Kim Mehmeti: Piktorit të ‘Rilindjes’ iu plotësua ëndrra më madhore që ka çdo diktator! Të vendosë edhe…

0
145

Në intervistë ekskluzive per STANDARD shkrimtari dhe analisti i njohur Kim Mehmeti ka folur per situatën në të cilën ndodhemi. Pas kësaj pandemie të pasurit do bëhen edhe më të pasur, e të varfrit edhe më të varfër. Dhe sërish do vuajmë ne të vdekshmit e rëndomtë, e jo ‘hajdutokratët’ tanë që kanë grumbulluar pasuri për t’i siguruar edhe stërnipat e tyre dhe për të përballur edhe dhjetëra pandemi të këtilla. Piktori i Rilindjes sillet kështu siç sillet dhe është ky që është për dy arsye: sepse drejton një partie ku të gjithë ‘trimat’ dhe të urtit e saj përfunduan o si heronj mbi gomarë, o si ‘kloun’ të oborrit mbretëror .

INTERVISTOI: Romina Vako

 

Pyetjet: 1- Tashme jemi ne një situate pandemie! Si i vlerësoni ju masat e marra nga qeveria Rama ne Shqipëri krahasuar me Kosovën nga qeveria Kurti?

K. Mehmeti: Nuk mund të flas për masat e ndërmarra për t’u mbrojtur nga kjo pandemi, ngaqë nuk jam ndonjë njohës i çështjeve shëndetësore. Por ka diçka që shkon përtej kësaj e që mua si shkrimtar më mundëson të lexojë dukuritë dhe sjelljen e njerëzve në këto rrethana në të cilat ndodhemi. Sa i përket Piktorit të “Rilindjes” ai është ‘libër’ i mërzitshëm ku nuk ke çka të lexosh. Gjatë kësaj pandemie ai aq shumë e trishtoi popullin sa kam frikë se shqiptarët më vështirë e kanë përballur frikën nga ajo që ai ua paralajmëronte, se sa nga vetë sëmundja. Thjeshtë atij thuajse iu plotësua ëndrra më madhore që ka çdo diktator i pa realizuar si i tillë: ta ketë ndjenjën se ai vendos edhe për jetën e vdekjen e njerëzve! Se ai është pronar edhe i jetëve të pjesëtarëve të popullit të vet! Kryeministri i Shqipërisë bëri çmos që të flitet për të, e jo për mjerimin me të cilin përballej Shqipëria edhe para se ta pllakoste kjo pandemi. Dhe në tërë këtë “cirk”, ka vite që ai është “kryemjeshtri” i lojës dhe magjistari që  mbështetet mbi një dhunti: vëmendja e publiku të përqëndrohet te ai dhe lëvizjet e tij, e jo te ‘pajisjet’ që ai përdorë gjatë bërjes ‘magji’. Dhe kështu vendin e la pa Gjykatë Kushtetuese, me një Kuvend që nuk do i kishte hije as një kooperative bujqësore, …., me çka arriti diçka të paimagjinueshme: Shqipërinë e shndërroi thuajse në ‘kompani’ të veten private, si pronarë i vetëm i saj, ai i përcakton edhe kufijtë e jetëgjatësisë e të vdekjes. Dhe tërë këtë e arriti edhe me ndihmën e mediave, sepse gjatë këtyre viteve sa është në pushtet, kabinet i tij ishin studiot televizive, nga për çdo natë, i tha të gjitha që duhej ta mbulonin të vërtetën se Shoqëria u bë e pabanueshme për rininë e saj. Edhe gjatë kësaj pandemie, ai bëri çmos që askush të mos merret me tragjedinë që i kanosej botës, por me te dhe paraqitjen e tij të frikshme, si i dalë prej shpelle, ku ishte strehuar që i papenguar ta vuante fatkeqësinë me të cilën përballej populli i tij. Me çka u harrua se e keqja e Shqipërisë nuk është Kryeministri si i tillë, por diçka edhe më e thellë e më tragjike se kaq: partitë shqiptare që janë bërë strehimore edhe për hajdutë, kriminelë, të pafytyrë…, e të cilat parti mund të ‘mirëmbahen’ vetëm me në krye ndonjë Piktor, i cili edhe sikur të dojë nuk mund t’i shkulë rrënjët nga ‘kopshti’ i së keqes që e ka rritur dhe e ka ngritur atë si drejtues të shtetit. Shkurt e shqip: përderisa e tërë bota hartonte strategji si ta përballojë papunësinë gjatë katastrofës ekonomike që do pllakosë planetin pas pandemisë, Piktori i “Rilindjes” i ishte përkushtuar vetëreklamimit dhe bënte çka t’i dojë qejfi, edhe atë në një Shqipërinë me pushtet por ku nuk kishte shtet, aty ku njerëzit merreshin me të, e jo me të keqen që i pret, aty ku ai ishte edhe gjykatë kushtetuese, edhe mjek, edhe ekspertë…, por nuk ishte vetëm atë që duhej të jetë -burrështetas!

