Një samit virtual i infektuar me virusin e bashkëpunimit po ashtu virtual!

0
108

Nga Enver Bytyçi

Dje ishte radha e shout mediatik për bashkëpunimin rajonal. U panë në ekrane të gjashtë përfaqësuesit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perendimor dhe të gjashtë këta folën për bashkëpunimin rajonal. Si gjithnjë, Rama dhe Vuçiç u vunë në rolin e liderëve që japin mend për Amerikën, Europën, madje dhe për Azinë e Afrikën, por që në gati një dekadë në pushtet kanë krijuar një realitet përtej atij afrikan në vendet e tyre. E megjithatë këta të dy gati sa nuk formuluan “urdhëra” për partnerët perendimorë.

Kryeministri i Shqipërisë tha se, “Ne na duhet një plan praktik për rimëkëmbjen”… dhe se partnerët tanë “duhet të jenë më të shpejtë, kur bëhet fjalë për të përmbushur çfarë kanë premtuar me ndihmat financiare”. Kjo frazë e Edi Ramës dëshmon për delirin dhe njëkohësisht gropën në të cilën ai jeton. Deliri ka të bëjë me subkoshiencën për përmasat jashtëshqiptare të lidershipit të tij, pra për dhënie mendje ndaj atyre që Shqipërinë e Edi Ramës e quajnë një fshat të Europës dhe vetë kryeministrin tonë një kryeplak të këtij fshatit të madh prej 2 milion e 800 mijë banorësh. (Në Kinë është kusht që qytetet të kenë mbi tre milion banorë, ndryshe quhen fshatra). Gropa ka të bëjë me hallin që e ka zënë Edi Ramën për shkak të krizës së gjithanshme ku ai e ka lëshuar Shqipërinë. Ndaj kësaj radhe fjala e Ramës nuk i ngjan më batutave, por klithmave të një të mbyturi që thërret për ndihmë.

Ndërsa Vuçiç u tejkaloi Ramën kur në rolin e liderit rajonal vlerësoi punën e të gjithëve në samit e ndërkohë dha ultimatumin për Merkel: “Duhet të jemi më të shpejtë në rajon, varet nga ne. Angela Merkel nuk mund të marrë vendime për ne”, theksoi presidenti i Serbisë. Hëëëm! D.m.th Serbia rikthehet te skema “Ballkani i ballkanasve”, gjithnjë nëse vjen në shprehje prezenca e SHBA-ve dhe Gjermanisë në rajon. Kur bëjnë paradë avionët dhe armatimet ruse në Beograd, kur kërkohet ndihmë për vendimmarrje politike në rajon nga Moska, lejohet që Kremlini të vendosë për Serbinë, për Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën e për rajonin tonë. Kur Serbisë i duhet të rrënojë të drejtën e kombeve tjera, para së gjithash të shqiptarëve, për liri, pavarësi e shtetësi, asaj i lejohet t’i lutet vëllait të madh, Rusisë, që ta bllokojë me veto në KS të OKB-së procesin e paqes. Por “Angela Merkel nuk mund të marrë vendime për Ballkanin Perendimor”!

Vendime për rajonin mund të marrin të gjitha vendet aleate të Serbisë, por jo edhe vende si Gjermania, të cilat duan drejtësi, demokraci dhe barazi jo vetëm në qeverisjen e vendeve ballkanike, por edhe midis popujve, kombeve dhe shteteve të rajonit. Serbët paratë i duan nga Europa e Gjermania, vendimmarrjen e kërkojnë nga Rusia. Kësaj i thonë “edhe dhi e zgjebosur, edhe bishtpërpjetë”!

Në njëfarë mënyre të njëjtën gjë shprehu Edi Rama. Ai hodhi kritika për Bashkimin Europian se “operon me ndihmat financiare me vonesë”. Pastaj lëshoi në ajër tollumbacen e monitorimeve të fondeve, sepse e di se askush nuk ia beson Edi Ramës këto fonde për administrim. Shkurt, në fund të pushtetit të tij edhe Rama është rikthyer te teoria serbe “Ballkani ballkanasve”, që përkthehet në gjuhën e gjeopolitikës si “Ballkani sllavëve dhe rusëve”! Të tjerët, shqiptarët, maqedonasit, malazezët, muslimanët, “nuk ekzistojnë”!

Megjithatë Rama, ndryshe nga Vuçiç, kësaj here ishte në tërheqje, krahasuar me auforinë që ka treguar në samitet e mëparshme. Kjo do të thotë se kryeministri i Shqipërisë inshallah ka kuptuar tashmë se liderët dhe burrështetasit e vërtetë janë ata që nuk grabisin pasurinë e qytetarëve të vet, ndërkohë që deri tani ai ka besuar se forca e tij varet jo vetëm nga pushteti, por edhe nga sasia e parave të grabitura.

Por të bën përshtypje qëndrimi në këtë samit virtual i zotit Hoti, kryeministër i Kosovës. Nuk pritet që ai të dalë nga natyra e vet e të marrë rol lidershipi në rajon. Dhe kjo është ana pozitive e performancës së tij. Por zoti Hoti duket se iu bashkëngjit teorisë së Vuçiç të “Ballkani ballkanasve”, sepse përkrahu skemën Rama-Vuçiç-Zaev të integrimeve rajonale sipas projektit të Minishengenit Ballkanik. Ai ia bëri një çokë të mirë edhe Vuçiç, edhe Ramës në këtë drejtim, kur tha se “Ekonomitë tona individualisht janë të vogla në aspektin e fuqisë së tregut dhe kërkesës së tregut. Nëse bashkëpunojmë mund ta plotësojmë njëra-tjetrën”.

Zotit Hoti i duhej të fliste ndryshe për ta mbrojtur pozicionin e Kosovës. Kosova nuk ka probleme të marrëdhënieve ekonomike as me Serbinë, as me Maqedoninë, as me Bosbnjë-Hercegovinën. Marrëdhënia tregtare dhe ekonomike me këto shtete bazohet në traditën e periudhës së ish-Jugosllavisë. Por këto probleme Kosova i ka me Shqipërinë dhe kjo për shkak të pengesave që nxjerr në këtë drejtim qeveria shqiptare e Edi Ramës, qëllimisht që ta izolojë dhe përmes izolimit ta detyrojë Kosovën të pranojë Minishengenin serb.

Ndërkohë kryeministri i Kosovës duhet ta dijë se marrëdhëniet ekonomike përparojnë nëse zgjidhen konfliktet politike. Ndaj duhej të kërkonte njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë, me qëllim realizimin e atij që quhet treg ballkanik dhe lëvizje e lirë e mallrave dhe njerëzve. Pa njohjen e ndërsjelltë të shteteve gjithçka që u fol në atë samit mbetet iluzion, për të mos thënë hipokrizi e shtirur e aktorëve të këtij samiti virtual.

Pa zgjidhjen e çeshtjeve politike, pra, pa njohur përfundimisht shtetin dhe kufijtë e Kosovës nga ana e Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, marrrëdhënia ekonomike në Ballkanin Perendimor do të mbetet një proces virtual, njësoj si edhe samiti virtual! Asgjë konkrete nuk vjen pa pajtimin politik të rajonit. Pajtimi ka si kusht ndjesën serbe për krimet e saj makabre sidomos në Bosnjë e në Kosovë! Këtë përvojë e mësojmë nga procesi i krijimit dhe konsolidimit të Bashkimit Europian. Nëse nuk do të ishte vendosur paqja politike midis Gjermanisë dhe Francës, nuk do të kishte sot një kontinent të integruar!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here