Pesë dështime përballë koronavirusit

0
122

Nga FATBARDH KADILLI

 

Dështimi i parë është ai politik: Deficencë e frikshme e demokracisë!

E gjithë periudha që kur u dëgjuan paralajmërimet e para e deri më sot, tregojnë deficencë të thellë demokracie. Nuk ka institucione, ka vetëm personalizim. Nuk ka struktura përgjegjëse, ka vetëm autoritet të interpretuar me arrogancë nga Kryeministri. Mjafton të kujtojmë mënyrën se si janë marrë vendimet.

Gjithçka dëshmon për voluntarizëm politik dhe jo për procese politike racionale. Masa ekstremë të pakonsultuara, të pashpjeguara. Masa që nuk i janë nënshtruar asnjë debati. Masa nën titullin “atë e di unë”. Masa që merren për “të mirën e qytetarit”, por asnjëherë nuk kanë pasur mbështetjen e qytetarëve. Referohen shembujt më ekstremë nga bota për justifikim, por asnjëherë nuk u dha asnjë shpjegim pse ne jemi apo mund të jemi ai rasti ekstrem. Tashmë ne kemi sakrifikuar shumë nga demokracia. Opozita ka shërbyer sa ka mundur me presionin e alternativës. Ka marrë edhe pozat, edhe rolin e qeverisë, por sot jemi në kushtet kur po modelohet sistemi politik. Dhe kjo provë gjenerale po tregon se ADN-ja jonë demokratike nuk ka rezistencë mjaftueshëm ndaj këtij modeli.

DËSHTIM I DYTË ËSHTË AI I SHËRBIMIT SHËNDETËSOR!

Respekti për çdo mjek dhe infermier që punon në kushtet e stresit më të lartë profesional, nuk mund të na bëjë të injorojmë gjendjen e shërbimit. Kjo ka qenë arsyeja që frikësoi për vdekje Ramën. Nuk ka qenë virusi dhe rreziku i përhapjes! Nuk kanë qenë as mangësitë apo veset sociale të shqiptarëve përballë virusit, që Rama i përqesh dhe i përdor aq shumë. Ka qenë paaftësia e shërbimit shëndetësor të koncensionuar e vërteta përvëluese. Këtë shërbim të shkatërruar dhe sot të paaftë, shqiptarët po e paguajnë me ‘burgosje’ të gjatë, pasi e kanë paguar me taksa. Dëshmitë e bëra publike nga persona që kaluan nëpër gjendjen katastrofike të spitaleve këto kohë, janë vetëm grimca të së vërtetës. Mungesa e kapaciteteve për testim dhe gjurmim është fiasko më e dukshme. Buletini i ‘luftës’ me numrat e të infektuarve nuk zëvendëson dot mungesën e një strategjie të përballjes me pandeminë.

DËSHTIMI I TRETË ËSHTË EKONOMIK.

Qeveria në panik nuk është në gjendje t’i përgjigjet krizës që thellohet çdo ditë që zgjat mbyllja. Paketat ekonomike që shpall, tentojnë të imitojnë terminologjinë dhe modelet e vendeve të tjera. Por, nga mënyra si po reagojnë qeveritë në botë, kemi huazuar vetëm termat tip ‘pagë lufte’, por aspak thelb ekonomik. Mjafton të shikojmë sa për qind e GDP është fatura e paketave për ta kuptuar sa jo relevante është ndërhyrja e qeverisë. Është një pikë uji në ekonominë e plagosur, që sot është bërë si shoshë.

DËSHTIMI I KATËRT ËSHTË AI I LIRIVE DHE I TË DREJTAVE NJERËZORE.

Shembulli i njerëzve që u mbajtën në kufi në kushte çnjerëzore, është fytyra e vërtetë e shtetit. Aq sa i respektoi liritë dhe të drejtat e tyre, aq i respekton liritë dhe të drejtat në përgjithësi Rama. Braktisja e qytetarëve në udhët e botës është e pashembullt. Kërcënimi për të mos iu afruar kufirit, po ashtu! Detyrimi për të paguar karantinën është tjetër provë urrejtje për liritë dhe të drejtat njerëzore. Kufizimet e orareve dhe liridaljet tematike janë poshtëruese për dinjitetin njerëzor!

DËSHTIMI I PESTË ËSHTË AI I SHOQËRISË SË ANGAZHUAR.

Përballë koronavirusit kam parë me keqardhje koncertin e dirigjuar nga qeveria. Koncertin e fytyrave dhe zërave që me paturpësi shpallin kotësinë e tyre. Shpallin injorancën, shpallin mungesën e etikës, shpallin bythëlëpirjen. Një mjek që del çdo natë në çdo dritare Tv! Mjekë dhe njerëz të shëndetësisë që dinë për pandeminë më pak se çdo njeri i lëçitur që kërkon informacione vetë. Që vetëm për situatën tonë dhe të spitaleve tona nuk flasin. Një tjetër që ftohet të flasë nga Londra për të lavdëruar si ‘Ronaldo’ shokun e vet, që është në krye të urgjencës. Këshilltari i Kryeministrit që fyen opozitën, nën shembullin e vetë Ramës që përqesh opozitën. Deputeti i maxhorancës që zbulon në moshë të thyer se kush është Odisea! Artistë, mjekë, profesionistë në emigracion që suksesin vazhdojnë ta kërkojnë në ekranet e Shqipërisë. Asnjë nuk del dot nga intonacioni që i ka dhënë dirigjenti. Asnjë nuk sfidon, asnjë nuk shtron pyetje, asnjë nuk ka dilemë. Të gjithë këndojnë Hosana për mjerimin e tyre dhe fatkeqësinë tonë! Përballë këtyre, zërat e rezistencës intelektuale mezi dëgjohen.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here