Presidenti vlerëson tre nga emblemat e polifonisë shqiptare: I kanë kënduar dëshmorëve dhe betejave për liri 

0
108

Në vijim të vizitës së tij në Pilur të Himarës, Presidenti i Republikës vlerësoi tre nga emblemat e polifonisë shqiptarë, këngëtarë të grupit polifonik “Bejkë e bardhë”.

Në ceremoninë solemne të organizuar në sheshin kryesor të Pilurit, ku merrnin pjesë Kryetari i Bashkisë së Himarës, z.Gjergji Goro, Kryeplaku i fshatit Pilur, z.Dritan Bala, autoritete vendore dhe dhjetra qytetarëve, Kreu i Shtetit vlerësoi me Titullin e lartë, *”Mjeshtër i Madh” , *z.Kristo Çipa* me motivacionin: *“Për kontributin dhe talentin e spikatur në lëvrimin e këngës polifonike të Bregdetit. Si poet, prozator, publicist, organizator i grupeve folklorike dhe krijues i këngëve me karakter të theksuar lirik, shoqëror e atdhetar. Përçues i traditës dhe ideve të krijuesve popullorë e atdhetarë në trevën e Himarës”.*

Gjithashtu, Presidenti Meta vlerësoi me *Titullin “Mjeshtër i Madh”, znj.Ermioni Mërkuri*, me motivacionin: *“Si një nga interpretueset më të talentuara të këngës polifonike piluriote. Me pasionin, zërin e rrallë dhe dashurinë për këngën e popullit te saj ajo ka luajtur një rol të madh në ruajtjen e traditës dhe kultivimit të mëtejshëm të folklorit të zonës”.*

Ndërsa me *Titullin “Naim Frashëri”*, Kreu i Shtetit çmoi *z.Dhimitraq Bala* me motivacionin: *“Si një prej këngëtarëve më të shquar të këngës polifonike. Me talentin e tij, si kthyes klasik e tradicional, i ka dhënë  frymë dhe timbër kësaj kënge, duke fituar admirimin e publikut të gjerë të isopolifonisë”.*

Në fjalën e Tij përshëndetëse, Presidenti Meta u shpreh:

Të dashur vëllezër e motra,

Mesazhet e Luftës së Vlorës duhet të jenë udhërrëfyes edhe në ditët tona!  Historia tragjike, por heroike e këtij fshati ngjan si dy pika uji me historinë e gjithë kombit tonë. Gjuha, kultura, zakonet, doket, këngët, vallet, karakteri pilurjotëve janë pjesë e ndritur e identitetit tonë kombëtar.

Piluri ka qenë përherë burim force, urtësie dhe patriotizmi  Në këtë shesh e në këto rrapa ka ndjerë ngrohtësinë e gurit shumë kapedanë e burra  të shquar duke përmendur mes tyre edhe plakun e mençur të Pavarësisë dhe të shtetit tonë, Ismail Qemali.

Ndaj janë domethënëse vargjet e këngës tuaj:

*Në këto vendet e mia*
*Ku dhe Zoti vjen i ftuar*
*Mbretëron vetëm liria*
*Flamur tjetër s’ka pranuar*

Piluri nuk mund të perceptohet pa këngën e tij magjike. Kënga frymëzon luftën dhe zbukuron jetën. Breza të tërë në kushtet e një jete tejet të vështirë, janë frymëzuar dhe argëtuar nga kënga juaj perlë “Tundu Bejkë e bardhë tundu”.

Ju i keni kënduar bukurive të bregut, dëshmorëve, betejave për liri, heronjve, lirisë së Kosovës dhe atdhedashurisë! Lirikat e Pilurit janë disa prej perlave në fondin e artë të iso-polifonisë dhe krejt kulturës sonë kombëtare.

Ky fshat ka pasur me dhjetëra vjershëtorë popullorë të cilët kanë krijuar një traditë krejt origjinale për të mbërritur tek poeti juaj i madh popullor e legjendar Lefter Çipa i cili me dy vargjet e tij thoshte një mrekulli:

*Këngët e atdheut tim*
*Janë ilaç dhe janë shërim*

Zërat virtuozë të këngëtarëve u kanë dhënë frymë e emocion ngjarjeve që kanë ndodhur, gëzimit dhe halleve të këtij vendi.

Ju e shkruat historinë në vargjet dhe këngë popullore duke e transmetuar atë gojë më gojë e brez pas brezi për të ngelur e paharruar, e lavdishme dhe e përjetshme

Ndaj tek kënga juaj vargjet thonë:

*Kënga blu në buzët tona*
*U bë shkrim kur s’kishte shkronja*

Këngëtarët e “Bejkës së bardhë” e përcollën në mënyrën më të lartë artistike dhe në çdo skenë të vendit e të botës mesazhin e jetës dhe shpirtin e pilurjotit.

Ndaj sot në shenjë nderimi, bashkë me kapedanët e Luftës së Vlorës kam kënaqësinë të vlerësoj edhe disa prej polifonistëve të shquar të këtij grupi. Edhe njëherë ju falenderoj për ftesën dhe për mikpritjen e përzemërt dhe vëllazore.

Lavdi heronjve të Luftës së Vlorës, lavdi kapedanëve dhe popullit të Himarës. Ju këndoftë zemra përherë. Urime dhe lumturi në familjet tuaj!”, – u shpreh Presidenti Meta.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here