Kjo “kastë” nuk duhet lejuar më të abuzojë me paranë e shqiptarëve!

0
117

Ajo çfarë pamë të shtunën pasdite te Parku “Rinia”ishte prova e rradhës së grabitjes masive që i ndodh çdo shqiptari në xhepat e tij, nga ky pushtet arrogant që nuk njeh ligje, kushtetutë e drejtësi. “Rehabilitimi” i Parkut “Rinia” ishte një nga shpenzimet e fundit marramendëse të Bashkisë së Tiranës, që vetëm pas disa reshjeve shiu, u kthye në një pellg të ngjashëm me ato të bretkosave. Parku në fjalë u përurua me bujë nga kryebashkiaku më 1 Qeshor, pra vetëm 1 javë më parë.

Dhe e dini sa kushtoi?! Plot 1 miliardë lekë!!!
Kështu një vit më parë, bashkia e Tiranës hapi tenderin me objekt “Rehabilitimin e parkut Rinia” me vlerë 78.705.775 lekë pa TVSH. Por me gjithë vlerën e TVSH-së, ky prokurorim arriti në vlerën e 1 miliardë lekëve, ku kujtojmë se kjo shumë u shpenzua vetëm për sipërfaqjen e dukshme të sheshit, ndërkohë që bashkia e harroi të paktën përkohësisht, projektin për parkimin.

Me gjithë shumën marramendës të shpenzuar, pjesë e një binomi të pastër korruptiv që vepron prej vitesh siç është pushtet-oligarki, ky park nuk pësoi asnjë transformim rrënjësor, përveçse dunave dhe vendosjes së lodrave për fëmijë, duke imituar projektin te Liqeni Artificial.

Dhe u desh vetëm një shi i rrëmbyeshëm në Tiranë që ky Park të përmbytej, për të nxjerrë në pah edhe një herë fytyrën e vërtetë të këtij pushteti. Por demaskimi i këtij regjimi politiko-oligark, nuk ndodhi të shtunën për herë të parë. Janë me dhjetëra rastet kur grabitja e pastër e pushtetit në favor të palëve të interesuara pranë tij, ka dal zbuluar. E megjithatë, sërish ja kanë hedhur!

Kasta” me emrin Rilindje

“Kasta” si emërtim i referohet një grupi të vogël njerëzish me lidhje gjaku a profesioni, që kanë një pozitë shoqërore të veçantë dhe që mbrojnë interesat e ngushta vetjake dhe e ndajnë veten nga të tjerët. “Rilindja” është padyshim përfaqësuesja më e denjë e kastës së të korruptuarve. Që me ardhjen në pushtet në 2013-ën, por sidomos në këto vite kur “ të purpurtit” e kanë marrë timonin e pushtetit krejt vetëm, është hasur një batërdi e vërtetë me paranë publike. Kështu, në raportin e fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit ( KLSH) për vitin 2019 është konstatuar parregullsi dhe shkelje financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera me një dëm ekonomik në shumën totale prej 27,304,777 mijë lekë ose 223,8 milionë euro. VJEDHJE MARRAMENDËSE!

Të vazhdojmë më tej me batërdinë e “kastës Rilindje” sa i takon koncensioneve dhe PPP-ve. Ashtu siç edhe është faktuar, fenomeni i koncensioneve dhe PPP-ve mori një hov të paparë në 5 vitet e fundit, ku dukshëm një pjesë e mirë e kontratave janë fryrë në favor të interesve të përbashkëta të binomit pushtet-oligarki. Kujtojmë këtu koncensionin e Chek-Up, i cili prej një muaji tashmë është kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion. Ministria e Shëndetësisë ka shkelur procedurat ligjore për shpalljen e fituesit dhe lidhjen e kontratës, si dhe ka shpallur fitues ofertuesin me çmimin më të lartë, duke sjellë dëm të lartë financiar për Buxhetin e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor.
Në vitin 2019, qeveria financoi për projektet e PPP rreth 13.9 miliardë lekë, sipas parashikimit në buxhet. Ndërkohë në buxhetin 2018 u financuan 8.76 miliard lekë, për pagesat vjetore neto të kontratave koncesionare apo PPP. Ndërsa për këtë vit, vlera e kontratave me PPP do të rritet sërish për shkak se qeveria ka miratuar tre kontrata PPP me vlerë 370 milionë euro, teksa të tjera janë në proces, çka do të kërkojë pagesa më të mëdha çdo vit. ABUZIM MAKSIMAL!

