndaj, sidomos mikut të tij serb, Aleksandar Vuçiqit, mund të sjellim plotë fakte që flasin qartë për sjelljet dhe veprimet e tij pro-serbe, ndër të cilat e para është heshtja e tij vasale ndaj krimeve dhe gjenocidit serb në Kosovë të cilat ky asnjëherë nuk i ka dënuar publikisht, pastaj miqësia e tij e ngushtë me këlyshin fashist dhe racist të Millosheviçit, siç ishte Vuçiq, ministër për informata, gjatë luftës në Bosnje dhe Kosovë, i cili asokohe kishte deklaruar se “për një serb do t’i vrasim 100 myslimanë boshnjakë”, por i cili e luante edhe rolin e Gebelsit edhe gjatë luftës në Kosovë”, shprehet fillimisht Elezaj.

Elezaj në këtë prononcim, kujton edhe përplasjet dhe mosmarrëveshjet që kishte kryeministri Rama me ish-kryeministrin Haradinaj, ku për këtë të fundit edhe kishte ngritur aktpadi.

“Pra, qyshkur ka ardhur në pushtet në Serbi, Vuçiq, ditë e natë me tërë aparatin shtetëror të Serbisë ka punuar kundër shtetit dhe pavarësisë së Kosovë, por të cilin Edi Rama e ka bërë mik dhe shok të tij, me të cilin në çdo takim rajonal dhe ndërkombëtar që takohen, ata puthen me njëri-tjetrin, bisedojnë shumë ngrohtë, bile shumë më ngrohët se me Ramush Haradinajn, që e ka vëlla nga gjaku, madje ndaj të cilit edhe ka ngritur aktpadi vetëm pse është nga Kosova. Për të qenë turpi dhe anti-kosovarizmi edhe më i shëmtuar i Edi Ramës, ky jo vetëm se nuk u ndalë me kaq, por tradhtinë e tij ndaj kauzës shtetërore të Kosovës do e çon edhe më tutje, duke u zhytur çdo ditë e më thellë në kazanin e tij të tradhtisë kombëtare, me qëndrimet e tij paternaliste dhe bizare ndaj politikës autoktone të liderëve shtetëror të Kosovës në raport me Serbinë, përjashto këtu vetëm Hashim Thaçin, me të cilin ky gjeti “idilë” politike, pikërisht në çështjen e ndarjes së Kosovës, apo siç e quanin, “këmbim territoresh”, që në fakt si prapavijë kishin dhënien e veriut të Kosovës Serbisë, si gjoja kompensim për njohjen e saj të pavarësisë së Kosovës”, tha ai.

Madje, njëjtë si Bytyçi, edhe Elezaj jep alarmin se Rama po punon intensivisht dhe në sinkron të plotë me politikën fashiste të Vuçiqit për ndarjen e Kosovës.

“Shikuar realisht ishte ky mashtrim i llojit më të ndytë politik që ndonjë politikanë shqiptar e kishte bërë në 100 vitet e fundit në raport me Serbinë fashiste kundër Kosovës. Edi Rama, edhe pse në opinion dukej se nuk po përzihej në punët e brendshme të lidershipit të Kosovës, ai punonte intensivisht pas kulisave si dhe në sinkron të plotë me politikën fashiste të Vuçiqit për ndarjen e Kosovës, ndërsa argati i tij i zellshëm në Prishtinë, Hashim Thaçi, punonte hapur dhe lirshëm në takimet e tij në Bruksel me A. Vuçiqin, bashkë me të cilin ëndërronin, se pasi që ta ndajnë Kosovën dhe arrijnë marrëveshjen “paqësore” midis Kosovës dhe Serbisë, ata do jenë kandidatë potencial për marrjen e çmimit Nobel, etj., pra deri këtu shkonte tradhtia e tyre kombëtare”, shton Elezaj.

Për analistin Elezaj kulmi i kësaj tradhtie kombëtare të Edi Ramës do arrin, kur me ftesë të Aleksandar Vuçiq do shkon në takimin e Novi Pazar (Maj 2019), për nismën anti-shqiptare, Jugosllavinë e re, formimin e Mini-Shengenit, pa e ftuar dhe marrë me vete Kosovën.

