Detaje të reja jane zbardhur për vrasjen e 57-vjeçarit Gëzim Saraçi në Gjirokastër.
Mësohet se viktima dhe autori i arrestuar sot Mihal Thimjo, të cilët ishin miq me njeri-tjetrin ishin edhe kërkues floriri.
Dyshohet se dy personat mund të kenë gjetur diçka pasi ata punonin me varroshe (gërmonin në varre).
Dëshmia e autorit dhënë në polici se gjoja sherri banal ishte mbi motive nacionalizmi duket një përpjekje e autorit për të fshehur të vërtetën dhe për të mos treguar veprimtarinë e jashtëligjshme që ka kryer.
Dyshohet se autori mund ta ketë fshehur floririn e gjetur. Dyshimet bien edhe mbi familjen nisur nga fakti që ai i lajmëroi, por nuk u gjend në vendngjarje kur ata shkuan aty.
Gëzim Saraçi dhe Mihal Thimjo kishin njohje të vjetër familjare me njëri-tjetrin madje ditën e djeshme para vrasjes kishin qenë për një drekë në Poliçan të Zagorisë.
Në kthim ka ndodhur një konflikt i çastit që ka shkaktuar grindjen fizike mes tyre.
57-vjeçari Saraçi ka goditur i pari Thimjon, i cili është kundërpërgjigjur duke e goditur me levë 57-vjeçarin, i cili ka gjetur vdekjen.
Autori 33-vjeçar është i plagosur në shpatull dhe në këmbë.