Pas marrëveshjes së bashkëpunimit me Veronën dhe krijimit të kompanisë “EcoTirana”, Tirana do aplikonte diferencimin e mbetjeve në kosha të veçantë.
Në fakt duket se përveç ngjyrave të kazanëve, gjithçka tjetër mbeti vetëm në letër.
Vetëm për shërbimin në atë që u quajt “zona e kuqe”, brenda unazës së kryeqytetit, Bashkia Tiranë parashikohej t’i jepte për të menaxhuar kompanisë Eco Tirana 2,5 milion euro në vit.
Sipas të dhënave në APP, 7 prokurimet e para janë zhvilluar me negociim nga Eco Tirana kapin vlerën e 3.5 miliardë lekëve ku qëllimi ishte kryesisht blerje mjete pastrimi, promovim, karburante apo sigurime.
Në shkurt të vitit 2018, kjo kompani zhvilloi tenderin për blerjen e kazanëve për material të riciklueshëm dhe të pariciklueshëm, por sërish të gjitha mbetjet bashkohen në një vend.
Për blerjen e 130 kazanëve, ndër to 40 për material të riciklueshme, ky tender kap vlerën e 69 milionë lekëve, të cilin e fitoi Assoplast Albania.
Aksioneri është një shtetas i huaj, Fausto Simonazzi. Në fakt kjo kompani është krijuar në prill të vitit 2017, por duket se nisjen e ka pasur të mbarë. Open data e ka renditur këtë process me flamur të kuq me shënimin mungesë konkurrence
Përmes kësaj nisme Bashkia e Tiranës u hoqi të drejtën shumë personave, të cilët përmes grumbullimit të mbetjeve të caktuara, siguronin të ardhurat për mbijetesë.
Kjo veprimtari u cilësua nga kryebashkiaku Veliaj si e palejuar madje dhe paralajmëroi për gjoba.
Megjithatë sërish, diferencimi i mbetjeve mbetet një mision i pamundur dhe madje shpesh rikthehen konfliktet me komunitetin rom, apo persona të tjerë që tentojnë të mbledhin kanaçe apo materiale të tjera të riciklueshme./ oranews