2. Cilat janë kufizimet me te mëdha qe te ka sjell karantina?

K. Mehmeti: Edhe para kësaj pandemie, përditshmëria ime ka qenë lexim e shkrim. Nuk jam as i kafeneve as i daljeve të shumta. Por jam i udhëtimeve të shpeshta, andaj kufizimi më i madh me të cilin përballem është pamundësia që të udhëtoj jashtë Shkupit e jashtë vendit. Dhe më mungojnë takimet me miqtë e mi në Prishtinë e Tiranë.

3- Si mendoni se do ndryshoj bota pas Covid-19 ? Ndërkohë ne këtë periudhe ‘ndihmat’ apo ‘paga e luftës’ është minimaliste ku shume te punësuar apo vetëpunësuar nuk përfitojnë dhe për këtë Rama e justifikon me faktin se jemi një vend i varfër por ndërkohe vazhdon me dhënien e tenderave apo mos anulimin e koncesioneve. Si e komentoni ju këtë pjese?

K. Mehmeti: Pas kësaj pandemie të pasurit do bëhen edhe më të pasur, e të varfrit edhe më të varfër. Dhe sërish do vuajmë ne të vdekshmit e rëndomtë, e jo ‘hajdutokratët’ tanë që kanë grumbulluar pasuri për t’i siguruar edhe stërnipat e tyre dhe për të përballur edhe dhjetëra pandemi të këtilla. Sidoqoftë mendojë se do mbetet si e gdhendur në gurë e vërteta se në kohë pandemie, Piktori i “Rilindjes” i tha gjitha që i kishte lexuar e që i dinte për pandeminë, por jo siç i ka hije një burrështetasi, por si të ishte një nga arixhinjtë që shkojnë lagje në lagje, e fshat në fshat, për t’i trembur banorët me rreziqet që u kanosen, e për të përfituar nga hallexhinjtë e sëmurë, që s’dinë ku të kërkojnë derman! Besoj se jo vetëm Piktori, por edhe politikanët tjerë të ‘Shqipërive’ tona e dine se pas pandemisë vjen varfëria, se vjen koha kur populli më qartë do e sheh se burrështetasit tanë janë sëmundja më e rëndë nga e cila vuan shqiptaria. Pra politikanët tanë e dine se afrohet dita kur edhe më qartë do shihet se ne kurrë nuk kemi pasur burrështetas që kanë mbrojtur popull e kanë ndërtuar shtet, por një lloj të ri mercenarësh, të cilët duan ta arrijnë të pamundurën: t’u takojë edhe lavdia edhe hajnia!

4- Çfarë pritet te ndodh me politiken pas pandemisë, ka rrezik te krijohet qeveri autoritare?

K. Mehmeti: Nëse e vëreni, Piktori i ‘Rilindjes’, si dhe disa të ngjashëm me të, nuk e përdorin fjalën pandemi apo sëmundje, por ‘luftë’. Dhe ata e përjetojnë këtë si luftë dhe duan që këtë situatë ta ngrenë në rrafshin e luftës sepse vetëm në rrethana lufte askush nuk ta numëron ‘municion’ që ke blerë, e as të pyet në cilin treg e ke marrë dhe sa ke paguar për të. Pastaj vetëm lufta t’i mbulon gjitha të këqijat që ke bërë gjatë periudhës së paraluftës! Andaj rreziku nga qeveritë autoritare është i pashmangshëm në shoqëritë e varfëra e pa institucione të konsoliduara shtetërore, siç janë vendet tona. Ky rrezik është edhe më i theksuar në Shqipëri, ku vendi kontrollohet nga një numër i vogël pasanikësh, të cilëve kurrë nuk u është përshtatur shteti ligjor, por ai me institucionet që e mbulojnë veprimtarinë e nëntokës politike.

5- Opozita se fundmi po akuzon për mungese testimesh, dhe kemi një kurbe qe mund te quhet e “çuditshme” Pas kësaj Rama po fillon hapjen e shume bizneseve përfshire edhe hotelet. Si ju duket kjo mase?

K. Mehmeti: Se Kryeministri i Shqipërisë nuk i ka punët mire me të vërtetat, do ua dëshmoj me dy fakte. E para, e kam dëgjuar të thotë se kjo është pandemia më e madhe gjatë njëqindëvitishit të fundit. Gjë që nuk është e saktë sepse në vitin 1968 bota u përball me pandeminë e gripit të Hong Kongut kur humbën jetën rreth një milion njerëz. Pastaj e kam dëgjuar të thotë se nga gjitha vendet e rajonit, Shqipëria është e para që u përballë me Covid19!? Gjë që nuk është e saktë sepse gjykuar për nga raste e para të zbuluara, Maqedonia e kishte të infektuarin e parë zyrtar shumë kohë para se këtë ta shpallte Shqipëria. Dhe ne në Maqedoni madje edhe bënim hajgare dhe thoshin se Piktorin do sjellë ndonjë ligj me të cilin do ia ndalojë virusit Covit19 hyrjen në Shqipëri. Apo habiteshim si ishte e mundur që në Maqedoni, e cila nuk është aq e afërt me Italinë, erdhi ky virus para se të arrinte në Shqipëri ku për çdo ditë ktheheshin nga Italia me qindra shqiptarë. Pse e them ketë? Sepse ndaj të vërtetës, Kryeministri i Shqipërisë sillet njësoj si edhe ndaj pikturave të veta artistike: beson se argument i të vërtetës është vetë ai dhe se, vlerat artistike janë proporcionale me pozitën shtetërore që ka autori i tyre!

