Qeveria të ndalojë “Konspiracionin” e testimeve – shkak i përkeqësimit epidemiologjik e shëndetësor!

0
99

Ish-ministri i Shëndetësisë Tritan Shehu bën thirrje që qeveria të ndalojë atë që ai e quan “konspiracion të testimeve”, që sipas tij është dhe shkaku kryesor i përkeqësimit epidemiologjik e shëndetësor të pandemisë së koronavirusit në vendin tonë.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Shehu thekson se Qeveria “Rama” me metoda inkuizicionale e anti-shkencore ka ndaluar kapacitetet laboratorike të vendit për të kryer testimet, zgjeruar gamën dhe volumin e tyre si domosdoshmëri kjo, gjq që dëmton rëndë shëndetin e qytetarëve, të drejtën e tyre për t’u ekzaminuar, transparencën, mundësitë për të lëvizur jashtë kufijve, si dhe e fut procesin nën një mjegull “konspiracioni”.

“Qeveria të ndalojë “Konspiracionin” e testimeve – shkak i përkeqësimit epidemiologjik e shëndetësor!

Që prej shkurtit testimet me tampon e më tej ato imunologjike vazhdojnë të jenë në shifra mjerane, në amulli, jo transparente, duke përbërë një nga shkaqet e dështimit.

-Jemi vendi i fundit në Europë për numrin e testimeve për 1 milionë banorë, me 10617, kur Serbia ka 60050, Italia 100955, etj,.

– Jemi vendi me pozitivitetin më të lartë të tyre, gjë që flet për numër të vogël e probleme metodike, që dëmtojnë kërkimin. P.sh: të enjten në Itali u bënë 56000 testime e dolën pozitiv rreth 100 persona, në Shqipëri në rreth 450 testime, pozitivë dolën 99!

-Jemi vendi ku testimet bëhen vetëm nga një laborator për tamponin e ato imunologjike, për më keq, asnjë nga këto laboratore nuk ka publikuar llojin e kiteve që përdor e karakteristikat tyre.

-Për më tepër Zyrtare e deklarojnë besueshmërinë e këtyre testimeve shumë të ulët, rreth 70 %, shifër kjo e hasur në kitet kineze, ndërsa ato perëndimore i kanë mbi 95-98%, duke vënë në dyshim kështu edhe këtë që po bëhet.

– Paradoksalisht qytetarët, që bëjnë testimin e marrin përgjigjen vetëm në telefon, pa u pajisur me një dokument zyrtar!

– Me metoda inkuizicionale e anti-shkencore janë ndaluar kapacitetet laboratorike të vendit për të kryer testimet, zgjeruar gamën e volumin e tyre si domosdoshmëri kjo, dëmton rëndë shëndetin e qytetarëve, të drejtën e tyre për t’u ekzaminuar, transparencën, mundësitë për të lëvizur jashtë kufijve, si dhe e fut procesin nën një mjegull “konspiracioni”.

Në vendet europiane testime të shumëllojshme kryhen lirshëm në laboratore mjekësore publike e private, në ato veterinaret e farmacitë, pikërisht se diviza “test, test,test, identifikim, izolim, mjekim”, është ajo fituesja.

Edhe për këto arsye, asistenca e plotë ndërkombëtare, preferenciale ajo italiane, është e domosdoshme për ne!”, shprehet në reagimin e tij, ish-deputeti i PD-së, Tritan Shehu.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here