Gjosha: “Venecia” tregoi ç’ka ndodhur me reformën në drejtësi. Korigjimi aty ku ka probleme, mos jetë tabu!

0
117

Ish-ministrja e Integrimit Klajda Gjosha flet në një intervistë për “standard”   mbi opinionin përfundimtar të Komisionit të Venecias për çështjen e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese. Po ashtu Gjosha komenton edhe rezolutën e Parlamenti Evropian e cila zyrtarizoi 15 kushtet ndaj Shqipërisë para nisjes së negociatave. Ndërsa mohimin e kushteve nga shumica qeverisëse, Gjosha e cilëson si një prej arsyeve që e kanë bërë vendin të degradojë në keq qeverisje dhe të bëhet bllokadë për perspektivën tonë europiane.

 

Intervistoi: Gëzim Saliu

 

Opinionet përfundimtare të Komisionit të Venecias mbi emërimet në Gjykatën Kushtetuese u zbardhën zyrtarisht një javë më parë. Cili është komenti juaj për këtë opinion mbi një çështje që në fakt krijoi një përplasje të fortë institucionale në vend?

Venecia ka treguar qartë se çfarë ka ndodhur me reformën në drejtësi deri në këto momente. I ka treguar BE-së, ShBA-së dhe opinionit publik se reforma ka probleme dhe se ajo kërkon ndryshime kushtetuese.

Është një çështje për të cilën të gjithë ne kemi folur prej shumë kohësh, duke kërkuar që reforma në drejtësi të mos jetë tabu por ajo të korrigjohet aty ku paraqet probleme gjatë implementimit.

Besoj që pas rekomandimeve të Venecias është bërë i qartë edhe roli negativ dhe imponues që ka luajtur mazhornca me reformën, duke kërkuar përvetësimin e saj!

 

Ndërkaq Parlamenti Evropian miratoi gjithashtu pak ditë më parë një rezolutë ku zyrtarizoi 15 kushtet ndaj Shqipërisë para nisjes së negociatave për anëtarësim. Si ish-ministre e integrimit si e vlerësoni këtë qëndrim të PE?

Ky është një vendim që e bën Shqipërinë të ketë një rrugëtim të vështirë drejt çeljes së negociatave dhe është pasqyrë e keq qeverisjes në vend.

Mendoj se situata në Shqipëri gjatë viteve të fundit është përkeqësuar shumë si politikisht ashtu edhe me ecurinë e reformave, thellimin e pandëshkueshmërisë, cënimin e fjalës së lirë dhe të pronës private si dhe në shumë aspekte të tjera. Kjo po detyron vendet anëtare të jenë shumë të rrepta dhe kërkuese me kushte të detajuara për celjen e negociatave.

 

Nga ana e tij kryeministri i mohon 15 kushtet, ku një ditë më parë gjeti strehim te deklaratat e Drejtoreshës për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian, Genoveva Ruiz Calavera. Cili është opinion juaj për këtë qëndrim të mazhorancës socialiste?

Mohimi i kushteve dhe mospranimi i realitetit janë ato që e kanë bërë vendin të degradojë me keq qeverisje dhe të bëhet bllokadë për perspektivën tonë europiane. Përgjigjen e saktë të kësaj pyetje e ka kthyer Parlamenti Europian nëpërmjet vendosjes së kushteve në mënyrë ligjore dhe mos harrojmë që bëhet fjalë për institucionin më pro zgjerim në BE dhe që e ka mbështetur Shqipërinë në cdo etapë të saj.

 

Po ashtu në Komisionin e Punëve të Jashtme në Parlamentin Europian, eurodeputetët ngritën një sërë shqetësimesh për Shqipërinë, duke nisur nga mos ndëshkimi i krimit zgjehdor me rastet në Shijak e Dibër e deri te problemet me ligjet për median. Si e gjykoni këtë qëndrim të ashpër të europarlamentarëve?

Është hera e parë që nga viti 2003 që Parlamenti Europian është kaq i ashpër me Shqipërinë. Shqetësimet e ngritura ishin konkrete dhe çështje që na shqetesojnë të gjithëve sepse kanë të bëjnë me demokracinë, shtetin e së drejtës, funksionimin e institucioneve dhe të drejtat e njeriut.

Ajo seancë ishte një keqardhje e madhe që pas kaq vitesh, Shqipëria ende është peng i një grupimi individësh në qeverisje që nuk kanë maturi dhe përgjegjshmëri politike!  Ishte seanca e realitetit të hidhur shqiptar dhe kjo duhet të jetë një kambanë alarmi për të gjithë ne!

 

 

Pjesë e puçit për kapjen e Kushtetueses, sot ministrja deklaron: Të ngrihet në kohë Kushtetuesja!

 

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj,  e cila u vu në shërbim të puëit institucional me qëllim kapjen e Gkyatës Kushtetuese nga shumica ku bën pjesë, sot del e flet për rëndësinë e ngritjes në kohë të Gjykatës Kushtetuese. Në fjalën e saj në Kuvend, Gjonaj tha se reforma në drejtësi po vazon, por rrezikohet nga ata që tentojnë vazhdimisht ta minojnë. “Plotësimi i Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese nuk ka ecur në kohë, por kjo s’do të thotë se dështoi reforma. Ky nuk është problem i vettingut por problem i trashëguar dhe mangësi e integritetit të atyre gjykatësve të shkarkuar. Përpos sulmeve nuk është koha të ngadalësojmë procesin. Opinioni i Venecias në asnjë rast nuk i preku parimet e vendosura nga kjo reformë. Kjo nuk është një ndeshje me të fituar dhe të humbur se nëse nuk ngrihet në kohë Kushtetuesja humbasim të gjithë”.

Kujtojmë se ishte pikërisht ministrja Gjonaj e cila urdhëroi Sekretarin e Përgjithshëm të dërgonte për botim në Fletoren Zyrtare një vendim, që duhej botuar vetëm në faqen e Gjykatës Kushtetuese. Ministrja nuk kishte asnjë rol të dërgonte aktet e KED për botim. Ajo urdhëroi botimin pa ia kërkuar askush. Ministrja shpërdoroi qartazi detyrën, me falsifikime dhe ndërhyrje të paligjshme në proces. Por ende sot nuk ka asnjë rezultat nga padia e dërguar nga Presidenti në SPAK e ndërsa ministrja del e flet si “zonja e drejtësisë”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here