Bjellorusia midis lirisë e konfliktit

0
104

Nga Janusz Bugajski

 

Pas euforisë për emancipim kombëtar, Bjellorusia tani përballet me pasiguri për të ardhmen. Një skenar i rrezikshëm mund të shpaloset edhe në rast se presidenti Aleksandër Lukashenko jep dorëheqjen me premtimin për zgjedhje të reja. Vendi që dikur konsiderohej si më pasivi në ish-perandorinë sovjetike ka shpërthyer në protesta masive kundër mashtrimit elektoral dhe brutalitetit policor. Rebelimi popullor ka përfshirë çdo sektor të shoqërisë dhe të gjitha pjesë e vendit, e madje është vënë në dyshim edhe besnikëria e njësive të sigurimit të brendshëm të Lukashenkos.

Një zgjidhje paqësore e revoltës bjelloruse do të kishte nevojë për zgjedhje të ndërmjetësuara nga ndërkombëtarët që do të pranoheshin nga shumica e qytetarëve. Kryeministri shqiptar Edi Rama, vendi i të cilit mban presidencën e OSBE-së, organ shumëkombësh me eksperiencë të madhe në monitorimin e zgjedhjeve, është ofruar tashmë të ndërmjetësojë bisedimet midis qeverisë dhe opozitës. Një tranzicion i tillë politik duhet të përfshijë Svetlana Cikhanouskajan, fituesen reale të zgjedhje të 9 gushtit, e cila u detyrua të largohej në Lituani.

Për momentin, Lukashenko duket se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga pushteti, edhe kur duket se dërgon sinjale kontradiktore teksa protestat përshkallëzohen. Ai mund të kërkojë ndihmë direkt nga Moska, me pretendimin se revolucioni bjellorus kërcënon edhe Rusinë. Por për Presidenti Vladimir Putin çdo opsion përmban rreziqe. Nëse ai nuk vepron dhe Lukashenko detyrohet të dorëhiqet, atëherë mesazhi për rusët do të jetë i qartë, që protestat masive paqësore mund të përmbysin edhe regjimet më shtypës. Bjellorusia, aleati më i afërt i Rusisë, me lidhje të vjetra kulturore, mund të shërbejë si shembull për mobilizimin e qytetarëve rusë. Dhe me pakënaqësitë në rritje për shkak të gjendjes së tmerrshme ekonomike, protestat anti-Putin mund të ndizen kudo në Federatën Ruse.

Një ndërhyrje direkt në Rusi mund të rezultojë edhe më riskioze për Putin. Mbështetja e Lukashenkos do të kërkonte shtypjes masive dhe infiltrim të forcave të sigurisë ruse. Protestuesit bjellorusë mund të ktheheshin kundër Putinit nëse ai do të përpiqej të orkestronte tranzicionin e udhëheqjes në mënyrë të njëanshme. Nga ana tjetër, edhe lejimi i lideres së opozitës, Cikhanouskaja të merrte presidencën apo organizimi i zgjedhjeve të reja demokratike mund të dalë i rrezikshëm për Moskën. Nëse Putini nuk ka kontroll mbi qeverinë e re në Minks, atëherë ka gjasa që Bjellorusia të afrohet me Perëndimin.

Ndonëse bjellorusët nuk duket se shohin ndonjë kontradiktë midis afrimit me Evropën e Amerikën dhe mbajtjes së marrëdhënieve të mira me Rusinë, Kremlini i sheh BE dhe SHBA si kërcënime ekspansioniste. Pak gjasa ka për ndarje territoriale të vendit për ta mbajtur peng, si me Ukrainën dhe Gjeorgjinë. Por mund të krijohen edhe skenarë të tjerë për të bllokuar politikën e jashtme të pavarur të Bjellorusisë. Putin të përpiqet të përçajë skenën politike dhe të korruptojë elitat, si në Moldavi, apo të sigurojë nënshtrim përmes varësisë ekonomike dhe pranisë së bazave ushtarake ruse, si në Armeni. Por blerja e kandidatëve presidencialë dhe ndarja e votës mbetet e rrezikshme nëse një relativisht e pavarur si Cikhanouskaja fiton prapë dhe kërkon lidhje më të ngushta me Perëndimin.

Kremlini mund të konkludojë se një ndërhyrje direkt në Bjellorusi është e nevojshme për të ruajtur ndërtesën perandorake ruse dhe regjimin e Putinit. Kjo ka mundësi të paraprihet nga dy elementë kyç. Së pari, propaganda dhe fushata e dezinformimit do të përhapte zërat se agjentët e Perëndimit po shkaktojnë revolucion në Bjellorusi për ta larguar vendin nga Rusia. Polonia e Lituani do të portretizoheshin si agresorët kryesorë.

Së dyti, mund të kërkohet një provokim si pretekst për ndërhyrje ushtarake apo paraushtarake. Preteksti mund të ishte ndonjë sulm terrorist në ndonjë objekt qeveritar për të cilin do të fajësoheshin sabotatorët perëndimorë; ose ndonjë provokim ushtarak përgjatë kufirit të Bjellorusisë me NATO-n.

Ndërhyrje ruse mund të cilësohet si ‘ndihmë vëllazërore’ për të mbrojtur vendin nga ndërhyrja e NATO-s. Moska mund të vendosë edhe të zëvendësojë Lukashenkon, duke e paraqitur ndërhyrjen e saj si veprim humanitar për të ndihmuar bjellorusët të largojnë ‘diktatorin e fundit në Evropë’, ndërkohë që instalojnë një regjim edhe më miqësor me Rusinë dhe inskenojnë zgjedhje të reja nën mbikëqyrjen ruse.

Gjithsesi, Putini nuk mund ta marrë ende për të sigurt pasivitetin e popullit bjellorus, i cili tashmë ka protestuar kundër zgjedhjeve të manipuluara. Nëse protestat në Bjellorusi kthehen në mitingje anti-Putin, kupa mund të derdhet përtej kufirit lindor, ku edhe rusët mund ta heqin stereotipin e pasivitetit politik që kanë mbi vete./syri.net

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here