“Gjest ky i tij që ishte puro anti-Kosovë, ani pse këtë hap e kishte bërë në marrëveshje të plotë me H. Taçin. Bile, Edi Rama, edhe dje në takimin e dy qeverive shqiptare në Tiranë, në mënyrën e tij cinike dhe paternalsite, u mundua që iniciativën për formimin e Mini-Shengenit ballkanik t’ia përshkruaj vetes, duke u tentuar që meritat e presidentit D. Trump për kyçje të Kosovës si shtet i pavarur në këtë grup, t’i marrë si merita të tij personale, gjë që është një rrenë e kulluar se ky na e paska futur Kosovën në këtë nismë rajonale”, tha ai.

Me tej ai nënvizon se kryeministri Rama, është dhe do mbetet njëri ndër politikanët më anti-Kosovë i Shqipërisë, i cili kauzën e pavarësisë së Kosovës e ka dëmtuar shumë.

“Kauzën e pavarësisë së Kosovës e ka dëmtuar më shumë se çdo kush tjetër, sidomos me përkrahjen e tij të fshehtë dhe të hapur të politikave hegjemoniste të Beogradit zyrtar ndaj shtet-bërjes së Kosovës, duke filluar me dhënien e çelësit të Tiranës, kur ishte kryetar bashkie, Goran Bregoviçit, njërit ndër këngëtarët më kriminelë të Serbisë, i cili shkonte bashkë me ushtarët serb në front dhe u këndonte këngë patriotike, duke iu dhënë forcë dhe kurajë që të vrasin sa më shumë shqiptarë në Kosovë. I njohur me atë këngën e tij kriminale, “Jurishnikët”, e cila gjatë luftës në Kosovë ishte bërë hit popullor (kriminal) në Serbi”. Pra, Edi Rama këtë kriminel serb e ka nderuar me çelësin e Tiranës”, nënvizon ai.

Ndaj, Elezaj thekson se të gjitha veprimet e fundit nga ana e Ramës janë dhe do mbeten broçkulla dhe përralla për fëmijë.

“Të gjitha sjelljet dhe veprimet e tij, gjoja në favor të Kosovës, siç ishte edhe emërimi në poste ministrore në qeverinë e tij, Gent Cakaj dhe Besa Shahini, mbajtja e takimeve të përbashkëta të dy qeverive, lehtësitë doganore, përdorimi i përbashkët i ndërtesave të ambasadave jashtë, etj, janë dhe do mbeten broçkulla dhe përralla për fëmijë, të cilat shqiptarëve të Kosovës kurrë nuk do mundet me ua shitur aq lirë, siç ka menduar kryeministri aktual i Shqipërisë, i cili, fundja, nuk ka haber prej politikani, se kush janë serbët, çfarë race, gjenesh dhe ADN kanë, si ardhacakë nga Karpatet në Ballkan, duke u vendosur me dhunë piratësh në tokat ilire të shqiptarëve. Prandaj, patriotizëm i tij më i mirë dhe më i dobishëm do të ishte heshtja e tij si dhe mos përzierja në çështjet e brendshme të Kosovës”, ka theksuar analisti Elezaj.

Juristi: Kjo është politikë dhe opozitarizëm i Nishanit

E, për dallim nga Bytyçi dhe Elezaj, juristi dhe njohësi i çështjeve juridike e kushtetuese, Blerim Burjani, deklaratën e ish-presidentit të Shqipërisë e quan të pasaktë.

Ai deklaron se e gjithë kjo është veç një opozitarizëm i treguar nga ana e Bujar Nishanit, të cilën e quan si të zakonshme në politikën shqiptare.

Image

Blerim Burjani

“Jo, nuk është e saktë, kjo është politik dhe opozitarizëm i Nishanit, si zakonisht në politikën shqiptare ka opozitarizëm edhe brenda të njëjtës parti e lërë më jashtë saj, pra është një kulturë e pashmangshme këndej kufirit tonë dhe atje, duhet mësuar dhe pranuar atë që është, politika nuk është mashtrim, konspiracion e vetëm tradhti askush në Ballkan nga shtetet nuk i japin interesat kombëtare”, ka thënë ai.

Në këtë bisedë, Burjani shprehet i ashpër me ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, për të cilin thotë se ky i fundit dikur falte poste politike derisa në të njëjtën kohë shtetit veçse pësonte, përderisa ai mendon se po e shpëtonte shtetin.

“Në Kosovë ka probleme me kapacitete të pamjaftueshme të njerëzve siç ka AAK-ja. Ramush Haradinaj falë poste politike e pëson shteti, e ai mendon se po e shpëton shtetin. Në këtë metodologji mesjetare dhe të tipit të argatit nuk bëhet politikë”, ka thënë krejt në fund, juristi Blerim Burjani, për gazetën “Bota sot”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here