6- Cili është qëllimi i ndryshimit urgjent te Kodit Penal? Ne një kohe qe qeveria po nxjerr nga burgu te dënuar , parlamenti miratoi ndryshimet qe dënojnë qytetaret qe shkelin masat e qeverise?

K. Mehmeti: Gjitha qeveritë e botës bëjnë çmos që qytetarët t’i qetësojnë dhe atyre t’ua lehtësojnë përballjen me këtë të keqe, e vetëm Kryeministri i Shqipërisë bënte çmos që qytetarët e vendit që drejton t’i trembte e t’i ndëshkonte sa më shumë. Ngutja e tij që të miratojë sa më shumë masa ndëshkuese shpalosë mendësinë e tij të diktatorit të parealizuar, i cili beson se ai është vetëdija dhe mençuria kolektive, që e përbuzë popullin e vetë duke e trajtura si një ‘kope’ që varet nga bariu dhe shkopi i tij. Me çka, në njëfarë mënyre, shqiptarët ai i shpërfaqë si njerëz të cilët i vetëdijëson vetëm ‘dajaku’.

7- Po opozita si ju duket, a do te duhej te ndërmerrte veprime te tjera ne mbrojte te Kushtetutës por jo vetëm dhe mos mbetej vetëm ne kufijtë e denoncimit?

K. Mehmeti: Piktori i Rilindjes sillet kështu siç sillet dhe është ky që është për dy arsye: sepse drejton një partie ku të gjithë ‘trimat’ dhe të urtit e saj përfunduan o si heronj mbi gomarë, o si ‘kloun’ të oborrit mbretëror . Dhe Piktorin e ‘Rilindjes’ e bëri të ‘fortë’ edhe kjo opozitë e cila e dinë çka done të arrijë por duke harruar se në Shqipëri prej moti është venitur shpresa, se populli thuajse është bërë i pandjeshëm ndaj fatit të vet kolektiv , se piktori ia doli që çdo gjë ta personalizojë deri në ato përmasa sa edhe elitat jopolitike, jetojnë sipas parimit: kur jam unë mirë edhe populli është mirë.

8- Si ju duket gjendja ne Kosove, qe ne këtë periudhe pandemie, po vuan një krize politike si pasoje e rrëzimit te qeverise Kurti ne Parlament?

K. Mehmeti: Kosova prej moti është marrë peng nga pleqtë e ‘tre përqindëshit’ të LDK’së dhe e disa ‘komandantëve’ të djeshëm, e politikanë të sotëm, që sillen si të ishin mercenarë të cilëve u është premtuar se do u takojë e gjithë që do e gjejnë në tokën e pushtuar. Pastaj ke përshtypjen se edhe ekspertët e atjeshëm, Kushtetutën e vendit e lexojnë ashtu që ajo përgjithmonë ta legalizojë sundimin e zhvatësve të bashkuar ‘proametikanë’. Por sidoqoftë, do mbetet si e gdhendur në gur e vërteta se përderisa e gjithë bota e jetonte trishtimin si ta shpëtojë vetveten nga pandemia dhe nga varfëria që pritet të vijë pas saj, Presidenti i Kosovës dhe ‘kryeplaku’ i LDK-së, dolën në krye të zhvatësve të bashkuar ‘proamerikanë’ të vendit dhe, e nisën luftën për ta marr pushtetin në dorë! Do e përsërisë: Kosova do e ketë shumë të vështirë ta shpëtojë vetveten nga burrështetasit që nuk lodhen fare për spitalet, shkollat, gjykatat…., që ajo i ka, sepse ata vetë mjekohen jashtë vendit, fëmijët e tyre shkollohen nëpër qendrat Perëndimore dhe pse – si edhe në gjitha ‘Shqipëritë’ tona – nëpër gjykatat e Kosovës, dënohen hallexhinjtë që vjedhin nga një bukë, por jo edhe burrështetasit që e plaçkitin popullin e vet! Dhe kjo ndodh shkaku i asaj që e thash më lartë: sepse qeveritë dhe institucionet e larta shtetërore të ‘Shqipërive’ tona u bënë edhe strehimore për kriminelë e hajdutë, pse politika te ne është ‘biznesi’ më fitimprurës, në të cilin mjafton të investosh papërgjegjësinë e paturpësinë tënde dhe pse, ne më shumë e çmojmë dhe e besojmë hajdutin e partisë sonë, se sa të ndershmin e partisë kundërshtare!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here