“Nisma Thurje” thirrje Bashës të largohet nga Rama: Bashkohu për ndryshimin e sistemit zgjedhor!

0
119

“Nisma Thurje”, në një deklaratë për mediat, i ka bërë thirrje kreut të PD-së, Lulzim Basha që të bashkohet me ta, në nismën për ndryshimin e sistemit zgjedhor, që populli shqiptar të zgjedhë përfaqësuesit e vet dhe jo thjesht listat e diktuara nga liderët e partive politike.

Deklarata e plotë e “Nisma Thurje”:

Nisur nga zhvillimet i fundit në Këshillin Politik ku po diskutohet reforma zgjedhore, jemi të shqetësuar që një çështje themelore siç është reformimi i sistemit zgjedhor është nënvlerësuar, duke krijuar dyshimet për një marrëveshje mes palëve.

Duam të sjellim në vëmëndje se në Janar të këtij viti, është depozituar në Kuvend një nismë ligjore e firmosur nga 50 mijë zgjedhës, ku kërkohet aplikimi i një sistemi zgjedhor proporcional kombëtar me lista të hapura.
Shqetësimi kryesor që ka nxitur këtë nismë ligjore është kufizimi i të drejtës kushtetuese për të zgjedhur.

Shembulli më i fundit i një qeverisje jopërfaqësuese, është vendimi Këshillit Bashkiak të qytetit për prishjen e Teatrit Kombëtar. Asnjë prej anëtarëve të këtij këshilli nuk është votuar në mënyrë direkte nga zgjedhësit, por është emëruar nga kryetari i partisë. Mungesa e mekanizmave llogaridhënës që burojnë prej këtij sistemi zgjedhor, bëjnë që edhe në zgjedhjet e ardhshme vendore, ne si qytetarë të mos kemi mundësi t’i ndëshkojmë me votë anëtarët që firmosën për prishjen e teatrit.

Së dyti, ne jemi të shqetësuar për cilësinë e përfaqësimit në Parlament. Filtri aktual i kryetarëve të partive ka prodhuar një Parlament të mbushur me vrasës, trafikantë, përdhunues dhe analfabetë. Ne besojmë se nëse zgjedhësit do kenë mundësi të zgjedhin në mënyrë direkte përfaqësuesit e tyre, ata do të zgjedhin një Parlament shumë më cilësor.
Së treti, ne jemi të shqetësuar për shkeljen e parimit kushtetues të barazisë së votës. Me ndarjen aktuale të zonave zgjedhore 87 mijë votues të Kukësit përfaqësohen në Kuvend me tre deputetë, ndërkohë që po i njëjti numër votuesish në Dibër, përfaqësohen nga katër deputetë. Gjithashtu, një deputet i Tiranës përfaqëson 26’328 banorë, ndërsa një në Gjirokastër përfaqëson gjysmën e tyre, 12’285 banorë.

Së katërti, sistemi aktual zgjedhor ka krijuar barriera antikushtetuese për përfaqësimin në Kuvend dhe në Këshilla Bashkiak të grupeve të caktuara në shoqëri. Për ta ilustruar: megjithëse pragu elektoral ligjor është 3%, pragu natyral në disa zona shkon deri në 34%. Ky prag kaq i lartë lë të papërfaqësuar grupe minoritare në shoqëri, dhe e manipulon vullnetin e tyre, duke e transferuar atë tek partia më e madhe.

Shembulli më i qartë i këtij manipulimi janë zgjedhjet e 2017, ku Partia Socialiste, megjithëse fitoi vetëm 48% të votave, që korespondon me 67 mandate, mori 74. Pra 7 mandate për Edi Ramën u prodhuan nga votat e atyre që kishin votuar kundër tij. Ky manipulim i vullnetit të zgjedhësve, i dha Edi Ramës një mazhorancë të jashtëzakonshme, edhe pse ai nuk mundi dot të fitonte as gjysmën e votave.
Historia ka treguar se një sistem zgjedhor që i mundëson një lideri të qëndrojë në pushtet edhe kundër vullnetit të zgjedhësve, shtron rrugën drejt autokracisë dhe qeverisjes së korruptuar.

Prandaj i bëjmë thirrje koalicionit opozitar, dhe veçanërisht kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, që t’i bashkohet këtij fronti të përbashkët civil, për të kërkuar ndryshimin e sistemit zgjedhor, i cili ka fuqizuar qeverisjen autokratike të Edi Ramës, dhe i ka dhënë atij mundësi të qëndrojë në pushtet kundër vullnetit të zgjedhësve.

Duke besuar se kauzat janë më të rëndësishme se sa subjektet politike, besojmë që përpara llogarive personale, ata do të vendosin jo vetëm interesin e votuesve të tyre dhe subjekteve politike që drejtojnë, por mbi të gjitha interesin e përbashkët kombëtar.

Nisma Thurje
Tiranë, 27 Maj 2020

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here