Të vazhdojmë më tej, duke qenë edhe më konkretë. T’i thërrasim pak memories e të kujtojmë mega aferën te “Unaza e Re”. Aty ku firma fituese fillimisht mori tenderin me letra fallso e ndërsa më pas u kalua në abuzim skandaloz me paranë publike. Kështu segmenti prej vetëm 2.2 kilometrash kushtoi 40 milionë euro me një mesatare prej 19 milionë eurosh për kilometër. MEGA-PËRVETËSIM!

Për të ardhur së fundmi te Teatri Kombëtar. Ai imazh barbar i prishjes së godinës së Teatrit, ku u shfaq më hapur se kurrë dhuna shtazore e shtetit policoro-ushtarak mbi artistët, qytetarët e vetë gazetarët, ishte tregues i etjes së pushtetit për të marrë përfitimet e radhës. Dyshimet se pas Teatrit të ri do ndërtohen kulla janë shtuar gjithjë e më shumë, ndërsa përfaqësues të bashkisë Tiranë dhe qeverisë e kanë lënë të hapur mundësinë e ndërtimit të tyre. Qartazi, halli i pushtetit te çështja e Teatrit Kombëtar, nuk ishin as kushtet e godinës e as hallet e artisëve, por thjesht “marrëveshje-pazari” me pronarët e qiellgërvishtësve të rradhës që pritet t’i marrin frymën kryeqytetit.

Plugim sa më parë

E gjithë kjo maskaradë që ka ndodhur me paranë e shqiptarëve duhet ndalur sa më parë. Rasti i fundit i abuzimit skandaloz me paranë publike te Parku “Rinia” duhet të shërbejë si një shtysë e madhe ndaj kujtdo qytetari, qoftë i djathtë apo socialist, për ti thënë ndal një herë e mirë kësaj kaste korruptive. Këta që na qeverisin sot nuk kanë lidhje me socialistët, këta janë krejt tjetër gjë. Kthetrat korruptive i kanë shtrirë në të gjithë vendin dhe sado që çdokush prej nesh mundohet dhe jep sadopak ndihmë në përparimin e vendit, janë sërisht ata, rilindasit e kastës korruptive, që na kthejnë aty ku ishim.

Prandaj ka ardhur koha për një përgjigje të fortë ndaj abuzimit me paranë. Duhet një PLUGIM i thellë i “tokës” së këtyre pushtetarëve, që nga rrënjët, për t’i thënë ndal njëherë e mirë abuzimit me paranë e djersën e shqiptarit. Është detyrë e çdo shqiptari të ndalë abuzimin me paranë që i merret përditë nga xhepi i tij me PPP-të klienteliste, me tenderat korruptvë dhe gjithashtu taksat super të fryra që ka sjellë Rilindja që nga ardhja e saj në pushtet.

Ndërkohë vjedhjet skandaloze me fimë shtetërore duhej të ishin nën shenjestrën e organeve të reja të drejtësisë, sic është SPAK. Ky i fundit ende nuk ka dhënë provën e parë se po vepron për të goditur korrupsionin te zyrtarët e lartë. Qëllimi primar i këtij institucioni ky ishte, ndërsa deri më sot, nuk ka asnjë rezultat mbi abuzimet e pushtetit me paranë publike, aq më pak me përgjegjësit e çështjeve. SPAK duhe të nisë të funksionojë për qëllimet që është krijuar, ndryshe kot sa ekziston!

Ndërkaq të tilla abuzime marramendëse me paranë publike në favor të interesave të binomit pushtet-oligarki, duhet të shërbejnë gjithashtu edhe si një alarm për ndërkombëtarët, më shumë madje për ata të akredituar në Tiranë. Që të rishikojnë marrëdhëniet me këtë kastë korruptive. Nëse vetëm 10% e këtyre afereva do kishin ndodhur kaq hapur në një vend të Bashkimit Evropian, atje qeveria, nuk do kishte më shans të ishte në këmbë ditën pasardhëse.

Në këto kushte, të nderuar ambasadorë , kjo thirrje vlen edhe për ju! Mos i bëni hije një pushteti korruptiv, tregoni se jeni përfaqësuesit e vlerave evropiane e perëndimore duke ngritur zërin kur paraja publike, aq më keq në rastet kur paraja e ardhur si ndihmë nga BE apo SHBA, keppërdoret nga pushteti në mënyrën më abuzive të mundshme.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here