Presidenti Meta vlerëson artistin e shquar Qamil Grezda (pas vdekjes) me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

0
121

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta vlerësoi me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” artistin e shquar dhe piktorin, Qamil Grezda (pas vdekjes), me motivacionin: “Për kontributin e veçantë në realizimin e veprave të arteve pamore në gjininë e portretit dhe peizazhit, duke lënë gjurmë në zhvillimin tradicional të këtyre gjinive me cilësi të lartë artistike, si dhe për përgatitjen e shumë brezave të artistëve të rinj”.

Në ceremoninë solemne të organizuar në kopshtin e Institucionit të Kreut të Shtetit, në prani të artistësve, studiuesve dhe personaliteteve të kulturës, Presidenti Meta duke i dorëzuar titullin e lartë të birit, skulptorit Ermir Grezda, theksoi:

“Kam kënaqësinë e veçantë që të dekoroj një personalitet, i cili ka lënë gjurmë të thella e të rëndësishme në artin shqiptar dhe që do të vlerësohet e ndikojë edhe në brezat e ardhshëm të artistëve, piktorin e shquar Qamil Grezda.

Për gjithë kontributin e madh të dhënë për artin pamor shqiptar si dhe në përgatitjen e brezave të rinj të artistëve shqiptarë, kam nderin t’i akordoj Titullin e lartë ‘Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut’.

Arti kapërcen kohë dhe dimensione, ndikon e prek breza të tërë edhe pas dekadash e shekujsh, ndaj edhe veprat e Qamil Grezdës e bëjnë atë të pranishëm në kohën tonë.

Është një kënaqësi dhe privilegj që veprat këtij artisti, të njohur edhe si ‘grabitqari i bukurisë së natyrës’ janë të ekspozuara sot edhe në mjediset e këtij institucioni.

Artisti Qamil Grezda vinte nga një familje e shquar patriotike, e cila për shkak të dhunës serbe u detyrua të shpërngulej në Shqipëri dhe ardhja në Tiranë i shërbeu pikërisht për të nisur edhe rrugëtimin e tij artistik pasi iu mundësua të studionte vizatimin dhe pikturën me artistë të mëdhenj të artit tonë si Odhise Paskali e Abdurrahim Buza.

Edhe pse familja e dërgoi në Itali për të studiuar në financë, dashuria dhe bindja e tij ndaj thirrjes dhe pasionit për artin e pikturën bënë që të pranohej në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë. Nga ai moment jeta e tij u lidh ngushtë dhe përgjithmonë me pikturën.

Shkollimi në Romë dhe Firence, piktura italiane dhe mjeshtrat e saj, lanë gjurmë të pashlyeshme në gjithë krijimtarinë e veprat e Qamil Grezdës, ku ndihet eleganca dhe ndikimi i shkollës italiane të artit. Një ndikim që është reflektuar tek të gjithë mjeshtrat e artit botëror, e nuk kishte si të mos reflektohej edhe te Qamil Grezda.

Ai i përket grupit të artistëve të cilët dhanë një kontribut të madh si krijues dhe si përgatitës të një plejade artistësh të rinj.

Nëpërmjet punës si një ndër themeluesit dhe pedagogët e Liceut Artistik “Jordan Misja”, si drejtori i parë i Muzeut Kombëtar, njëkohësisht i Galerisë Kombëtare të Arteve, dhe si piktor i Teatrit Popullor, Grezda ka lënë gjurmët e tij në artin shqiptar, por edhe në konsolidimin e institucioneve kulturore të vendit.

Qamil Grezda është nga artistët që hodhën bazat profesionale të arteve figurative shqiptare. Në mjedisin e artit pamor shqiptar, artisti Grezda dallohet për dashurinë e tij për ngjyrat dhe për ndjeshmërinë e lartë realiste në portrete e peizazhe, duke u ndikuar edhe nga piktori i shquar Kolë Idromeno.

Në peizazhet e tij dallohet tërheqja e veçantë që ai kishte për natyrën dhe historinë e Shqipërisë dhe të Kosovës, të cilave iu kushtoi një pjesë të madhe të krijimtarisë së tij të shquar.

Ndërkohë që edukimi me atdhedashurinë dhe kombëtarizmin shqiptar, qysh në vendlindjen e tij Gjakovë, shprehet me madhështi në portretizimin dhe pikturimin e figurave historike si Bajram Curri, Isa Boletini, Hasan Prishtina apo edhe te veprat ‘Gryka e Kaçanikut’, ‘Lidhja e Prizrenit’, etj.

Vepra e tij është e qartë plot frymë atdhetarie, një ndër elementët për të cilin është konsideruar e vlerësuar përgjatë gjithë krijimtarisë.

Është kënaqësi që edhe disa prej pasardhësve të tij, vazhdojnë rrugën e artit e të kulturës, duke dhënë një kontribut të shquar në këtë drejtim”, – u shpreh Presidenti Meta.

Me këtë rast në kopshtin e Institucionit të Kreut të Shtetit, u zhvillua edhe një ekspozitë me punime të hershme të piktorit Qamil Grezda.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here